2014-06-16 15:11:33

Papa: i palejueshëm, sundimi i tregjeve mbi fatet e popujve


Tregjet financiare nuk mund t’i drejtojnë fatet e popujve. Papa Françesku ngriti zërin, gjatë audiencës së sotme me pjesëmarrësit në takimin e organizuar nga dikasteri vatikanas “Drejtësi e Paqe”, kushtuar investimeve për të luftuar varfërinë dhe pabarazitë shoqërore. Papa kërkoi edhe që të vihet etika në qendër të financës.
Në krye të audiencës, Atin e Shenjtë e përshëndeti kardinali Peter Turkson.RealAudioMP3

“Një kishë e varfër, për të varfërit”, por edhe një ekonomi, që nuk i vë nën thundrën e hekurt më të varfërit. Papa Françesku shfrytëzoi rastin e takimit, kushtuar investimeve në ndihmë të të varfërve, për të pohuar edhe një herë se njeriu duhet vënë në qendër të proceseve ekonomike:
“Ka rëndësi që etika të gjejë hapësirën e vet në financë e që tregjet të vihen në shërbim të interesave të popujve e të së mirës së përbashkët të njerëzimit. Nuk mund të lejojmë më gjatë që tregjet financiare të drejtojnë fatet e popujve në vend që t’u shërbejnë nevojave të tyre, ose që pak njerëz të arrijnë kulmin e pasurisë, falë spekulimeve financiare, ndërsa shumëkush paguan rëndshëm pasojat”.
Shpikjet e reja teknologjike, vërejti Ati i Shenjtë, e kanë rritur shpejtësinë e transaksioneve financiare, por një shtim i tillë ka kuptim vetëm nëse përmirëson aftësinë për t’i shërbyer së mirës së përbashkët:
Posaçërisht, spekulimi mbi çmimet e mallrave ushqimore është shkandull, me pasoja të rënda për ushqimin e të varfërve. Është urgjente që qeveritë e mbarë botës të impenjohen e të sigurojnë një kuadër ndërkombëtar, në gjendje për të promovuar tregun e investimit me ndikim të lartë shoqëror, në mënyrë që t’i kundërvihet ekonomisë së përjashtimit e të hedhurinës”.
Në ditën kur Kisha kremton festën e shën Kurikut e Xhulitës, ëmë e bir që, nën Dioklecianin lanë të gjitha pasuritë e shkuan, pa u luhatur fare, drejt martirizimit, përfundoi Papa, dëshiroj t’i lutem, së bashku me ju, Zotit, të na ndihmojë të mos e harrojmë kurrë se pasuritë e kësaj bote janë kalimtare e të impenjohemi në shërbim të së mirës së përbashkët, duke vënë në plan të parë kryesisht njerëzit më të varfër e më të ligshtë.









All the contents on this site are copyrighted ©.