51-vjetori i zgjedhjes së Papës Pali VI në fronin e Shën Pjetrit
Nesër, 21 qershor, Kisha Katolike përkujton 51-vjetorin e zgjedhjes së Papës Pali
VI në fronin e Shën Pjetrit. Gjon Baptist Montini lindi në Konçesio të Breshës, më
26 shtator 1897 e u zgjodh si papa i 262-të i Kishës, më 21 qershor 1963. Pas shën
Gjonit XXIII, qe ai që e çoi deri në fund Koncilin II të Vatikanit. Të shumta, reformat
dhe risitë, që solli Pali VI në strukturat dhe në jetën e Kishës. Ndër to: themelimi
i Komisionit Papnor për Komunikimet Shoqërore (11 prill 1964); themelimi i Sekretariatit
për jo të krishterët (19 maj 1964); themelimi i Sekretariatit për jo besimtarët (9
prill 1965); themelimi i Sinodit të Ipeshkvijve (15 shtator 1965); reforma e Zyrës
Shenjte (7 dhjetor 1965); themelimi i Këshillit për laikët dhe e Komisionit Papnor
“Iustitio et pax” (6 qershor 1967); themelimi i Prefekturës për punët ekonomike të
Selisë së Shenjtë, i Prefekturës së Shtëpisë Papnore dhe i Zyrës qendrore të statistikave
të Kishës (15 gusht 1967); themelimi i Ditës Botërore të paqes (8 dhjetor 1967); themelimi
i Xhakojve të Kapelës Papnore dhe i Konsultës së Shtet-Qytetit të Vatikanit (28 mars
1968); themelimi i Komisionit teologjik ndërkombëtar (11 prill 1969); rregullorja
e re e Zyrës së Ceremonive Papnore (1 janar 1970); shpërndarja e Trupave të armatosura
Papnore, me përjashtim të Rojes Zvicerane (15 shtator 1970); themelimi i Këshillit
Papnor “Cor Unum” (15 korrik 1971); themelimi i Komisionit Papnor për rishikimin e
Kodit të së Drejtës Kanonike Lindore (10 qershor 1972). Pali VI qe edhe Papa i parë
që e përdori avionin në udhëtimet e shumta jashtë shtetit dhe brenda Italisë. Në veçanti,
përmendim udhëtimin në Tokën Shenjte (4-6 janar 1964), gjatë të cilit u takua me Patriarkun
ortodoks Atenagora dhe udhëtimin në Nju Jork (5-5 tetor 1965), ku vizitoi selinë e
OKB-së. Ndër Enciklikat, kujtojmë në veçanti, “Populorum progressio” (26 mars 1967)
kushtuar zhvillimit të popujve dhe, “Humanae Vitae” (25 korrik 1968), kushtuar martesës
dhe parashikimit të lindjeve. Papa Pali Vi vdiq në Kastelgandolfo më 6 gusht 1978.
U shpall i nderuar nga Benedikti XVI , i cili, më 20 dhjetor 2012 i njohu zyrtarisht
“virtytet heroike”. Më hollësisht për Papën Montini, artikulli i mëposhtëm i don Lush
Gjergjit, vikar i përgjithshëm i Kosovës. Papa Pali VI (1897 –
1978) „Jua thashë këto që ta
keni paqen në mua. Në botë keni vuajtje, por mos u trembni - unë e munda botën!”
