2014-06-16 19:02:30

Romë: Papa hap takimin dioqezan. Valini: është ora e famullive


Sonte, në orën 19.00, takimi i Papës me përfaqësuesit e Dioqezës së Romës, në Sallën e Palit VI. Ati i Shenjtë nis punimet e Takimit baritor dioqezan, me fjalën e hapjes. Tema e takimit është “Një popull, që lind bijtë e vet. Bashkësia dhe familja në etapat e mëdha të fillesës së krishterë”, domethënë, të sakramenteve të para të krishtera”. Folëm me kardinalin Agostino Valini, mëkëmbës i përgjithshëm për dioqezën e Romës:

Përgjigje: - Kjo temë bën pjesë në projektin baritor që, tashmë prej pesë vjetësh, po e çojmë përpara, duke e përqendruar pikërisht mbi rishikimin e baritorisë së zakonshme të bashkësië së krishterë. E nisëm, katër vjet më parë, këtë udhë, duke i bërë vetes pyetjen: “Kush ndjehet Kishë në Romë e si e ndjen përgjegjësinë e dëshmisë, duke qenë i krishterë?”. Tani kemi arritur në etapën e mëpasme, domethënë, pyesim: “Si arrin bashkësia e krishterë, përmes sakramenteve të Eukaristisë e të Krezmimit, ta shoqërojë një udhë feje, të denjë për këtë emër?”.

Pyetje: - Prej këndej, ju mendoni se është themelor roli i famullisë, që bëhet motor për formimin dhe ungjillëzimin?

Përgjigje: - Sigurisht! Pikërisht atje është e nevojshme ta rimendojmë planin dhe propozimin katekistik, me një objektiv: atë të përfshirjes së famullisë, sepse, fatkeqësisht, tradita e krishterë për t’i marrë sakramentet në moshë të mitur bën që kjo detyrë të jetë vërtet kryesore, por nuk e shikon si diçka, që duhet të na impenjojë, edhe në vijim, për arritjen e pjekurisë së jetës së krishterë të njëmendtë. Ja pse pika kryesore e takimit tonë është pikërisht kjo: si arrin famullia, si impenjohet për të realizuar praninë diloguese e pjesëmarrëse të familjeve, që kërkojnë sakramentet për bijtë e tyre? Është diskutim vlerash e propozim për ta rimenduar punën baritore.








All the contents on this site are copyrighted ©.