2014-06-24 13:31:03

Ju kumtojmë lajmin e mirë – Shembëlltyra e mbjellësit (XXII)


Siç ndodh shpesh në tregimin e Markut, edhe sot Jezusi është i rrethuar nga një turmë e madhe, aq sa i duhet të marrë një barkë e t’i mësojë njerëzit nga liqeni. “I mësonte me shëmbëlltyra” – shënon Ungjilltari. Nga leximi i të katër ungjijve dimë se Jezusi ka dhënë edhe mësime e udhëzime të drejtpërdrejta, si ai që gjejmë në kapitullin e shtatë të Ungjillit sipas Mateut, ku thotë: “Mos gjykoni, që të mos ju gjykojnë”, por mënyra e tij më e zakonshme për t’i mësuar njerëzit është ajo e shëmbëlltyrave.
Jezusi ka ardhur për të ngacmuar tek njerëzit etjen për urtinë e vërtetë dhe për të zgjuar tek ata dëshirën për ta kërkuar e për ta njohur Hyjin. Hyji nuk u zbulohet njerëzve në qartësinë e koncepteve, por në rrethanat e zakonshme, nganjëherë të turbullta të jetës, prandaj hapësira e vetme, ku njeriu mund ta takojë e ta njohë Hyjin e vërtetë, është jeta e tij. Shëmbëlltyrat e Jezusit janë të lidhura me rrethanat e jetës së njerëzve, prandaj janë mjeti që ai parapëlqen për të zgjuar tek bashkëbiseduesit një përsiatje personale, e cila nuk ndalet tek koncepti i përgjithshëm jovetor, por u përshtatet rrethanave vetjake të jetës. Shëmbëlltyra nuk e mbyll të vërtetën brenda kornizës së një koncepti të paarritshëm, por e sjell atë pranë jetës së zakonshme të njerëzve.
Në kapitullin e katërt të Ungjillit sipas Markut, Jezusi tregon shëmbëlltyrën e mbjellësit. Ai e fillon ligjërimin duke i ftuar të pranishmit që ta dëgjojnë: “Dëgjoni!” dhe e mbyll duke thënë: “Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë”. Dëgjimi nuk është veprimtari intelektuale, por jetë e jetuar me vëmendje, duke e mbajtur zemrën të hapur për të pranuar çfarë sjell Hyji në ekzistencën tonë.
Në qendër të shëmbëlltyrës gjendet figura e mbjellësit, i cili “doli për të mbjellë”. “Dalja” është nismë e tij dhe “mbjellja” qëllimi i vetëm. Tërë mënyra e tij e të vepruarit është krejtësisht falas dhe pa llogari fitimi apo përfitimi. Farat nuk bien vetëm në tokën e mirë, por edhe në zall të thatë, në ferra e në udhën ku i shkelin njerëzit e i hanë zogjtë e qiellit. Në fushën e botës, ku zhvillohet jeta e njerëzve, udhëton mbjellësi i farës, i cili, pa bujë, por me bujari, dhuron farën, nga mbin jeta.
Çfarë bie më shumë në sy, në figurën e këtij “bujku”, është se nuk mendon për të korrat, nuk e kursen farën, por e hedh edhe atje ku e di se toka nuk mund të japë fryt.
Ai është i lumtur vetëm duke mbjellë, sepse “kur jep, gëzimi është më i madh se kur merr” (Vap 20,35).








All the contents on this site are copyrighted ©.