(Gjn 16, 33)
„Vërtet Zoti na ka ftuar ne për vepra të mëdha. Ai dëshiron që ne
ta bartim në botë fenë, pajtimin, paqen… Ungjillëzimi i botës mund dhe duhet të jetë
tharëm për zhvillimin e gjithmbarshëm të njeriut; mirëpo, është edhe më tepër se kjo…
Kisha e di se është farë, tharmë, kripë dhe dritë e botës… Dialogu i hapur, siç e
dëshirojmë ne, objektiv, të drejtë, të ndershëm…përjashton mashtrimin, dredhitë, rivalitetet,
tradhtitë.“ (Papa Pali VI)
Giovanni Battista Montini u lind në Concesio (Brescia) në vitin
1897, në një familje të mirë intelektuale katolike, besimtarë të angazhuar në veprimet
baritore të Kishës. U bë meshtar në vitin 1920. Më pas vazhdon studimet dhe doktoron
në filozofi, drejtësinë kishtare dhe atë civile. Pastaj ndoqi edhe disa seminare në
Akademinën Papnore për diplomat të Selisë së Shenjtë. Ishte intelektual i dalluar,
shumë i ngritur dhe mendimtar i thellë, kështu që tërë jetën punoi rreth kulturës
së përgjithshme njerëzore dhe asaj të krishterë. Dëshiroi t’i kushtohet
pastoralit famullitar, shërbimit të përvuajtur meshtarak, mirëpo planet e Zotit ishin
tjera. Gati menjëherë pas përfundimit të studimit qe dërguar në Poloni, në Varshavë,
në Nunciaturën Apostolike. Pas kësaj përvoje diplomatike qe ftuar në Sekretariatin
Shtetëror të Vatikanit. Në këtë punë askurrë nuk qe udhëheqës i ndonjë seksioni, por
meshtar i vërtetë dhe, sa herë që e kishte të mundur, është angazhuar me shumë gëzim
në pastoral, në veçanti me rini, në rrëfime, predikime, në takime me botën e thjeshtë
e të varfër. Gjatë Luftës së Dytë Botërore i ndihmonte të mjeruarve, mori
pjesë në kërkimin e personave të zhdukur, të lajmeve dhe ndihmës për të gjithë, në
shpëtimin e të plagosurve dhe të rrezikuarve. Tashmë në Romë ishte familjarizuar mirë
në punët diplomatike dhe pastorale, gati në studimet e përhershme, ku kishte krijuar
shumë njohje dhe miqësi. Si njeri i mendimeve, studimit, leximit, brendësisë,
kulturës, përvujtërisë dhe thjeshtësisë, pakëz i mbyllur dhe përmbajtur në veti, shumë
i sofistikuar, i dashuruar në filozofi dhe teologji, krijoi rrethin e vet të miqve
dhe të njohurve.
NJERI I KISHËS DHE KULTURËS
Atë Hämingu për te thotë: “Ka pak njerëz të Kishës që kanë lexuar aq sa Pali VI.”
Deri sa lexonte, ai meditonte, nënvizonte shprehjet, mendimet, përmbajtjet e rëndësishme.
Sipas dëshmisë së kardinalit Sergjo Pigndollit ai kishte në duar katër vëllime dorëshkrimesh
të ushtrimeve të tija shpirtërore. Ishte shumë i dhënë pas jetës së përshpirtshme,
në meshtari. Pas përfundimit të punës ditore në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit,
thuajse gati rregullisht, çdo mbrëmje lexonte, shkruante, përkthente, përgatiste predikimet,
takimet, u informonte në përgjithësi mbi ngjarjet në Kishë dhe në botë. Kishte njohuri
të mira në shumëçka, thuajse gati në gjithçka. Në dialogim me të tjerët dinte të dëgjonte,
të mësonte, të këshillonte. Mbi të gjitha përcolli jetën e Kishës në pjesë të ndryshme
të botës. Giovanni Battista Montini ishte njeri i „kulturës meditative“,
siç thoshte atë Dezza, dhe pikërisht për këtë si papë kishte dëshirën e përhershme
për dialog konstruktiv me kulturën bashkëkohore, me Kishat e ndara, me të gjitha religjionet
e botës. Mbi të gjitha ishte njeri i Zotit, apo siç thoshin disa miq të
tij, “miku i Zotit”, meshtar i vërtet, i kushtuar Hyjit, Kishës, në të mirë dhe shërbim
të gjithëve. E donte thirrjen meshtarake dhe e jetoi besnikërisht, me përkushtim dhe
gëzim të plotë. Sipas bashkëpunëtorit dhe miku të tij të ngushtë; kard.
Sergjo Pignedollit, figura e papës Palit VI nuk mund të përshkruhet, sepse ishte jashtëzakonisht
i pasur shpirtërisht, jashtë çdo kornize dhe shembulli. E donte dhe nderonte çdo njeri
dhe me entuziazëm ishte interesuar për fatin e njeriut dhe njerëzimit. Kishte dëshirë
të thoshte se Kisha, të gjithë ne, duhet të jemi “ekspert në njerëzi!”.
