Papa në Engjëllin e Tënzot; dialogu, e vetmja udhë për paqen në Irak
Dialogu është e vetmja udhë për paqen: e pohoi Papa Françesku menjëherë pas lutjes
së Engjëllit të Tënzot, kushtuar solemnitetit të Shenjtorëve Pjetër e Pal, duke u
lutur për Irakun e tronditur rëndë nga dhuna. Lajmet që vijnë nga
Iraku, flasin për një vend në flakë, viktimë tragjike e dhunës. Tepër të dhimbshme
këto lajme, për Atin e Shenjtë: “Bashkohem me ipeshkvijtë në thirrjen drejtuar
qeveritarëve që, përmes dialogut, të mund të ruhet uniteti kombëtar e të shmanget
lufta. Jam pranë mijëra familjeve, posaçërisht atyre të krishtera, që u detyruan të
largohen nga shtëpitë e që janë në rrezik të madh. Dhuna lind dhunën. Dialogu është
rruga e e vetme për paqen”. Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke kujtuar
solemnitetin e sotëm të Shenjtorëve Pjetër e Pal, Papa u ndal tek figurat e dy Apostujve,
që Kisha e Romës i kremton në një festë të vetme. Besimi në Jezu Krishtin, kujtoi,
i bëri vëllezër; martirizimi, një gjë e vetme. Krejt të ndryshëm nga njëri-tjetri
në planin njerëzor, u zgjodhën personalisht nga Zoti Jezus, shtoi Ati i Shenjtë, e
iu përgjigjen thirrjes, duke dhuruar gjithë jetën e tyre e duke e lënë veten të shndërrohen
nga hiri i Krishtit, që i bëri të kryejnë vepra të mëdha: “Simoni e pati mohuar
Jezusin në çastin dramatik të mundimeve; Sauli i persekutoi rreptë të krishterët.
Por që të dy e pranuan dashurinë e Hyjit dhe e lanë t’i shndërronte me mëshirën e
Tij. U bënë, kështu, miq e apostuj të Krishtit. Prandaj ata vijojnë t’i flasin Kishës
e, edhe sot, na tregojnë udhën e shëlbimit”. Zoti, siguroi Papa Françesku,
është gjithnjë i aftë të na shndërrojë, edhe nëse rastësisht do të rrokulliseshim
në mëkatet më të rënda a do të fundoseshim në natën më të zezë. Zoti na shndërron: “Na
e shndërron zemrën e na i fal fajet, duke e kthyer errësirën tonë të mëkatit, në agim
drite. Po kështu është Hyji: na shndërron, na fal gjithnjë, siç bëri me Pjetrin e
siç bëri edhe me Palin”. Pjetri, shtoi Papa, na mëson t’i shikojmë të varfrit
me syrin e fesë e t’u dhurojmë çka kemi më të çmuar: forcën e emrit të Jezu Krishtit,
që e shëron edhe të gjymtin. Nga Pali, vijoi Papa, kujtojmë episodin e thirrjes
në rrugën e Damaskut, që shënon kthesën e plotë në jetën e tij: më përpara Pali ishte
armik i betuar i Kishës, më pas, e vë gjithë vetveten në shërbim të Ungjillit: “Takimi
me Fjalën e Krishtit është në gjendje ta shndërrojë plotësisht jetën tonë. Nuk është
e mundur ta dëgjosh këtë fjalë e të mos luash vendi, të rrish si i ngrirë a të vijosh
zakonet tuaja. Ajo na nxit ta mundim egoizmin e zemrave tona, për ta ndjekur vendosmërisht
Mësuesin, i cili dha jetën për miqtë. Është Ai vetë që, me fjalën e Tij, na shndërron;
është Ai, që na e fal gjithçka, nëse ia hapim zemrën e i lypim falje”. Festa
kushtuar dy Shenjtorëve, na vë ballë për ballë me veprën e mëshirës së Hyjit në zemrat
e dy burrave, dy mëkatarëve të mëdhenj: “Hyji dëshiron të na mbushë edhe ne
me hirin e tij, ashtu si bëri me Pjetrin e me Palin. Virgjëra Mari na ndihmoftë ta
pranojmë me zemër të hapur e të mos e marrim pa fryt”. Pastaj, një mendim
për kryeipeshkvijtë metropolitë, emëruar këtë vit dhe përshëndetjet drejtuar turmës
shumëngjyrëshe në Shesh. Së pari, besimtarëve të Romës, në festën e Pajtorëve të
tyre. Më pas, Forumit të shoqatave familjare të Lacios e, së fundi, organizatorëve
dhe realizuesve të shfaqjes me fishekzjarre në Kastel Sant’Angelo. Ndihmat, që do
të grumbullohen nga kjo nismë, do të përdoren për të mbështetur të rinjtë e Tokës
Shenjte.