2014-06-18 14:53:58

Papa: familje, kështu e krijoi dhe e shikon Zoti Kishën


Plani i Hyjit është të formojë një popull, që t’u çojë bekimin e tij mbarë popujve të tokës. Këtë theksoi Françesku në audiencën e sotme të përgjithshme, duke nisur një cikël të ri katekizmi, kushtuar Kishës, pasi, javën e kaluar, përfundoi serinë, në qendër të së cilës ishte Shpirti Shenjt. Papa rrethohej përsëri nga një turmë e pafundme besimtarësh në festë, ndonëse mbi Sheshin e Shën Pjetrit dyndeshin re, të ngarkuara me shi.RealAudioMP3


E filloi me Abrahamin, Papa, reflektimin e tij kushtuar Kishës, duke kujtuar se Hyji i kërkoi ta lërë atdheun e të niset drejt tokash të tjera, të panjohura. Kisha, shpjegoi, nuk është institucion në shërbim të vetvetes. Nuk është as organizatë jo qeveritare. Kisha nuk duhet kufizuar me klerin, as me Vatikanin. Kishë jemi të gjithë, theksoi, duke kujtuar se Kisha nuk lindi as në laborator, e as papritur e pa kujtuar: u themelua nga Jezusi, si popull, që ka një histori të gjatë mbi shpatulla:
“E dhëna e parë e rëndësishme është pikërisht kjo: duke nisur nga Abrahami, Hyji formon një popull, që t’u çojë bekimin e Tij të gjitha familjeve të tokës. E pikërisht në gjirin e këtij populli lindi Jezusi. Është vetë Zoti ai, që e bën këtë popull, këtë histori, Kishën në shtegtim, e atje lind Jezusi, në mes të këtij populli”.
Hyji e thërret Abrahamin të marrë shkopin e shtegtarit e të vihet për udhë me gjithë familjen. E, që në hapin e parë të këtij shtegtimi, e mbush përplot me bekimin e Tij, duke i premtuar pasardhës të panumërt, sa yjet në qiell e rëra në bregdet. E në këtë shtegtim ndodh diçka e padëgjuar: nuk është njeriu, që i drejtohet hyjnisë, por Hyji vetë, që merr nismën për t’i folut njeriut e për ta ftuar të ecë përpara, të lërë trojet e veta, të niset për udhë. E i premton se prej tij do të bëjë një popull të madh, të pamort:
“Kështu Hyji formon një popull, me të gjithë ata, që ia vënë veshin Fjalës së Tij e vihen për udhë, duke i besuar plotësisht. Me një kusht të vetëm: lëshimin e plotë në dorë të Zotit. Nëse ti i beson Zotit, e dëgjon, vihesh për udhë, kjo do të thotë të bësh Kishën. Kjo është Kisha. Dashuria e Hyjit paraprin gjithçka. Hyji ecën gjithnjë para nesh, është Ai, që prin”.
Papa nënvizoi se kjo quhet dashuri, sepse Hyji jo vetëm na fton, por edhe na pret gjithnjë:
Por, o atë, unë nuk besoj. Ju nuk e dini, po jeta ime ka qenë tepër e keqe. Si mund të mendoj, atëhere, se Hyji po më pritka? Hyji të pret! E nëse ke qenë mëkatar i madh, të pret edhe më shumë, e të pret me dashuri të madhe, sepse Ai është i pari. E këtu qëndron gjithë bukuria e Kishës. Kisha të merr për dore e të çon tek ky Hyj, i cili rri e të pret”.
Abrahami, pra, vihet për udhë, pa e ditur aspak se ku po e çon ky Hyj, që i premtoi se do t’i prijë. Nuk kishte me vete asnjë libër teologjie, për të studiuar kush ishte ky Hyj, si do t’i printe e ku do ta çonte, pohoi Papa. Por ai i beson dashurisë së Hyjit. Pa harruar, këtu, se ka edhe një mënyrë tjetër për t’i zgjidhur problemet, kur tundimi të ngacmon e të shtyn të bësh sipas mendjes sate. Nuk i mungon as popullit të Hyjit ky tundim. Mëkaton, gjatë gjithë udhës, gjatë gjithë historisë së shëlbimit, histori, nënvizoi Françesku, e besnikërisë së Hyjit dhe e pabesisë së popullit të Tij. E, megjithatë, Hyji duron e vijon ta edukojë e ta formojë popullin e vet, siç bën ati me birin. Papa nënvizoi se edhe ne, ndonëse dëshirojmë me gjithë zemër ta ndjekim Zotin ditë për ditë, e ndjejmë fort ngurtësinë e zemrave tona, mëkatin tonë. E pranojmë se kemi mëkatuar, me bindjen se Zoti na fal gjithnjë. Kjo na bën të rritemi si Kishë. Nuk janë meritat tona, që na rrisin, por përvoja e përditshme e jetës së krishterë, e cila na bind se Zoti na do:
Të jesh Kishë, do të thotë ta ndjesh veten në dorë të Zotit, që është Atë e na do, na ledhaton, na pret, na bën ta ndjejmë ngrohtësinë e Tij. Tejet e bukur, kjo!”.
Plani i Zotit, pra, është të formojë një popull të bekuar nga dashuria e Tij, që t’u çojë bekimin mbarë popujve të tokës. Plan, ky, që u përmbush plotësisht në Krishtin e që Hyji vijon ta realizojë në Kishë. Papa i nxiti besimtarët të jenë gjithnjë gati, çdo ditë, për t’u nisur, si Abrahami, kah “atdheu ynë i vërtetë”, duke u bërë, kështu, shenjë e dashurisë së Hyjit mes njerëzve:
Më pëlqen të mendoj se një sinonim, një emër tjetër, që mund të kemi ne, të krishterët, do të ishte ky; jemi burra e gra, jemi njerëz, që bekojnë. I krishteri, me jetën e tij, duhet të bekojë gjithnjë, të bekojë Hyjin e t’i bekojë njerëzit. Ne, të krishterët, jemi njerëz që bekojmë, që dimë të bekojmë. Thirrje tejet e bukur, kjo!”.
Para katekizmit, Papa e dëshmoi këtë zakon të krishterë, të pasur me bekim e dashuri, duke përshëndetur e duke u ndaluar një copë herë me fëmijët, pleqtë e të gjymtuarit, në Sallën e Palit VI. “Lutuni të mos bjerë shi”, u tha, duke menduar për njerëzit, që e prisnin jashtë, në Sheshin e Shën Pjetrit e duke u kërkuar të luten për të e për shtegtimet, që përgatitet të bëjë, për udhë, si Abrahami, për t’u çuar bekimin e Hyjit popujve të largët e të afërt. Ndërmjet tyre, populli shqiptar! Të mos e harrojmë e ta shoqërojmë pritjen e Papës me lutjen tonë!







All the contents on this site are copyrighted ©.