2014-06-27 18:44:43

Irak. Thirrje e imzot Moshe, bashkësisë ndërkombëtare: “Na shpëtoni!”


Karakoshi është kthyer në fantazmë! Më se 99% nga 40 mijë banorët, pothuajse të gjithë të krishterë të Kishës siro-katolike, njofton Agjencia Fides, kanë ikur dy ditë para sulmit të kryengritësve sunnitë, të udhëhequr nga xhihadistët e Shtetit Islamik të Irakut e të Lindjes (Isil), që vijojnë ta godasin zonën me raketa e granata.
Ndërmjet atyre pak vendasve, që kanë mbetur në qytet, është kryeipeshkvi i sirëve të Mosulit, Yohanna Petros Moshe. Me prelatin, disa meshtarë e disa të rinj të Kishës së tij, që kanë vendosur të mos largohen. Në qendrën e banuar, ditët e fundit, arritën armë e forca të reja, për të mbështetur ushtrinë kurde të Peshmergës, që i kundërvihet kryengritësve sunnitë. Të krijohet përshtypja se po bëhen përgatitje për ndeshje ballë për ballë.
Dje, kryeipeshkvi Moshe u përpoq të ndërmjetësonte mes kryengritësve, për ta mbrojtur qytetin e Karakoshit nga shkatërrimi i plotë. Fatkeqësisht, pa rezultat. Rebelët sunnitë i kërkojnë ushtrisë kurde të tërhiqet. Peshmergat kurdë nuk e kanë aspak në mendje t’i lejojnë kryengritësit t’i afrohen kufijve të Kurdistanit irakian.Në këtë situatë dramatike, nga Karakoshi, kryeipeshkvi Moshe, përmes Agjencisë Fides, i bën thirrje të ngutshme bashkësisë ndërkombëtare për ndërhyrje humanitare: “Përballë dramës, që po jeton populli ynë, ngre zërin kryeipeshkvi, u drejtohem ndërgjegjeve të prijësve politikë të mbarë botës, organizmave ndërkombëtare dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë: duhet ndërhyrë sa më shpejt, për t’i vënë pritë ndeshjes shkatrrimtare, duke punuar jo vetëm në planin e ndihmave humanitare, por edhe në atë politik e diplomatik. Çdo orë, çdo ditë e humbur, krijon rrezikun që gjithçka të rrokulliset në greminë. Nuk mund të lejohet të kalojnë ditë e javë në pasivitet të plotë. Amullia merr pamjen e bashkëpunimit me krimin e me dhunën. Bota nuk mund t’i mbyllë sytë para dramës së një populli të tërë, që ikën nga shtëpitë në pak orë, duke marrë me vete vetëm petkat e shtatit!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.