2014-06-26 15:53:28

Papa: Njerëzit e ndjekin Jezusin, se ai ia ngroh zemrën popullit


Populli e ndjek Jezusin, sepse e sheh se ai është Bariu i Mirë. Kështu tha Papa Françesku në meshën e mëngjesit, në shtëpinë e Shën Martës. Papa bëri thirrje të ruhemi nga ata që e kthejnë fenë në moralizëm, që kërkojnë çlirimin politik apo marrëveshje me pushtetin.RealAudioMP3
Pse Jezusin e ndiqnin shumë njerëz? Kjo është pyetja nga e cila u nis Papa Françesku për të shtjelluar homelinë, gjatë së cilës u përqendrua tek populli dhe tek mësimi i Zotit. Jezusin, vërejti Papa, e ndiqnin turmat, sepse “mrekulloheshin nga mësimi i tij”. Fjalët e tij “ua mbushnin zemrën me mahnitje, me mahnitjen nga diçka e mirë dhe e madhe që gjenin”. Të tjerët, përkundrazi, “flisnin, por nuk arrinin tek populli”. Papa numëroi, kështu, katër grupe njerëzish, që flisnin në kohën e Jezusit. Para së gjithash farisenjtë. Këta, tha Françesku, “e kthenin kultin e Hyjit, fenë, në një varg urdhërimesh dhe, prej dhjetë që ishin, i bënin më shumë se treqind”, duke e ngarkuar këtë barrë mbi shpatullat e popullit. Në këtë mënyrë, fenë në Hyjin e gjallë e kthenin në kazuistikë. E aty gjendeshin edhe “kundërshtitë e kazuistikës më të egër”:
“Por ti duhet – për shembull – të zbatosh urdhërin e katërt!; ‘Po, po, po!’; ‘Duhet t’i japësh të hajë atit tënd të moshuar, nënës sate të moshuar!’; ‘Po, po, po!’; ‘Por, ju e dini, nuk mundem, sepse paratë ia kam dhënë tempullit!’ ‘Ti nuk u jep? E prindërit vdesin nga uria!’. Kështu: kundërshtitë e kazuistikës më të egër. Populli i respektonte, sepse populli është i respektueshëm. I respektonte, por nuk i dëgjonte! Iknin...”
Grupi tjetër është ai i saducenjve. “Këta – vërejti Papa – nuk kishin fe, e kishin humbur fenë! Zanatin e tyre fetar e ushtronin në rrugën e marrëveshjeve me pushtetin: me pushtetin politik, me pushtetin ekonomik. Ishin njerëz të pushtetit”. Grupi i tretë, vijoi, “ishte ai i revolucionarëve” ose zelltarët, të cilët “donin të bënin revolucion, për ta çliruar popullin e Izraelit nga pushtimi romak”. Por populli, nënvizoi Papa, “është i mirëkuptueshëm dhe di të dallojë kur fryti është i pjekur dhe kur nuk është! E nuk u shkonte pas!” Grupi i katërt, pohoi më tej, ishte ai i “njerëzve të mirë: quheshin esenë”. Ishin murgjër, që ia kushtonin jetën Hyjit. Megjithatë, “ishin larg popullit dhe populli nuk mund t’i ndiqte”
Këto, pohoi Papa, “ishin zërat që i arrinin popullit dhe asnjëri nga këto zëra nuk e kishte forcën për t’ia ngrohur zemrën popullit”. “Por Jezusi, po! Turmat – shpjegoi Ati i Shenjtë – mahniteshin: e dëgjonin Jezusin dhe u ngrohej zemra; mesazhi i Jezusit u hynte në zemër!”. Jezusi, theksoi Françesku, “i afrohej popullit”, “i shëronte zemrën popullit”, i kuptonte vështirësitë e tij. Jezusi “nuk kishte turp të fliste me mëkatarët, shkonte dhe i takonte”, “ishte i gëzuar, ishte i kënaqur kur shkonte me popullin e vet”. Kjo ndodh sepse ai është “Bariu i Mirë”, delet e dëgjojnë zërin e tij dhe e ndjekin:
“Për këtë arsye populli e ndiqte Jezusin, sepse ishte Bariu i Mirë. Nuk ishte as farise kazuist moralist, as saduce, që bënte marrëveshje politike me pushtetarët, as luftëtar, që kërkonte çlirimin politik të popullit të vet, as soditës i ndonjë manastiri. Ishte bari! Bari që fliste gjuhën e popullit të vet dhe e kuptonin. Ai thoshte të vërtetën, gjërat e Hyjit, por i thoshte në një mënyrë të tillë, që populli ndjente dashuri për gjërat e Hyjit. Për këtë arsye shkonin pas tij”.
Jezusi, tha Papa, “kurrë nuk u largua nga populli dhe kurrë nuk u largua nga Ati i vet”. Jezusi “ishte i lidhur ngusht me Atin – ishte një me Atin!” dhe kështu ishte “shumë afër me popullin”. Ai “e kishte këtë autoritet dhe për këtë arsye populli i shkonte pas”. Duke kundruar Jezusin, Bariun e Mirë, bëri thirrje Papa, duhet të mendojmë pas kujt dëshirojmë të ecim:
“’Pas kujt më pëlqen të shkoj?’. Pas atyre që më flasin për gjëra abstrakte apo për kazuistika morale; pas atyre që thonë se i përkasin popullit të Hyjit, por nuk kanë fe dhe për gjithçka bëjnë marrëveshje me pushtetet politike dhe ekonomike; pas atyre që duan të bëjnë gjithmonë gjëra të çuditshme, rrënimtare, luftra të ashtuquajtura çlirimprurëse, por që në fund nuk janë rrugët e Zotit; apo pas një kundruesi të largët? Mua, pas kujt më pëlqen të shkoj?”
“Kjo pyetje – përfundoi Papa – na ndihmoftë të arrijmë tek lutja dhe t’i kërkojmë Hyjit, që është Atë, të na afrojë me Jezusin, për ta ndjekur Jezusin, për t’u mahnitur me çfarë na thotë Jezusi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.