2014-06-27 13:58:30

Ati i Shenjtë: Hyji, Atë i dhimbshëm, që na do e na merr për dore


Për t’ia komunikuar dashurinë e Tij të dhimbshme prej Ati njeriut, Zoti ka nevojë që njeriu të bëhet i vogël. Është mendimi i Papës Françesku, shtjelluar në homelinë e Meshës së mëngjesit, kryesuar në Shtëpinë e Shën Martës, ditën kur Kisha kremton festën e Zemrës së Krishtit.RealAudioMP3

Nuk pret, por jep. Nuk flet, vepron! Nuk ka hije ngurrimi në dashurinë e Krijuesit për krijesat e veta. Papa Françesku e shpjegoi këtë në krye të një homelie, në të cilën u ndalua kryesisht tek Zemra e Krishtit, kremtuar në liturgjinë e sotme. Hyji, pohoi, na jep hirin dhe gëzimin për të kremtuar, në Zemrën e Birit të Tij, veprat e mëdha të dashurisë:
“Ka dy tipare dashuria. I pari, dashuria shprehet më mirë kur jep, se kur merr. E tipari i dytë: shprehet më shumë me vepra, sesa me fjalë. Kur themi shprehet më mirë kur jep se kur merr, do të thotë se dashuria komunikohet, transmetohet gjithnjë. Merret nga ai, që duam. E kur themi se shprehet më shumë me vepra, sesa me fjalë, kuptojmë se dashuria jep gjithnjë jetë, të bën të rritesh”.
Por, për ta kuptuar dashurinë e Hyjit, njeriu ka nevojë të kërkojë përmasën e kundërt me pafundësinë. E kjo përmasë është vogëlsia, kujtoi Papa, vogëlsia e zemrës. Moisiu, pohoi në vijim, i shpjegoi popullit hebre se ishte i zgjedhur nga Hyji pikërisht sepse më i vogli ndër gjithë popujt. Ndërsa Jezusi, në Ungjill, e lavdëron Atin ngaqë ua fshehu gjërat hyjnore të urtëve e ua zbuloi të vegjëlve. Prej këndej, vërejti Papa Françesku, ky Hyj i kërkon njeriut lidhjen atë-foshnjë, e ledhaton, i thotë “Jam me ty”:
“Kjo është dashuria e Hyjit, dashuria e tij: është kjo, që Ai na e komunikon e që i jep forcë dashurisë sonë. Por nëse ne e ndjejmë veten të fortë, nuk mund ta kemi kurrë përvojën e ledhatimit të Zotit, ta provojmë përkëdhelinë e Zotit, aq të bukur, tepër të bukur...‘ Mos ki frikë, unë jam me ty, të marr për dore…’ Janë fjalët e Zotit. Na bëjnë ta kuptojmë këtë dashuri misterioze, që ka Ai për ne. E, kur Jezusi flet për vetveten, thotë: ‘Unë jam zemërbutë e i përvujtë’. Edhe Ai, Biri i Hyjit, përkulet për ta marrë dashurinë e Atit”.
Shenjë tjetër e veçantë e dashurisë së Hyjit, është se ai ne deshi i pari. Ai është gjithnjë para nesh, na pret, siguroi Papa Françesku, që e përfundoi homelinë duke i lypur Zotit hirin të na ndihmojë për të hyrë në këtë botë kaq misterioze, për t’u mrekulluar me Të e për të gjetur paqe me këtë dashuri që komunikohet, që na jep gëzim e na çon në rrugën e jetës, si fëmijët, për dore:
"Kur ne arrijmë, Ai është aty. Kur e kërkojmë, Ai është vënë i pari në kërkim tonë. Është gjithnjë para nesh, na pret, për të na marrë në zemrën e vet, në dashurinë e vet. E këto dy gjëra mund të na ndihmojnë ta kuptojmë këtë mister të dashurisë së Hyjit me ne. Për t’u shprehur, ka nevojë për vogëlsinë tonë, përuljen tonë. E ka nevojë edhe për mrekullimin tonë, kur e kërkojmë dhe e gjejmë aty, duke na pritur”.










All the contents on this site are copyrighted ©.