2014-06-18 12:30:46

Papa në Europë përmes Shqipërisë


Lajmi i vizitës së Papës Françesku në Shqipëri ka pasur një jehonë më të gjërë se sa vetë Shqipëria. Të gjitha kokat më të mëdha gazetareske botërore e kanë dhënë lajmin menjehërë. Në përgjithësi të gjitha janë përqendruar tek fakti që Shqipëria është vendi i parë Europian që Françesku ka zgjedhur për të vizituar. Kështu Le Figaro, The Guardian, Reuters, Ansa, Frankfurter Allgemeine, e të tjera agjenci shtypi prestigjioze. Sigurisht edhe mediat shqiptare i kushtuan një vend të rëndësishëm këtij lajmi duke e përcjellë qoftë në shtypin e shkruar e qoftë në atë viziv.

Ipeshkëvinjtë e Shqipërisë në emër të të gjithë katolikëve në vendin tonë kanë shprehur gjithë entuziamin dhe falenderimin e tyre për këtë ngjarje kaq të madhe.

Imzot Angelo Massafra Massafra në një intervistë në Radio Vatikan pasi falendron Papën Françesku për vizitën e tij në Shqipëri thotë se papa Françesku në Shqipëri gjen një Kishë të gjallë e cila ka dalë nga kalvari i gjatë i persekutimit komunist, e dalë nga gjaku i martirëve. Papa jo vetëm do të na përforcojë në fe, por ai vjen edhe takon një Kishë të gjallë që ka dalë nga katakombet. Ai vjen për të na rindezur shpresën.

Imzot Rrok Mirdita vuri në dukje se papa vjen të vizitojë jo vetëm të krishterët katolikë, si pasardhës i Pjetrit, për t’i përforcuar në fe, por të gjithë popullin shqiptarë. Gjatë Konferencës për shtyp të organziuar për këtë rast Imzot Mirdita tha se “i jemi thellësisht mirënjohës Papës Françesku, që zgjodhi të vizitojë Shqipërinë, duke iu përgjigjur dëshirës së Kishës këtu, si edhe ftesës së qeverisë. Kjo është një shenjë e fortë e dashurisë së tij për popullin tonë, me të cilin ai do të ndalet për një ditë, më 21 shtator. Jemi të sigurt se do të jetë një festë për të gjithë.”

Po ashtu në një postim në fb Imzot Cristoforo Palmieri, Ipeshkëv i Rrëshenit, duke falenderuar Papën që vjen në Shqipëri, fton besimtarët e Dioqezës së tij që të luten për këtë ngjarje. Ja teksti i mesazhit: “Ipeshkvi i Rrëshenit Mons. Cristoforo Palmieri, ndërsa falenderon Papa Francescon për dhuratën e vizitës së tij, në Shqipëri, fton gjithë klerin, rregulltarë dhe rregulltare dhe gjithë popullin e Hyjit të besuar atij, të gëzohen në Zotin, në të nëjtin falenderim ndaj Atiti të Shenjtë dhe me lutje të veçanta, duke filluar nga Solemniteti i Korpit të Krishtit, që kjo vizitë të jetë për të gjithë një dhuratë hiri dhe impenjimesh të reja të jetës së krishterë.”

Ardhjen e Papës e kanë përshendetur edhe autoritetet më të larta të vendit tonë. Presidenti Zoti Bujar Nishani në një postim të tijin në Fb i drjetohet Papës duke i thënë se “Do të presim si e meriton një mysafir i lartë si Ju, me dashuri dhe respekt, përunjësi dhe nderim.” Ndërsa Kryeministri, Zoti Edi Rama, në fjalën e tij të mbajtur pak minuta pasi u dha lajmi nga sheshi i shën Pjetrit, nga qyteti I Durrësit e përshëndeti dhe falenderoi Atin e Shenjtë për këtë vizitë. Kryeministri shqiptar e sheh këtë vizitë si një kontribut për Shqipërinë dhe më gjërë: “Ky rrugëtim i Atit të Shenjtë për Tiranë, mbart një mesazh të disafishtë shprese dhe inkurajimi. Shpresë dhe inkurajim për Shqipërinë që të vazhdojë në rrugën e vështirë, por të mbarë, të rilindjes dhe të ribashkimit me Europën; Shpresë dhe inkurajim për rajonin që të shkojë më tej në rrugën e sapoçelur të paqes, pas më shumë se 100 vjet luftëra dhe konflikte vëllavrasëse; Shpresë dhe inkurajim dhe për vetë Europën, BE, që të shohë më larg në rrugën e vetë drejt të ardhmes, duke parë me kurajë, pasojat gjithnjë e më të dukshme të dritëshkurtësisë së një zhvillimi ekonomik dhe social, polarizues, mes më të kamurve dhe më të varfërve të kontinentit tonë.”
Ndërsa kryetari Bashkisë së Kryeqytetit, Zoti Lulzim Basha, në një letër drejtuar Arqipeshkëvit të Tiranës, Imzot Rrok Mirdita, i drejton fjalë mirëseardhjeje Papës në qytetin e Tiranës: “Jam gjithashtu i prekur nga fakti se Papa Françesku ju drejtua në fjalën e tij Tiranës, kryeqytetit tonë dhe kam nderin që në emër të gjithë bashkëqytetarëve ti uroj mirëseardhjen. Vizita e tij e shumëpritur do t’i shërbejë kryeqytetit, vendit dhe kombit tonë në pasurimin shpirtëror dhe në përpjekjen për zhvillim, prosperitet dhe bashkim me familjen e madhe europiane. ardhje të tij. “ – thotë Zoti Basha në letrën e tij.
“Papa zgjedh Shqipërinë, shkon drejt periferive, drejt të varfërve e do të kontribuojë në dialogun ndërfetar dhe ekumenik…” ka theksuar Atë Lombardi në konferencën e tij për shtyp lidhur me këtë vizitë.

17 qershor 2014
Don Gjergj Meta








All the contents on this site are copyrighted ©.