2014-06-19 15:17:59

Festa e Korpit të Krishtit me Papën. Imzot Forte: Eukaristia e përtërin Kishën


Sot, Kisha Katolike kremton festën e Korpit e të Gjakut të Krishtit. Në orën 19.00, Papa Françesku kryeson meshën në tremen e Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran e pastaj, shkon drejtpërdrejtë, me makinë të mbuluar, në sheshin e Bazilikës së Zojës së Madhe, ku pret mbërritjen e procesionit të Solemnitetit të Korpit të Krishtit. Ky procesion udhëhiqet nga kardinali vikar, Agostino Valini, ndërsa Ati i Shenjtë jep bekimin, në fund të tij.
Papa Françesku e pa të arsyeshme të heqë dorë nga udha e gjatë në këmbë, në rrugën Merulana të Romës, që lidh dy bazilikat. Kujtojmë se më parë, Papa shkonte së bashku me besimtarët, në procesion përgjatë kësaj rruge deri tek Zoja e Madhe. Në prag të impenjimeve të rëndësishme, si udhëtimi për në Cassano allo Ionio në Kalabri, të shtunën, Ati i Shenjtë nuk dëshiron të lodhet tej mase. Gjithashtu, preferoi të mos kalojë me makinë të zbuluar, në mënyrë që vëmendja e besimtarëve të përqendrohej në të Shenjtnueshmin Sakrament, i cili kryeson procesionin.
Për domethënien e Solemnitetit të Korpit të Krishtit (Corpus Domini në latinisht), të dëgjojmë reflektimin e teologut italian, imzot Bruno Forte, kryeipeshkëv i Kieti-Vastos:

Dua të vë në dukje dy aspekte. I pari: festa e Korpit të Krishtit është festë e materies së prekshme, e trupit, e mishit. Fakti që Biri i Zotit u mishërua dhe deshi të na lerë dhuratë praninë e Tij reale në bukën e verën e Eukaristisë është vlerësim i jashtëzakonshëm i përmasës trupore, të prekshme të ekzistencës në histori e të ekzistencës njerëzore, në veçanti. Aspekti tjetër është se pikërisht për faktin se kjo materie, si të thuash, është hyjnizuar, pasi Biri i Zotit e ka bërë të vetën, vokacioni më i lartë i çdo krijese njerëzore është hyjnizimi, e kjo sipas planit të Zotit, për hir të vullnetit të Tij. Pra ne jemi trup, jemi materie, por jemi bërë për të arritur në lavdinë e Hyjit.
Festa e Korpit të Krishtit na kujton me forcë se Jezusi na do. Është “Sakramenti i dashurisë”, siç thoshte shën Toma i Akuinit e Benedikti XVI. Ka brenda përmasën e dhuratës…
Këtë aspekt e vërejmë sidomos në aktin themeltar të Eukaristisë. Në Darkën e Mbrame na zbulohet në nivelin më të lartë dashuria e Birit të Hyjit, edhe më parë se të na jepet dhurata supreme e Kryqit: Jezusi u lan këmbët apostujve. Dimë se larja e këmbëve përkon në Ungjillin sipas Gjonit me tregimin për themelimin e Eukaristisë: Jezusi dhuron vetveten. “Merrni e hani… ky është Korpi im, bëjeni këtë në përkujtimin tim”: Jezusi na thotë se ligji më i lartë, që duhet ndjekur për ta ndjekur Atë vetë, është ligji i dashurisë. Të jemi shërbëtorë të njëri-tjetrit është forma më konkrete për të dëshmuar fenë në Krishtin, për ta ndjekur Atë, për të dëshmuar dashurinë për Zotin. Këtë përmasë të dashurisë konkrete duhet të përtërijë brenda nesh e brenda Kishës, marrja e Eukaristisë.
Papa Françesku nënvizon shpesh se Eukaristia është Sakramenti i bashkimit e na largon nga individualizmi…
Papa Françesku ngul këmbë fort, edhe në Thirrjen Apostolike “Evangelii Gaudium”, për një Kishë në dalje. Kjo fjalë është e bukur e na bën përshtypje, por është edhe shumë e lashtë: kur flasim për eksod, nënkuptojmë “daljen nga”. Në fund të fundit, i gjithë misioni i Birit të Amshuar ndër ne, mund të përmblidhet në eksodin e trifishtë: daljen nga Zoti, daljen nga Vetvetja dhe eksodin drejt Zotit. Dalja nga Zoti është mishërimi; dalja nga vetvetja është lëshimi në duart e Atit deri në vdekjen në Kryq; eksodi drejt Zotit është Ringjallja. Këtë, me një gjuhë të kuptueshme për të gjithë, Papa Françesku e quan “Kishë në dalje”. I krishteri është gjithnjë në dalje: në dalje nga çdo tundim për ta vënë në qendër vetveten, nga individualizmi, për të qenë dëshmitar i dashurisë, për t’i shërbyer Zotit dhe njerëzve.








All the contents on this site are copyrighted ©.