Shpeshherë të tjerët nuk e kanë kuptuar sa duhet, ose e kanë keqkuptuar dhe interpretuar
gabimisht. Ai e ka bartë edhe atë kryq gati gjatë tërë jetës së tij, dhe nuk është
mbrojtur, arsyetuar…
NGA SEKRETARIA E SHTETIT - ARQIPESHKËV I MILANOS
Montini ishte i befasuar, me emërimin për arqipeshkëv të Milanos, një ndër ipeshkvijtë
e rëndësishme të Italisë dhe të botës, në zemrën e industrisë dhe pasurisë së Italisë
veriore. Shumëkush ka menduar, ndoshta edhe ka thënë: “Diplomati Vatikanas – arqipeshkëv
i Milanos!?” Ai kurrë nuk aspiroi për lavd apo pozitë të lartë kishtare, mirëpo ishte
njeri i përgatitur për të zbatuar vullnetin e Hyjit, ishte i dëgjueshëm ndaj Kishës.
Pranoi detyrën e re si të rëndë, delikate dhe kërkuese, mirëpo njëkohësisht edhe si
dërgim të madh, duke llogaritur mbi të gjitha në ndihmën e Hyjit. Si
arqipeshkëv së shpejti filloi punën pastorale me stil të ri dhe kujdesin e veçantë
për familje, punëtorë, për rini, për njerëzit e kulturës, për “Aksionin Katolik”,
për solidaritet me të varfër. Shpeshherë e me kënaqësi vizitonte famullitë
e qytetit të Milanos, periferinë, për të parë – njoh – përjetuar personalisht kushtet
e jetës, për t’u takuar me njeriun – besimtarin konkret në mesin e tij të jetës dhe
të punës. Bashkëpunëtorëve të vet iu thoshte:” Bota është larg Zotit, Kishës. Për
këtë është detyra e jonë t’ia afrojmë Zotit dhe Kishës me shembullin tonë, me kujdesin
tonë pastoral, me çiltërinë tonë ndaj të gjithëve. Vetëm dashuria do të tregojë rrugën
e vërtetë për të arritur deri te njeriu i sotëm, pavarësisht se ku ai jeton, punon,
mëson, deri te njeriu konkret…”. Shumëkush, duke parë angazhimin e tij
të gjithanshëm në veprimtaritë pastorale, në kërkim të rrugëve dhe strategjive të
reja të botës industriale dhe postindustriale, thoshin se është “kthyer” “Schusteri
i dytë ”, duke aluduar në paraardhësin e madh të Montinit, një figurë e madhe dhe
shenjtë e Kishës së Milanos. Kështjella themelore e kardinal Giovanni
Battiste Montinit, ishte dashuria ndaj Zotit dhe të afërmit, apo, siç thoshte ai:
“dija për të dashur” për të “mos mbetur të përjashtuar dhe të vetmuar”. Me një rast
u foli miqve të tij në Milano mbi vuajtjen e vetmisë dhe të vetmuarit, që ndonjëherë
din të shndërrohet edhe në “momente ankthi”. Gjatë një bisede me Pignedollin në vitin
1962 ai tha: “Unë gjithë e më tepër po ndihem i vetmuar, gjithë e më tepër ndiej i
braktisur nga njerëzit, sepse këta miq (fliste për miqtë e tij të vdekur, vr.ime)
më ishin sikur urë.”
