Në fundin e kapitullit të tretë të Ungjillit sipas Markut, lexojmë se Jezusin e kërkojnë
Nëna dhe vëllezërit. Jezusi është ende në fillim të veprimtarisë publike, por është
e qartë se ka tërhequr tashmë vëmendjen e popullit dhe të autoriteteve fetare: “Përreth
tij ishte ulur një turmë” njerëzish, shkruan Marku. Të afërmit e tij nuk hyjnë në
shtëpinë ku gjendet Jezusi, por çojnë dikë për ta thirrur dhe vetë presin jashtë.
Në fakt, dikush i thotë Jezusit: “Ja, nëna jote, vëllezërit e tu dhe motrat e tua
janë jashtë e të kërkojnë” (32). Në po këtë kapitull Marku tregon se “të vetët”
edhe një herë tjetër, “dolën dhe shkuan ta merrnin, sepse thoshin: ‘nuk është në vete’”
(21). Sjellja e Jezusit, mënyra e qëndrimit të tij mes njerëzve, mësimet e tij dhe
reagimet e turmës shkaktojnë shqetësim tek të afërmit e tij. Ata nuk hyjnë në shtëpinë,
ku gjendet i rrethuar nga turma, dhe kjo shpreh ose pasigurinë e gjykimeve të tyre,
ose turpin për sjelljen e Jezusit, ose mosmiratimin për veprimtarinë e tij. Kjo ngjarje
na ndihmon të kuptojmë se Jezusi, pas pagëzmit, domethënë pas fillimit të shpalljes
së Ungjillit, shfaq një përmasë të re të ekzistencës së vet, të cilën familjarët nuk
e kishin menduar më parë, gjatë asaj që tradicionalisht quhet “jeta e fshehur e Jezusit”.
Ata kishin një marrëdhënie me të, marrëdhënie gjinie e gjaku, por kjo nuk u mjaftonte
për ta kuptuar deri në fund njeriun e tyre. Për ta kuptuar si duhet Jezusin, nuk mjafton
lidhja e natyrshme farefisnore, madje ajo, e vetme, mund të jetë pengesë. Nevojitet
diçka më shumë, diçka themelore, të cilën e përmend vetë Jezusi: “Kush është nëna
ime e kush janë vëllezërit e mi? Ja, nëna ime dhe vëllezërit e mi: ai që kryen vullnetin
e Hyjit, ai është vëllai im, motra dhe nëna”. Jezusi vendos Hyjin në qendër të
marrëdhënieve me njerëzit dhe njerëzit mund ta kuptojnë Jezusin dhe të vendosin një
marrëdhënie me të, vetëm nëse edhe ata vendosin Hyjin dhe vullnetin e tij në qendër
të jetës. Lidhja me Jezusin nuk është e mirëqenë natyrshëm, nuk është as lidhje abstrakte
ose thjesht intelektuale. Ajo është proces, në të cilin njeriu kërkon vullnetin e
Hyjit dhe përpiqet ta zbatojë; është dinamikë, brenda të cilës njeriu rritet, ndreqet,
kupton më thellë vetveten dhe të tjerët; është gatishmëri mendore dhe shpirtërore,
për të pranuar zbulimin që Hyji na jep në Krishtin. Ne jemi vëllezërit e Jezusit,
në atë masë në të cilën kërkojmë vullnetin e Hyjit.