Françesku: t’i duam të tjerët pa masë. Tortura është mëkat mortar
Eukaristia na tregon se “masa e dashurisë së Zotit, është të duash pa masë”. E pohoi
Papa Françesku në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën
Pjetrit, në praninë e mijëra njerëzve. Papa e përqendroi reflektimin tek solemniteti
i sotëm i Corpus Domini, e më pas, ngriti me forcë zërin kundër torturës, duke e dënuar
vendosmërisht e duke kujtuar viktimat e saj, në qendër të Ditës së OKB-së, më 26 qershor.
Korp “i thyer”
për dashuri të të tjerëve, siç ishte Korpi i Krishtit, i cili nuk i dhuroi njerëzimit
“diçka”, por ‘vetveten’. Kjo është thirrja më e njëmendtë e të krishterit, që lind
nga Eukaristia. Bashkimi me Korpin e Krishtit, pohoi Papa Françesku, e shndërron plotësisht
njeriun, e nxit t’i përngjajë Krishtit, që theu, në trajtën e bukës, vetë korpin e
Tij. T’i përngjash Krishtit, për të krishterin, do të thotë të sillet bujarisht me
të afërmin, ta ‘thyejë’ në sofrën e jetës, vetveten, për t’ua ndarë të tjerëve: “Sa
herë marrim pjesë në Meshë e ushqehemi me Korpin e Krishtit, prania e Jezusit dhe
e Shpirtit Shenjt në ne nis e vepron, i jep trajtë të re zemrës sonë, na dikon sjellje
shpirtërore, që kthehen, pastaj, në sjellje sipas Ungjillit. Në mënyrë të posaçme,
na dikon bindjen ndaj Fjalës së Zotit, pastaj frymën e vëllazërimit ndërmjet nesh,
guximin e dëshmisë së krishterë, fantazinë e dashurisë së krishterë, aftësinë për
t’u dhënë shpresë të pashpresëve, për t’i pritur me krahë hapur të përjashtuarit nga
radhët e shoqërisë”. Kështu fiton pjekurinë e vet stili i jetës së krishterë.
Eukaristia ushqen zemrën, e zemra zgjerohet! Është shujtë, që të bën të aftë të duash
jo sipas masës, gjithnjë të kufizuar, njerëzore, por sipas masës së Zotit: “E
cila është masa e Zotit? Masa e Zotit është pa masë. Gjithçka! Gjithçka! Gjithçka!
Nuk mund të matet dashuria e Hyjit! Është e pamasë! E atëhere bëhemi të aftë ta duam
edhe atë, që nuk na do: e kjo nuk është aspak e lehtë, eh? Të duash kë s’të do! Nuk
është e lehtë! Ngaqë, kur e dimë se ndokush s’na do, edhe ne na lind vetvetiu dëshira
për të mos e dashur. Apo jo? Duhet ta duam edhe atë, që nuk na do!”. Buka e
thyer për dashuri, vijoi Papa Françesku, i kundërvihet së keqes me mirësi, fal, ndan
me të tjerët të mirë e të vështirë, mikpret. E zbulon, kështu, gëzimin e vërtetë,
atë të dhurimit të vetvetes, si shkëmbim për dhuratën e madhe, që e morëm të parët,
pa asnjë meritë: “E bukur kjo! Jeta jonë bëhet dhuratë! Kjo do të thotë t’i
përngjash Jezusit. Dëshiroj të kujtoj këto dy gjëra. E para: masa e dashurisë së Zotit
është të duash pa masë. E qartë kjo? E jeta jonë, me dashurinë e Krishtit, duke marrë
në zemër Kungimin Shenjt, bëhet dhuratë. Siç ishte jeta e Jezusit. Mos i harroni këto
dy gjëra: masa e dashurisë së Zotit, është të duash pa masë. E, duke ecur pas Jezusit,
ne, me Eukaristinë, e bëjmë jetën tonë dhuratë”. E, pas lutjes së Engjëllit
të Tënzot, Papa foli për trupa të copëtuar, jo për dashuri! Për shkak të ushtrimit
të tmerrshëm të dhunës njerëzore. Kujtoi, kështu, viktimat e torturës, në Ditën e
tyre kushtuar nga OKB-ja, që do të kremtohet më 26 qershorin e ardhshëm. E përsëri,
Papa ngriti fort zërin nga dritarja e Pallatit Apostolik, për ta dënuar këtë plagë
të tmerrshme, që vijon të copëtojë trupa e jetë njerëzore: “Në këtë rrethanë,
ridënoj me forcë çdo formë të torturës dhe i ftoj të krishterët të impenjohen për
ta zhdukur e për t’i ndihmuar viktimat dhe familjarët e tyre. T’i torturosh njerëzit
është mëkat mortar! Mëkat tejet i rëndë!”.