2014-06-20 18:35:39

Papa: të papranueshme persekutimet për fe. Dhimbje për të krishterët


Liria fetare është e drejtë themelore, e lidhur ngushtë me dinjitetin njerëzor. Njëkohësisht, edhe tregues i demokracisë së vërtetë e i ligjshmërisë së Shtetit. Prej këndej, nuk mund të kuptohet vijimi i persekutimeve dhe i luftërave, në emër të fesë, nëpër botë. Kështu u shpreh sot Papa, duke pritur në audiencë pjesëmarrësit në një takim ndërkombëtar kushtuar lirisë fetare, që vijon në universitetin Lumsa, në Romë. Fjalë të forta, ngarkuar me dhimbje, posaçërisht për martirët e krishterë.

Çdo njeri është kërkues i së vërtetës mbi zanafillën e vet, mbi fatin e vet, mbi historinë e vet. Pyetjet, që i lindin në thellësinë e shpirtit, të domosdoshme, sepse në vetë natyrën e njeriut, janë me karakter fetar, shpjegoi Papa, e kanë nevojë për liri fetare, që të shprehen plotësisht:
“Liria fetare nuk është vetëm ajo e mendimit a e kultit privat. Është liri për të jetuar sipas parimeve etike, që pasojnë të vërtetën e gjetur, si privatisht, ashtu edhe publikisht. Kjo është një nga sfidat e mëdha të botës së globalizuar, ku niveli i ulët i mendimit, e ul edhe nivelin etik të përgjithshëm e, në emër të konceptit të rremë mbi tolerancën, nis persekutimi i atyre, që mbrojnë të vërtetën mbi njeriun e pasojat e saj etike”.
Por liria fetare ka edhe reflekse shoqërore e politike e, nëse pasqyrohet në Kushtetuta e në ligje, kujtoi Papa, favorizon zhvillimin e marrëdhënieve të respektit reciprok ndërmjet konfesioneve si dhe bashkëpunimin e plotë me shoqërinë, pa ngatërruar rolet e pa krijuar kundërvënie:
“Institucionet juridike, shtetërore ose ndërkombëtare janë të thirrura ta njohin, ta garantojnë e ta mbrojnë lirinë fetare, e drejtë e pamohueshme, që lidhet me vetë natyrën e njeriut, me dinjitetin e tij, si qenie e lirë, e është jo më pak, edhe tregues i një demokracie të vërtetë si dhe burim kryesor i ligjshmërisë së Shtetit”.
Prandaj duket i pakuptueshëm e shqetësues, shtoi Françseku, fakti që edhe sot e kësaj dite në botë të vijojë persekutimi i njeriut, që e praktikon publikisht fenë e vet:
“E papranueshme, që të vijojnë deri persekutimet e mirëfillta për shkak të përkatësisë fetare! Kjo e plagos arsyen, e cënon paqen, e poshtëron dinjitetin e njeriut”.
Natyrshëm, vëmendja e Papës shkoi tek të krishterët, 1700 vjet pas Ediktit të Konstandinit, që u siguroi lirinë fesë të gjithëve:
“Për mua është dhimbje e madhe të konstatoj se të krishterët në botë pësojnë numrin më të madh të këtyre diskriminimeve. Persekutimi kundër të krishterëve sot është edhe më i fuqishëm sesa në shekujt e parë të Kishës, e në këtë epokë ka shumë më tepër të krishterë martirë, sesa në atë epokë”. Uroj, u tha Papa të pranishëmve, që me ditët tuaja të studimit, të jepni ndihmesën për shpjegimin më të thellë të arsyeve, që e detyrojnë çdo institucion juridik ta mbrojë lirinë fetare.







All the contents on this site are copyrighted ©.