2014-06-25 14:51:30

Papa: i krishteri i përket Kishës. Askush nuk është lojtar i lirë


Të jesh i krishterë, do të thotë t’i përkasësh Kishës, “familje e madhe”, në të cilën, falë vëllezërve e me vëllezërit, takojmë Krishtin. Tundim i rrezikshëm, mendimi se mund të shëlbojmë vetveten, se mund të jemi edhe “të krishterë laboratori”. Kjo ishte zemra e katekizmit të dytë, që Papa ia kushtoi Kishës, në audiencën e përgjithshme të kësaj së mërkure.RealAudioMP3

Më se 30 mijë vetë, nën një qiell ngjyrë hiri, ngarkuar me shi vere, ndoqën audiencën e sotme të përgjithshme të Papës, në Sheshin e Shën Pjetrit. Të tjerët, të sëmurët, e ndoqën nga Salla e Palit VI. Ishte audienca e fundme e përgjithshme, para ndërprerjes, gjatë korrikut.
Ka shumë rëndësi që i krishteri t’i përkasë një populli, Kishës, nënvizoi me forcë Papa. Koncept i konkretizuar me një figurë, që të mbetet në mendje, të cilën Françeskut i pëlqen ta përdorë shpesh:
Ne nuk jemi të izoluar, nuk jemi të krishterë me titull individual, secili për hesap të vet, jo: identiteti ynë i krishterë është përkatësia! Jemi të krishterë, sepse i përkasim Kishës. Është si puna e mbiemrit; nëse emri është ‘jam i krishterë’, mbiemri do të jetë doemos “i përkas Kishës Katolike”.
E kjo përkatësi, që është e mira ta kujtojmë, vijoi Françesku, gjen shprehjen e vet në emrin e vetë Hyjit i cili, duke folur me Moisiun (cfr Dal 3,15), e quan veten Hyji i etërve – i Abrahamit, Izakut, Jakobit – e na fton të hyjmë në këtë lidhje, e cila na paraprin e na transmetohet. I krishteri është pjesë e një populli, që vjen nga larg, nuk është i krishterë, i krijuar në laborator:
“Nëse ne besojmë, nëse dimë të lutemi, nëse mund ta njohim Zotin e ta dëgjojmë Fjalën e Tij, nëse e ndjejmë pranë dhe e njohim në vëllezërit tanë, kjo ndodh sepse të tjerë, para nesh, e jetuan fenë e pastaj edhe e transmetuan. Fenë e morëm nga etërit tanë, nga paraardhësit tanë. Janë ata, që na e mësuan!”.
Mund të jenë prindërit, që kërkojnë për ne Pagëzimin, gjyshërit, që na mësojnë të bëjmë shenjën e kryqit, famullitari a murgesha, që na përçon fenë. Kjo është Kisha, familje, që na merr në krahë. Falë saj e me të, nënvizoi Papa, mësohemi të jetojmë si besimtarë. Në Kishë nuk mund të ketë fe, sipas dëshirës. E as lojtarë të lirë:
“Nganjëherë ndodh që dëgjon ndokënd duke thënë: ‘Unë besoj në Zotin, besoj në Jezusin, po Kisha nuk më intereson…’. Sa herë e kemi dëgjuar këtë? E kjo nuk shkon! Mendohet se mund të ketë lidhje personale, të drejtpërdrejta, të menjëhershme me Jezu Krishtin, jashtë bashkimit e ndërmjetësimit të Kishës. Janë tundime të rrezikshme e të dëmshme. Dikotomi absurde, siç thoshte i madhi Pali VI”.
Vërtet ecja së bashku është impenjative e nganjëherë edhe e lodhshme, vërejti Françesku, por Zoti vjen të na takojë pikërisht në vëllezërit tanë e në motrat tona, me dhuratat e edhe me kufizimet e tyre. E kjo do të thotë t’i përkasësh Kishës, prej këndej, lutja përfundimtare:
Të dashur miq, t’i lypim Zotit, me ndërmjetësimin e Virgjërës Mari, Nënës së Kishës, hirin të mos biem kurrë në tundimin, që na shtyn të mendojmë se mund ta bëjmë gjithçka edhe pa të tjerët, se mund të bëjmë edhe pa Kishën, se mund të shëlbojmë vetveten, se mund të jemi edhe të krishterë laboratori. Përkundrazi, nuk mund ta duam Zotin, pa dashur edhe vëllezërit. Zotin nuk mund ta duam, jashtë Kishës! Nuk mund të jemi në bashkim me Zotin, pa qenë edhe me Kishën. E nuk mund të jemi të krishterë të mirë, pa të gjithë ata, që kërkojnë ta ndjekin Zotin Jezus, si një popull i vetëm, një korp i vetëm. E kjo është Kisha! Faleminderit!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.