2014-06-25 17:26:24

At Lombardi: sqarime për Legjionarët dhe Françeskanët e së Papërlyerës


Një sqarim për situatën e dy Instituteve, Françeskanët e Zojës së Papërlyer dhe Legjionarët e Krishtit. E jep drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, pas disa pyetjeve, drejtuar nga gazetarët.
Përsa u përket Françeskanëve të së Papërlyerës, atë Lombardi, mbi bazën e informacioneve ardhur nga sekretari i Kongregatës për Institutet e Jetës Rregulltare dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike, njoftoi se si Komisari, atë Volpi, ashtu edhe të gjithë seminaristët e Françeskanëve të së Papërlyerës, u pritën nga Ati i Shenjtë, më 10 qershorin e kaluar, pranë Shtëpisë së Shën Martës. Një gjest, nënvizoi atë Lombardi, që flet vetë për interesimin me të cilin Papa Françesku po e ndjek situatën e Françeskanëve të së Papërlyerës dhe punën, që po bën Komisari, në emër të Kongregatës për Jetën Rregulltare dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike.
Papa Françesku, saktësoi akoma atë Lombardi, njoftohet saktësisht për të gjitha hapat që bëhen në këtë drejtim. Në këtë çast, kërkohet një shtëpi në Romë, ku mund të banojnë vëllezërit studentë të Institutit të lartpërmendur, që ndjekin Universitetet Papnore të Romës, për t’i vijuar studimet e tyre.
Lidhur me gjendjen e Legjionarëve të Krishtit, atë Lombardi sqaroi se, ashtu siç është parashikuar, me kremtimin e Kapitullit të përgjithshëm, Instituti u rikthye nën kompetencën e Kongregatës për Institutet e Jetës Rregulltare e Shoqëritë e Jetës Apostolike. Me këtë kalim, shtoi, përfundon edhe detyra e Delegatit Apostolik.
Përveç kësaj, si gjest i afërsisë vëllazërore, Prefekti dhe Sekretari i Dikasterit, më 3 korrik, do të shkojnë në selinë qendrore të Legjionarëve, për të komentuar personalisht disa korrigjime, që i duhen bërë tekstit të Kushtetutave, paraqitur Dikasterit si dhe për të komunikuar emrin e Asistentit Papnor. Korrigjimet e tekstit të Kushtetutave, shpjegoi drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, janë vërtet pak. E përsa i përket figurës së asistentit, do të jetë një rregulltar, që i njeh mirë Legjionarët e mund ta ndihmojë Këshillin e përgjithshëm në terma juridike e të tjera, sipas nevojave. Vihet në dukje, nënvizoi atë Lombardi, se është fjala për një Asistent e jo për një Vizitator, Komisar a Delegat. Asistenti nuk ka zë, as votë: është thjesht këshilltar. Figura e tij parashikohej që në Kapitullin e përgjithshëm.
Drejtimi i përgjithshëm i Legjionarëve, përfundoi atë Lombardi, shkoi në Kongregatë pas Kapitullit, për të takuar Prefektin dhe Sekretarin. Me këtë rast, Drejtori i përgjithshëm, shprehu dëshirën të presë pranë selisë së tyre, Prefektin dhe Sekretarin e Dikasterit. Ja edhe arsyeja për të cilën, më 3 korrik, kardinali João Braz de Aviz si dhe kryeipeshkvi, imzot José Rodríguez Carballo, do të shkojnë tek Legjionarët.










All the contents on this site are copyrighted ©.