2014-06-25 15:00:49

Imzot Tomazi: familja nuk është relike, por shpresë për të ardhmen


“Familja është qeliza themelore e shoqërisë njerëzore”: duket diçka e stërditur, por Vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë në OKB-në e Gjenevës, imzot Silvano Maria Tomazit, iu desh ta përsërisë në seksionin e 26-të të Këshillit për të drejtat e njeriut. Vërtet, në këtë çast, më shumë se kurrë, familja ndodhet në shënjestrën e atyre, që mendojnë se çdo lloj bashkimi vlen, apo të atyre që predikojnë çlirimin nga lidhjet familjare, duke favorizuar kështu, atë politikë ekonomike, së cilës i interesojnë njerëzit që jetojnë vetëm, pasi shpenzojnë më shumë se familja.
Në fjalën e tij, prelati nënvizoi se familja vazhdon të tregojë një forcë më të madhe nga ata, që janë përpjekur ta zhdukin si relike të së kaluarës, apo si pengesë në emancipimin e njeriut, në krijimin e një shoqërie të lirë, të lumtur e të barabartë. Por, nënvizoi imzot Tomazi, të drejtat e individit nuk cënohen aspak nga kujdesi për familjen. Madje pikërisht në familje, njeriu mund të gjejë mbrojtjen dhe energjinë për të cilën ka nevojë. Kjo është e rëndësishme sidomos për fëmijët, të cilëve u duhet dhënë një pikë referimi, një nënë e një babë, nga të cilët të formohen dhe edukohen me një model prindi, si femëror, ashtu edhe mashkullor.
Në familje, vijoi imzot Tomazi duke bërë thirrje për ruajtjen e mbrojtjen e saj, brezat e rinj njohin dashurinë, marrin edukatën, gjejnë përkrahjen e ndërsjellë dhe shohin si transmetohet dhurata e jetës. Ky botëkuptim gjendet në historinë e të gjitha kulturave, si edhe në Deklaratën universale të të drejtave të njeriut, e cila sanksionon “të drejta e detyra unike, të qenësishme e të padiskutueshme për familjen e bazuar në martesën e një burri me një grua”. Derisa ndokujt të mos i shkojë ndërmend të ndryshojë edhe këtë Deklaratë…








All the contents on this site are copyrighted ©.