PALI VI – APOSTULLI I RI I BOTËS
Pas vdekjes së papës Gjonit XXIII, në një konklavë mjaft të shkurtër qe zgjedh për
Papë kardinal Giovanni Battista Montini (21 mars 1963). Mori emrin Pali VI për t’i
përngja sa më tepër apostullit të madh të popujve, Shën Palit. Menjëherë
pas zgjedhjes, tha: “Pjesa më e mirë e pontifikatit tonë do të jetë kushtuar vazhdimit
të Koncilit të Dytë të Vatikanit, nga i cili të gjithë njerëzit vullnetmirë presin
shumë… Paqa nuk është vetëm mungesa e luftës, por jeta në drejtësi dhe në dashuri…
Kujdesi ynë pastoral do të jetë i drejtuar kah vazhdimi i veprës së madhe të paraardhësit
tonë të madh Gjonit XXIII – arritja e bashkimit.” Pali VI tentoi që me
vazhdimin e Koncilit në të gjitha mënyrat t’i shërbente Zotit, Kishës Katolike, gjitha
Kishave të krishtera, botës mbarë. Përmes veprimtarive të ndryshme baritore, enciklikave,
përmes takimeve dhe dëshmisë dëshironte të jetë, dhe ishte Urë – Urëndërtues – Pontifex
mes Zotit dhe njerëzve, mes Kishës – Kishave dhe botës. Shpeshherë ishte
i lënë pasdore, i braktisur, sulmuar, i përjashtuar, i keqkuptuar dhe keqinterpretuar…Me
dhimbje të madhe në zemër thoshte: “Ne shikojmë botën me simpati të madhe, mirëpo
fatkeqësisht, bota këtë nuk po e vëren.” Vuante për dashurinë ndaj të
së vërtetës, për njeriun, për Kishën, të cilën e deshi aq shumë me tërë qenien dhe
afshin e vërtetë të tij. Kisha është Nënë dhe Mësuese e të së Vërtetës
së shpallur, e dhuruar jetës, dashurisë të cilën duhet dhuruar të gjithëve, siç e
shprehu Pali VI në enciklikën “Ecclesiam suam”, duke i dhënë Kishës drejtim, program,
lartësim shpirtëror, si model njerëzor të cilin duhet kultivuar në dimensionet e
gjithmbarshme dhe për të mirën e të gjithë njerëzve. Pikërisht për këtë, shumëkush
atë e ka definuar si “Papa i dialogut”.
DIALOGU SI DËRGIM
Për të pasur mundësi që të zhvillohej sa më mirë ky dërgim i madh, i dialogut mes
të krishterëve të përçarë dhe të ndarë, si dhe mes feve të ndryshme në botën e sotme,
në mënyrë sistematike dhe të vazhdueshme, Papa Pali VI themeloi “Sekretariatin për
Jobesimtarë”, “Sekretariatin për Bashkimin e të Krishterëve”, si dhe Justitia et Pax,
Cor unum, Sinodin Ipeshkvor, dhe po ashtu zgjeroi edhe kolegjin e kardinajve.
Ai udhëtoi thuajse në të gjitha pjesët e botës, që të nxiste dhe përhapte dialogun,
që ta bënte Kishën sa më të pranishme në botë, që të “forconte vëllezërit në fe”.
Dialogu përbëhet në promovimin e vetëdijes, nderimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellët
kudo të jetë e mundur kjo, për të pasur mundësinë që bashkërisht ta realizojmë një
botë më të drejtë dhe më të mirë. Në hapjen e pjesës së dytë të Koncilit
tha: “Çka na përket neve, ne jemi të gatshëm për faljen e çdo lloj gabimi apo lëndimi,
por edhe të kërkojmë falje. Ati ynë qiellor le ta pranojë në mirësinë e tij këtë deklarim
dhe në mes nesh le të mbretërojë paqja vëllazërore… Neve edhe më tutje do të punojmë
për të dhënë shembull të mirë të jetës dhe dashurisë së krishterë. Edhe nëse ngjarjet
nuk do të mund t’i përgjigjen pritjeve tona, ne do të ngushëllohemi me fjalët e Zotërisë:
“s’ka gjë të pamundshme për Hyjin” (Lk 1, 37). Për Dashurinë asgjë nuk
është e pamundur. Për këtë Pali VI thoshte: “Le të hapen kufijtë e dashurisë… Ne do
t’i duam të gjithë me dashurinë e Zemrës së Jezusit.”Në kërkim të paqes, të ballafaqimit
me problemet e botës së sotme, në kërkim të bashkimit mes të krishterëve dhe në dialog
me të gjitha religjionet, ishte i palodhshëm. Publikoi enciklikat: Ecclesiam suam,
Mens maior, Mysterium fidei, Populorum progressio, Sacerdotalis coelibatus, Humanae
vitae, Evangelium muntiandi. Themeloi Ditën Ndërkombëtare të Paqes, më
1 janar për çdo vit: ishte shumë i angazhuar rreth Vitit të Shenjtë 1975 me kremtime
të ndryshme nacionale dhe ndërkombëtare. Dashuria për njeriun konkret,
për Kishën e Krishtit, ishte kontributi i tij i madh. Patriku Ekumenik Atenagora I
e përshkoi atë si “Pali II”, pas Shën Palit, apostullit të botës. “Pontifikati
15 vjeçar i papës Palit V, nuk ishte i lehtë, sikur as problematika bashkëkohore e
botës dhe Kishës” kështu vlerësoi një gazetar i të përditshmes “Il tempo”.
