2014-06-16 15:04:48

Papa Primatit Uelbi: të bashkuar, kundër skllavërive moderne


Ky i yni, është takim ndërmjet “shokëve të udhës”, shtegtarë drejt Mbretërisë së Hyjit: kështu i tha Papa Françesku, sot paradite në Vatikan, kryeipeshkvit të Kanterbërit e Primatit anglikan, Xhastin Uelbi, që nga e shtuna, për vizitë në Romë. Primati shoqërohet nga një delegacion, i cili synon të përforcojë luftën kundër formave moderne të skllavërisë, impenjim i përbashkët ky me Atin e Shenjtë. Papa foli menjëherë për ndarjet ndërmjet të krishterëve, të cilat i quajti shkandull, pengesë për kumtimin e Ungjillit:RealAudioMP3
“Shikimi ynë, jo rrallë, errësohet nga pesha e historisë së ndarjeve dhe vullneti ynë nuk është gjithnjë i lirë nga ajo ambicie njerëzore, që nganjëherë shoqëron deri dëshirën për ta kumtuar Ungjillin sipas urdhërimeve të Tënzot”.
Papa kujtoi Koncilin II të Vatikanit, që kërkon të punohet për marrëdhëniet ekumenike, duke i lënë të hapura të gjitha rrugët e Provanisë Hyjnore e të Shpirtit Shenjt:
“Horizonti i bashkimit të plotë mund të duket një objektiv i largët, por mbetet gjithnjë synimi drejt të cilit duhen orientuar të gjitha hapat e udhës ekumenike, që po e përshkojmë së bashku”.
Ati i Shenjtë vuri në dukje punën e Komisionit ndërkombëtar anglikano-katolik dhe të atij për bashkimin e misionin. Më pas, e përqendroi vëmendjen në temat shoqërore, me interes të përbashkët, duke filluar nga plaga e trafikut të njerëzve:
“Impenjohemi të vazhdojmë luftën kundër formave të reja të skllavërisë, duke besuar se mund të kontribuojmë në ndihmën për viktimat dhe në kundërshtimin e kësaj tregtie tragjike”.
Së fundi, këshilla e Papës Françesku për të mos i harruar “tri p-të”. Por cilat janë ato? Ja dialogu ndërmjet dy krerëve të krishterë:
“Papa Françesku: ‘Mos harroni tri p-të’.
Kryeipeshkvi Uelbi: ‘Tri p-të?’…
Papa Françesku: ‘Prayer, peace and poverty (Lutja, paqja dhe varfëria). Duhet të ecim së bashku’.
Kryeipeshkvi Uelbi: ‘Po, ne duhet të ecim së bashku’”.








All the contents on this site are copyrighted ©.