2014-06-18 14:54:12

Isil në portat e Bagdadit. Agjërim e lutje për paqen


Në Irak, në ditën e lutjes e të agjërimit për paqen, kërkuar nga Patriarkati i Babilonisë së kaldejve, rebelët xhihadistë të Shtetit Islamik të Irakut e të Lindjes (ISIL) vazhdojnë të përparojnë. Milicët sunitë kanë marrë në dorë rafinerinë e Baiji-së (Baizhì), më e madhja e vendit dhe po marrshojnë drejt Bagdadit. Për gjendjen, na flet me telefon, nunci apostolik në Irak e Jordani, imzot Giorgio Lingua (Xhorxho Lingua):RealAudioMP3
Jemi shumë të shqetësuar për avancimin e forcave të ushtrisë islamike të Irakut e të Lindjes drejt Bagdadit. Vështirë të ketë zgjidhje politike, të vetmet që mund të ndalin vijimin e gjakderdhjes. Për këtë arsye, Patriarku i ftoi të gjithë besimtarët të luten e t’i kërkojnë Zotit dhuratën e paqes.
Për paqen në Irak u lut edhe Papa, në fund të vitit të kaluar, por tani, ajo duket akoma larg…
Duhet thënë se paqja është në rrezik të madh: mund të ketë ndeshje sektare. Nuk shohim zgjidhje tjetër përveçse ndalimit të luftimeve, në mënyrë që të hapet një tryezë bisedimesh, me përfshirjen e të gjitha forcave, për pajtimin kombëtar.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun bën thirrje për dialog, por ndokush nxit për ndërhyrje ushtarake…
Sipas meje, ndërhyrja ushtarake do të ishte katastrofë. Armët nuk mund t’i zgjidhin problemet, krijojnë probleme. Prandaj, nevojiten udhëheqës mendjendritur, me dëshirën për t’i shërbyer së mirës së përbashkët e jo interesave të ndonjë pale. Popullsia po armatoset, por duhet shkuar kundër rrymës e duhen ulur armët. Duhet t’i lëmë mënjanë ambiciet personale.
Si i jeton këto orë bashkësia e krishterë?
Përveç frikës e shqetësimit, që e ndjejmë të gjithë, bashkësitë e krishtera nuk janë sulmuar drejtpërdrejt. Madje, mësova se forcat e Isil-it kanë shkuar për të takuar ipeshkvin siro-katolik të Mosulit dhe e kanë pyetur nëse kishte nevojë për gjë. Kjo na qetëson, nga njëra anë, pasi tregon se nuk kanë ndërmend të sulmojnë popullsinë e as të krishterët, por, nga ana tjetër, na shqetëson, pasi do të thotë se ka një strategji shumë serioze pas gjithë kësaj.








All the contents on this site are copyrighted ©.