Më 30 qershor përkujtohen martirët e parë të krishterë. Siç dëshmon Papa Klementi,
u masakruan në lëndinat e kodrës së Vatikanit nga Neroni, pas djegjes së Romës (korrik
64). Sipas historianëve, disa prej tyre i shqyen qentë, të tjerë i kryqëzuan, të tjerë
u dogjën të gjallë. Më 1 korrik përkujtohet i lumi Antonio Rosmini. U lind
në veri të Italisë më 1797. I lumi Rosmini qe meshtar i zellshëm dhe studiues i kujdesshëm
i teologjisë dhe filozofisë. Më 1849 qeveria e Piemontit e garkoi me një mission në
Romë, pranë Papës Piu IX. Papa e priti me dashamirësi, por në atë kohë, në Itali,
u shumëfishuan sulmet kundër Rosminit. Katolikët konservatorë e akuzonin se ishte
tepër i gatshëm për dialog me projektuesit e Italisë së bashkuar, ndërsa laicistët
e akuzonin se ishte tepër i ngurtë në pikëpamjet katolike. Ai, atëherë, u vendos në
Stresë, ku kaloi në heshtje vitet e fundit të jetëls dhe ku vdiq më 1855. Më
2 korrik përkujtohen Shenjtorët: Liberati, Bonifaci, Servi, ristiku, Rogati, Septimi
e Maksimi, martirë. Ndër manastirët afrikanë, që mendohet se ishin me frymëzim agostinian,
një rëndësi të veçantë ka ai i Gafsës, në Tunizi, për shkak të martirizimit të murgjërve.
Këta shtatë martirë u burgosën e më vonë u martirizuan në Kartagjenë, pas urdhërit
të Hunerikut, i cili më 484 vendosi që manastiret t’u dorëzoheshin morëve. Më
3 korrik përkujtohet Shën Toma apostull. Emri i tij del për herë të parë në listën
e të dymbëdhjetëve, por në kapitullin 11 të Ungjillit sipas Gjonit del në pah një
aspekt i karakterit të tij të zjarrtë. Kur vë re, bashkë me të tjerët, se Jezusi po
shkonte drejt rrezikut, thotë: “Të shkojmë edhe ne e të vdesim me të”. Megjithëse
është i njohur si apostulli dyshues, sepse deshi të vinte gishtin në plagën e Krishtit
të ringjallur për ta provuar personalisht lajmin e mirë, ai është edhe apostulli i
adhurimit, sepse fjalët e fundit, që thotë në Ungjill, janë: “Zoti im e Hyji im!”. Më
4 korrik përkujtohet Shën Elizabeta e Portugalisë. U lind në Spanjë më 1271. Ishte
bija e mbretit të Spanjës dhe u martua me Dionizin, mbretin e Portugalisë, me të cilin
pati dy djem. Pasi i vdiq i shoqi, ua dha pasuritë e familjes manastirëve dhe u bë
anëtare e urdhrit të tretë françeskan. Më 5 korrik përkujtohet Shën Asti
i Durrësit, martir. Kur perandor i Romës ishte Traiani dhe qeveritari i Ilirikut ishte
Agrikolau, u martirizua, sepse nuk pranoi të nderonte statujën e Dionisit. Pasi e
frushkulluan, e lidhën në një kryq, e lyen me mjaltë dhe e lanë në diell derisa insektet
e thumbuan për vdekje. Vdiq rreth vitit 100. Më 6 korrik është e diel,
festa e Zotit.