Për lëvizjen ekumenike Pali VI thoshte: “Askurrë nuk do të lodhemi së foluri se rruga
të cilën duhet kaluar është e gjatë dhe e rëndë.” Kardinali Franz König,
arqipeshkvi i famshëm i Vjenës, duke vlerësuar pontifikatin e Palit VI tha: “Ishte
njeri i zhvillimit e jo revolucionit, njeri i përparimit, e jo i ngutësisë së verbër…
Ai ishte Papë ekumenik, por mbi të gjitha Papë i paqes. Si i tillë, do të hyjë në
histori papa Pali VI”. Atenagora I tha: “Unë papën Pali VI e quajta Pali II, për
të pasur mundësi ta krahasoja me Apostullin (mendon në Shën Palin, vr.ime). Të dy
ishin shtegtarë dhe lajmëtarë të Ungjillit të gjithë popujve… Ai është profet i madh
i së ardhmes… Unë isha gjithmonë afër papës Palit VI…”. Pali VI, vuajti
shumë, shkaku i përndjekjeve brutale të të krishterëve në vendet komuniste të Lindjes.
Bashkë me kardinalin Agostino Casarollin, ishte krijues i Ostpolitikës (politikës
Lindjes, Ost=Lindje), që do të thotë i politikës së dialogut edhe me regjimet komunisto-ateiste,
me qëllim që të krijohet së paku një hapësirë minimale e lirisë për Kishën e heshtjes.
Për shkak të këtij disponimi. guximi dhe kujdesi të përhershëm të tij, disa e quajtën
“Papa i të drejtave të njeriut”. Do të mbes në histori vizita e tij baritore
Indisë (1964), me rastin e Kongresit Eukaristik. Në përfundim të kësaj vizite, Papa
i dhuroi automjetin personal të tij Nënës Tereze, në shenjë nderimi, përkrahjeje dhe
dashurie për të dhe të varfëritë e saj. Më vonë, e ftoi personalisht në Romë, për
t’ia ndarë Shpërblimin Papa Gjoni XXIII, si dhe për hapjen e shtëpisë së parë për
të pastrehët dhe të varfëritë e Romës. Në Vitin 1965, foli në Selinë e
Kombeve të Bashkuara mbi paqen, çarmatimin, varfërinë, mbi marrëdhëniet e reja ndërkombëtare.
Fjalimin e tij e përfundoi me këto fjalë: “Kurrë më luftë!” Mbi mbrojtjen
e jetës, si dhuratë të Hyjit dhe prindërve, dhe kundër dështimit dhe mjeteve kontraceptive,
publikoi enciklikën „Humanae vitae“, e cila kishte shkaktuar shumë shqetësime, mospëlqime,
bile edhe kritika të hapura edhe përbrenda vetë Kishës. Mirëpo, ai i mbetet besnik
Zotit, Kishës, vetvetes, edhe me çmimin e vuajtjes, shpeshherë i vetmuar dhe i braktisur
nga shumica. Sot, pas një distance kohore, shumëkush në Kishën Katolike, në Kishat
e ndara dhe në botë, përsëri zbulojnë personalitetin e madh të Papës Pali VI, mendimtarit,
njeriut të lutjes, fesë, vuajtjes, guximit, thellësisë teologjike, të dialogut dhe
dashurisë ndaj të gjithëve. Në momentet e errësirës dhe ankthit për Kishën
dhe botën, ai diti të qëndronte pranë timonit të anijes së Pjetrit, të jetë shenjë,
Vëlla, Atë i të gjithëve, pa farë pompoziteti apo popullariteti të rrejshëm, por në
qetësi, uratë, pendesë, që ta drejtonte njerëzimin kah e mira dhe e mbarja. Me tërë
zemrën e tij i shërbeu Zotit, Kishës, botës. Vuajti shumë, mirëpo gjithmonë me dashuri
dhe për dashuri. I qetë pushoi në paqen e Zotit në Castelgandolfo në vitin 1978.
