2014-06-30 15:11:22

Letra e Patriarkut Ekumenik Bartolomeu I drejtuar Papës Françesku


Shenjtërisë dhe fortlumturisë së tij, Papa Françesku i Romës së Lashtë: gëzohu në Zotin.
Përsëri po agon dita e hareshme e festës së nderueshme dhe e përkujtimit të shenjtë të kryeapostujve Pjetër e Pal, që u martirizuan për hir të Krishtit në selinë e Kishës Suaj,
prandaj, nxitojmë të bashkëkremtojmë dhe t’i përkujtojmë me Ju edhe një herë këtë vit, me anë të delegacionit tonë formal, sipas një tradite të gjatë e të bekuar.
Ruajmë në zemër si një thesar të çmuar kujtimin e takimeve tona personale, që patëm së voni në Jeruzalem e në Romë, të cilët i përtërinë edhe më shumë dhe i vulosën lidhjet tona vëllazërore, ndërkohë që shprehim gjithashtu dëshirën për të ecur përpara në shtegun drejt bashkimit dhe bashkësisë sonë të plotë, të cilën e dëshiron Zoti. Kështu, në Qytetin e Shenjtë, në majin e shkuar, patëm fatin të nderonim së bashku vendin e shenjtë, ku prijësi i fesë sonë, Zoti ynë Jezu Krishti, mësoi, vuajti, u varros dhe u ringjall nga të vdekurit, duke nderuar edhe pesëdhjetëvjetorin e takimit historik në atë tokë të paraardhësve tanë Papës Pali VI dhe Patriarkut Ekumenik Atenagora, nisma e guximshme e të cilëve hapi periudhën e afrimit dhe të pajtimit të Kishave tona.
Takimi ynë në Romë, me nismën e përhirshme dhe ftesën e Shenjtërisë Suaj, në fillim të këtij muaji, me qëllimin për të ndihmuar së bashku – me presidentin e Izraelit dhe të Palestinës – që të mbizotërojë paqja në një zonë të Lindjes së Mesme të goditur nga konflikti, qe për mua thellësisht mallëngjyes dhe në të njëjtën kohë përçuese e mesazhit të paqes dhe dashurisë së Zotit për botën bashkëkohore, kaq e etur për paqe e dashuri.
Për të gjitha këto gjëra, shprehim edhe një herë mirënjohjen tonë të sinqertë ndaj Shenjtërinsë Tuaj, siç edhe lutemi me gjithë zemër, që Zoti t’Ju forcojë me hirin dhe fuqinë e tij, që të mund të vijoni për shumë vite të udhëhiqni dhe të shërbeni në botën tonë moderne, duke i frymëzuar të gjithë me virtytet e personalitetit Tuaj dhe me dashurinë për Hyjin dhe njerëzimin.
Apostujt Pjetër e Pal, ndërmjetësofshin tek Hyji për Kishën e Tij dhe për mbarë botën, duke na udhëhequr dhe duke na dhënë zemër në udhën e të vërtetës dhe të dashurisë “derisa të gjithë ne të arrijmë bashkimin e fesë ... duke thënë të vërtetën me dashuri, që të rritemi në të gjitha mënyrat në Atë që është kreu, në Krishtin” (Ef 13,15).
Këto ndjenja ogurmira dhe festive do t’ia sjellë Shenjtërisë Suaj delegacioni ynë, i udhëhequr nga Eminenca e Tij, Metropoliti Gjoni i Pergamos, i shoqëruar nga Shkëlqesia e Tij Kryepeshkopi i Telmesit, Jobi, dhe nga Fort i Nderuari Kryediakon Gjon Kysavgis, të cilët përfaqësojnë Patriarkatin Ekumenik dhe vetë mua, gjatë kremtimeve të Festës së Fronit të Kishës Suaj.
Ndërsa ndajmë këto ndjenja me Shenjtërinë Tuaj, në frymën e dashurisë së thellë, Ju përqafojmë vëllazërisht në Zotin dhe mbesim plot dashuri dhe nderim të veçantë në Të.
Nga Patriarkati Ekumenik, 24 qershor 2014,
Vëllai i dashur i Shenjtërisë suaj në Krishtin
+ Bartolomeu i Kostandinopojës








All the contents on this site are copyrighted ©.