2014-06-23 17:23:06

Irak: në Mosul shtatorja e Zojës shkatërrohet nga islamistët


Kryeipeshkvi kaldeas i Mosulit, imzot Amel Shamon Nona pohon, për agjencinë Fides, se kryengritësit sunnitë, që morën nën kontroll qytetin, shkatërruan shtatoren e Zojës së Bekuar, duke shtuar se tani për tani nuk janë të vërteta zërat, që flasin për një taksë, imponuar të krishterëve të Mosulit nga islamistët e Shtetit Islamik të Irakut e të Lindjes. Një shtatore e Zojës, pohon ipeshkvi Nona, u shkatërrua nga elementë islamistë, që e hodhën nga këmbanarja e Kishës kaldease të Zojës së Papërlyer. Shenjtërorja mariane është vend kulti shumë i ndjekur nga besimtarët, shton imzot Nona, e gjatë lëvizjes nga vendi dhe shkatërrimit të shtatores së Marisë, brendia e Kishës nuk u dhunua. Nuk është shtatorja e vetme, që u thye në qyteti. Në valën e sulmit ikonoklast të islamistëve të Mosulit e të Veriut të Irakut, këtë fat patën edhe shtatore të tjera, si ajo kushtuar Mullah Osman Mysliut e poetit Abu Tammam.
Kryeipeshkvi kaldeas i Mosulit, tani për tani, nuk i konfirmon zërat, që qarkullojnë lidhur me “taksën personale” vënë të krishterëve mosulas nga milicët islamistë. Burime të ndryshme pohojnë se në qytet tashmë kanë mbetur tepër pak të krishterë, shumica, të moshuar. Imzot Nona, edhe ai i ikur në fshatin Tiklif, pohon: “Disa nëpunës publikë të krishterë janë njoftuar tashmë se nuk duhet të rikthehen në vendet e tyre të punës, duke u thënë haptas se i përkasin pakicave”. Natyrisht gjendja vijon të keqësohet, gjë që ngjall shqetësim. Por, pohon kryeipeshkvi kaldeas, shikoj edhe se kushtet e jetesës së të krishterëve, gjithnjë më shpesh bëhen objekt propagande. Manupulim i rrezikshëm, ky, edhe për vetë të krishterët: flasin për ne, po në të vërtetë, me qëllime krejt të tjera.Në një intervistë televizive, ministri irakian për të drejtat e njeriut, Mohamad Shia al Sudani, i akuzoi milicët sunnitë të Isil për kryerjen e krimeve të shëmtuara mbi popullsinë e Fushës së Ninives, ku u kallën flakën kishave, u vunë taksa bashkësive të krishtera e dhunuan gratë e krishtera, disa nga të cilat, pohoi ministri, përfunduan me vetvrasje, pas pësimit të dhunës.







All the contents on this site are copyrighted ©.