2014-06-29 14:59:25

Françesku në Solemnitetin e Shenjtorëve Pjetër e Pal: besimi në Zotin çliron nga frika, zinxhirët, pushteti i botës


“Streha jonë e vërtetë është besimi në Zotin: na largon çdo frikë e na bën të lirë nga skllavëritë e tundimet e botës”. Janë fjalët e Papës gjatë Meshës së sotme, kremtuar në Bazilikën e Vatikanit, në solemnitetin e Shenjtorëve Pjetër e Pal. Gjatë kremtimit, Ati i Shenjtë u vuri palion 24 ipeshkvijve të rinj metropolitë. Mungonin tre prelatë, të cilëve palio, simbol i Bariut të Mirë, do t’u dorëzohet në selitë e tyre metropolitane. Françesku i porositi të ruhen nga joshja e pushtetit, e shpërblimeve, e krenisë, e strehëve baritore, që nuk janë streha e Zotit.RealAudioMP3

“Zoti na çliron nga çdo frikë e nga çdo zinxhir, ashtu si bëri me Pjetrin, që të jemi vërtet të lirë. Është besimi në Zotin, streha jonë e vërtetë. Na largon nga shpirti çdo frikë e na çliron nga çdo skllavëri, u tha në vijim Françesku kryeipeshkvijve të rinj metropolitë të pranishëm, të cilëve, siç është traditë në Solemnitetin e Shenjtorëve Pjetër e Pal, u vuri mbi supe palion. Sipas shembullit të Shën Pjetrit, Papa i ftoi të gjithë ta përtërijnë besimin në Hyjin, duke i porositur të mos kenë kurrë frikë e të mos kërkojnë strehim tjetër, veç Zotit:
“Ne –pyes- të dashur vëllezër Ipeshkvij, a kemi frikë? Po prej kujt kemi frikë? E nëse e kemi, ç’strehë kërkojmë, në jetën tonë baritore, për ta ndjerë veten të sigurt? Thua kërkojmë mbështetje nga ata, që kanë pushtet në këtë botë? Apo na gënjen krenia, që kërkon shpërblime e vlerësime, për ta ndjerë veten të sigurt? Ku e mbështesim sigurinë tonë?”.
Pjetri, i lënduar nga që Zoti e zhgënjeu natën, kur u tradhtua, e di se nuk mund t’i besojë vetvetes, se nuk mund të mbështetet mbi forcat e veta; beson në mëshirën e Zotit, e di se besnikëria e Hyjit është më e madhe se pabesia e se mohimet njerëzore. Prej këndej, pyetjes së Jezusit: “A më do?”, i përgjigjet: “Zot, ti di gjithçka, ti e di se të dua!”. Kështu, shpjegoi Françesku, duke mos u mbështetur aq në aftësinë tonë për të besuar, sa në besnikërinë e palëkundshme të Hyjit, që ia kalon çdo përfytyrimi njerëzor, frika zhduket; pasiguria bëhet siguri; ligështia, forcë:
“Besnikëria, që Zoti na e vërteton edhe ne barinjve, pa marrë parasysh meritat, është gurra e besimit tonë, e paqes sonë”.
Dashuria e Jezusit na mjafton. Nuk duhet, prandaj, të ndalemi në gjërat e dorës së dytë:
“Zoti sot më përsërit mua, ju, mbarë barinjve: Më ndiq! Mos e humb kohën me punë e probleme të kota; mos u ndal në çështje të dorës së dytë, por shiko themeloren e eja pas meje. Më ndiq në dëshminë e një jete, që përkon me dhuratën e hirit të Pagëzimit e të Shugurimit meshtarak! Më ndiq, duke u folur për mua atyre me të cilët jeton, ditë për ditë; eja pas meje në djersën e punës, në dialog, në miqësi! Më ndiq duke ua kumtuar Ungjillin të gjithëve, posaçërisht më të braktisurve, për të mos i munguar askujt Fjala e Jetës, që çliron nga çdo frikë e krijon besim të plotë në besnikërinë e Hyjit”.

Në kremtimin e sotëm ishte i pranishëm delegacioni i Patriarkanës ekumenike, i kryesuar nga metropoliti i Pergamos Ioannis, dërguar nga Patriku Bartolomeu:
“Ta lusim Zotin që edhe kjo vizitë t’i forcojë lidhjet tona vëllazërore në udhën drejt bashkimit të plotë të Kishave tona motra, aq të dëshiruar nga ne”.
Dialogu është e vetmja udhë për paqen, theksoi më pas Papa Françesku, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Solemnitetin e Shenjtorëve Pjetër e Pal, Pajtorë të Romës. Papa u lut për Irakun e tronditur rëndë nga dhuna dhe kujtoi kryesisht solemnitetin e sotëm, duke u ndaluar tek figurat e dy Apostujve, që Kisha e Romës i kremton së bashku, në një festë të vetme.
Kremtimi i Shenjtorëve Apostuj u përshkua nga dëshira për bashkimin e kishave të krishtera. Simbol i kësaj dëshire për bashkim ishin edhe këngët, që gjallëruan liturgjinë, kënduar nga kori i Patriarkanës së Moskës e ai i Kapelës Muzikore Papnore.








All the contents on this site are copyrighted ©.