2014-06-20 16:19:54

Françesku: jo drogave, po edukimit e punës për të rinjtë


Droga është shuplakë, që mban në këmbë një treg të turpshëm, e prandaj e pohoj përsëri atë, që kam thënë edhe në raste të tjera: “Jo, çdo tipi të drogës!”. Thjesht, duke përfshirë çdo formë të ligjësimit. Ky pohim ishte zemra e fjalimit, që Papa Françesku u drejtoi anëtarëve të International Drug Enforcement Conference (Konferencës Ndërkombëtare për ndalimin e drogës), të cilët i priti sot në audiencë.RealAudioMP3

Me drogën nuk ka fjalë të tepërta, nuk i duhet bërë asnjë lëshim, sepse nuk ka asgjë të mirë. S’bën tjetër, veçse t’ia shuajë trurin dhe zemrën atij, që shpreson të ndizet e të gëzojë, kështu, ca çaste të këndshme, pak a shumë të gjata, pak a shumë të përsëritura. Papa Françesku ia mbylli rrugën, në të gjitha drejtimet, si përdorimit të drogave, shuplakë për njerëzimin, që vijojnë të përhapen në forma e përmasa tronditëse, siç pohoi në krye të fjalës së tij, ashtu edhe trafikut të drogës, që e ushqen. Tregun e drogës Papa e quajti ‘treg i turpit’,’treg tragjik’, që i kapërcen kufijtë kombëtarë e ndërkombëtarë, duke kafshuar për vdekje viktimat më të pambrojtura, të rinjtë dhe adoleshentët.
Françesku shprehu dhimbjen e thellë, e jo më pak, shqetësimin atëror, por edhe theksoi me forcë të madhe një koncept, me vlera përgjithësuese:
“Droga nuk mundet me drogë! Droga është një e keqe, e me të keqen nuk mund të ketë lëshime, as kompromise. Mendimi se mund të kufizohet dëmi, duke lejuar përdorimin e ilaçeve psikike nga ana e njerëzve, që vijojnë ta përdorin drogën, nuk çon në zgjidhjen e problemeve. Ligjësimi i të ashtuquajturave ‘droga të lehta’, edhe të pjesëshme, përveçse është i diskutueshëm në planin ligjor, nuk sjell efektet e pritura”.
As drogat zëvendësuese, vërejti Papa, nuk janë mjekim i mjaftueshëm, por vetëm mënyrë e maskuar për t’u dorëzuar përballë këtij fenomeni. Prej këndej, përsëritja, pa lojëra fjalësh, e një bindjeje të Papës:
“Jo, çdo tipi të drogës! Thjesht. Jo çdo tipi të drogës! Por për ta thënë këtë ‘jo’, i duhet thënë po jetës, po dashurisë, po të tjerëve, po edukimit, po sportit, po punës, po burimeve më të shumta të punësimit; mendojeni një të ri të rrethuar me 'jo' e 'as'. As studim, as punë. Kjo do të thotë mungesë horizonti, mungesë shprese, gjë që ia hap natyrshëm rrugën vartësive të ndryshme, ndërmjet të cilave, vartësia nga droga! Burimi i punës, edukimi, sporti, jeta e shëndetshme: kjo është rruga për parandalimin e drogës”.
Nëse do të realizohen këto ‘po’, shtoi Papa, nuk do të ketë më vend për drogën, nuk do të ketë vend për shpërdorimin e alkoolit e vese të tjera. E pikërisht për ta përhapur e për t’i dhënë forcë këtij rrethi virtuoz, kujtoi më pas, punon gjithnjë Kisha, përmes veprimtarëve të saj e vullnetarëve, përherë pranë atyre, që kanë humbur rrugën, që janë rrëmbyer nga vorbulla e drogës e që kërkojnë të rilindin e ta rifitojnë dinjitetin e humbur. E megjithatë, shtoi me dhimbje Françesku, e gjithë kjo nuk mjafton:“Duhet punuar për parandalimin. Kjo do të bëjë shumë mirë. Shembulli i të rinjve që, duke dëshiruar të dalin nga vartësia e drogës, impenjohen në rindërtimin e jetës së tyre, është nxitje për ta shikuar plot besim ardhmërinë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.