2014-06-20 17:53:26

Kryeipeshkvi i Mosulit: “Lufta nuk i zgjidh problemet”


“Në fshatrat e fushës së Ninives, që kanë strehuar një pjesë të popullsisë së ikur nga Mosuli, gjendja keqësohet nga dita në ditë. Që prej dy ditësh mungojnë uji e drita elektrike. Nis të ndjehet edhe mungesa e karburantëve. E mbrëmë një pjesë e Mosulit u bombardua, duke i dhënë shkas ikjes në masë të civilëve”. Flet kështu, kryeipeshkvi kaldeas i Mosulit, imzot Amel Shamon Nona, i cili përshkruan, për agjencinë Fides, keqësimin e vazhdueshëm të kushteve të jetesës së popullsisë, pas sulmit të milicëve të Shtetit Islamik të Irakut e të Lindjes, që e shtinë në dorë qytetin.
Dje të gjitha bashkësitë kaldease të botës morën pjesë në Ditën e lutjes dhe të agjërimit për paqen në Irak, shpallur nga patriarku Louis Raphael I Sako. Këtu, në fshatin Tilkif, pohon imzot Nona, u lutëm me fëmijët e familjet, duke i lypur Zemrës së Shenjtnueshme të Jezu Krishtit ta ruajë paqen edhe në zemrat tona e të na i mbrojë gjithë bashkatdhetarët nga dhuna e nga lufta.
Përsa i përket hamendjeve mbi ndërhyrjet e mundshme ushtarake të fuqive të huaja në rrethanat e trazuara, që po jeton Iraku, kryeipeshkvi kaldeas i Mosulit kujton: “Këtu, në Irak, e kemi parë disa herë se lufta dhe ndërhyrjet ushtarake nuk i zgjidhin aspak problemet. Heret a vonë shpërthejnë përsëri, edhe më egërsisht. Duhet durim, duhet gjetur një gjuhë e përbashkët, duhen siguruar mjetet e dialogut, me pjesëmarrjen e të gjithë irakianëve”.Ndërkaq në fushën e Ninives, skuadra të Unicef-it po studiojnë situatën, për të ndërmarrë, më pas, nisma në ndihmë të fëmijëve e të të rinjve, që po ikin nga zonat e konfliktit. Në zyrën e Unicef-it në Erbil, punojnë më se 50 vetë, që po i kushtojnë vëmendje të veçantë mbrojtjes së fëmijëve, sidomos të bashkësive, që përfaqësojnë pakicat e që lihen prej kohe në mëshirën e fatit. Pa këtë ndihmë, për ta nuk mbetet rrugë tjetër, veç ikja nga shtëpitë e tyre, pohon, për agjencinë Fides, mjeku italian Marcio Babile.







All the contents on this site are copyrighted ©.