2014-06-20 14:26:42

Komisariati i Lartë i OKB-së për Refugjatët: për herë të parë pas 1945-ës, arrijnë në mëse 50 milion


Për herë të parë që nga fundi i Luftës II Botërore, numri i refugjatëve në vitin 2013 kapërceu kuotën e 50 milion vetëve. Kjo është shifra, që spikat në raportin vjetor të Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, në Ditën Botërore kushtuar atyre, e cila u kremtua sot. Rritja masive e vitit të fundit rrjedh kryesisht nga lufta në Siri, e cila, në fund të vitit të kaluar, kishte detyruar tashmë 2,5 milion njerëz të ktheheshin në refugjatë e 6,5 milion të tjerë, në të shpërngulur të brendshëm.
“Jemi dëshmitarë të kostove stratosferike, që rrjedhin nga luftra pa fund dhe nga fakti se nuk arrijmë t’i zgjidhim, ose t’i parandalojmë konfliktet – deklaron Komisari i Kombeve të Bashkuara, Antonio Gutjerrez. Rrezikshëm, paqja sot është e vështirë të arrihet. Personeli humanitar mund të jetë ilaç i përkohshëm, por zgjidhjet politike janë me rëndësi jetësore. Pa to, nivelet shqetësuese, arritur për shkak të konflikteve e të vuajtjeve në masë, që pasqyrohen nga këto shifra, janë të destinuara të rriten”.
Në tërësi, afganët, sirianët dhe somalët, përbëjnë mëse gjysmën e refugjatëve në nivel botëror, ndërsa vende si Pakistani, Irani e Libani janë më mikpritësit e botës, pasi kanë strehuar numrin më të madh të refugjatëve. Papa Françesku, gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës, bëri thirrje për t’i ndihmuar, duke kujtuar se edhe Jezusi ka qenë refugjat.







All the contents on this site are copyrighted ©.