DUKE LUNDRUAR NËPËR KUJTIMET E MIA
Pata rastin dhe kënaqësinë
që personalisht ta takoja Papën Pali VI disa herë. Hera e parë qe me 7 shtator 1969
në Castelgandolfo, në Ditën e Studentëve të Institutit Propaganda Fide. Papa ishte
me ne gjithë ditën, që nga mëngjesi e deri në orët e vona të mbrëmjes. Lozi me ne
tombolë. Foli me ne sikur atë i mirë, kremtoi Eukaristinë me ne dhe për ne. Ishte
sikur “njëri ndër ne”! Kur më prezantoi para Papës rektori i atëhershëm i yni mons.
Jezerniku, Pali VI, më tha: “Jam i lumtur që së fundi edhe studentët shqiptarë mund
të vijnë në Romë për t’u përgatitur për meshtari… E mjera Shqipëri, sa vuan! Guximshëm,
Krishti e ka mundur botën!” Në vitin 1975, kur udhëhoqa grupin e shtegtarëve
të Ipeshkvisë Shkup-Prizren, Papa dëshironte t’na përshëndeste në gjuhën shqipe.
Me këtë rast më tha kështu: “Gjithmonë i kam në zemër Shqiptarët, edhe sot dëshiroj
të jenë afër meje, para syve të mi, që t’iu tregoj dashurinë time.” Dhe pikërisht
ishim në rendin e parë (gjatë Audiencës së përgjithshme, vr. ime) në Sheshin e Shën
Pjetrit, afër Papës. Gjatë viteve të studimeve të mia në Romë (1969-1975),
Papa Pali VI për mua ishte orientim i sigurt, frymëzim i madh, shpeshherë edhe ngushëllim
për Kishën tonë martire. Kishte një buzëqeshje të dhimbshme, ecje të ngadalshme e
të rëndë, sytë të thelluar, zgjeruar, duart e dobëta, trup të plogështuar e të sëmurë…
Por, prapë rrezatonte me shpresë, siguri, me përvujtëri dhe thjeshtësi, dhe qysh në
këtë jetë ofronte “pamjen” e amshimit. Sa herë nga dritarja ime në Kolegjin
Urbanian mbi Gianicolo kam shikuar dritaren e Papës…Deri sa flinte qyteti, në dhomën
e Palit VI deri në orët e vona qëndronte drita e ndezur. Provania e Zotit
ose rastësia deshi që të jem në Romë edhe me rastin e vdekjes së Palit VI (6 gusht
1978). Qysh atëherë kam pasur mundësi të shihja, përjetoja për së afërmi këtë humbje
të madhe. Qyteti i amshuar ishte thuajse i zbrazët, njerëzit ishin të pikëlluar. Secili
dëshironte të komentonte jetën dhe vdekjen e Papës. Jean Guitton duke
analizuar dy papët e fundit shkruante kështu: “Papa Gjoni XXIII ishte pilot, ai i
cili i jepte Kishës krah për të pasur mundësi të fluturimit - të depërtimit në botë.
Ishte ky një guxim, një vepër e rëndësishme dhe profetike. Papa Pali VI kishte detyrë
edhe më të vështirë dhe delikate, të realizonte Koncilin – ta tokëzonte aeroplanin
i cili fluturonte…” Një fjalë e urtë popullore shqiptare, thotë: “Vdekja
gjithçka mbulon, vdekja gjithçka zbulon”. Për Papën Pali VI mund të themi: qysh pas
vdekjes, janë të shumtë ata që zbuluan se ishte i madh, shumë të madh. Shumë njerëz
do të duhet ende ta zbulojnë, kuptojnë, ndjekin.