2014-06-16 13:07:48

Imzot Mirdita: Vizita e Papës, shenjë e fortë e dashurisë së tij për popullin tonë


Në takimin e djeshëm me gazetarët, menjëherë pas lajmit, që dha Papa Françesku në Sheshin e Shën Pjetrti, Imzot Rrok Mirdita, Kryeipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrësit, dha këtë deklaratë:

Vizita e Papës Françesku në Shqipëri bën pjesë në atë veprimtari të Atit të Shenjtë, që quhet Udhëtim Apostolik. Si ipeshkëv i Romës, Papa është pasardhësi i Shën Pjetrit, apostull i Krishtit dhe ipeshkvi i parë i Romës. Shën Pjetrin Jezusi e caktoi kreun e apostujve dhe, kur e takoi si i ringjallur, i tha: "Ti forcoi vëllezerit e tu". Papa vjen në Shqipëri për të forcuar vëllezërit e vet, vjen për të takuar Kishën tonë, për t'u lutur me ne, për të na dhënë porositë, që burojnë nga Ungjilli.
Kisha, për vetë thirrjen e saj, është në shërbim të njerëzve dhe të shoqërisë, prandaj është e integruar në jetën e popullit dhe mban marrëdhënie me institucionet shtetërore, me shoqërinë civile dhe me lëvizjet kulturore. Ajo jeton në dialog të përhershëm me realitetet e tjera fetare, si edhe me jobesimtarët. Për këtë arsye, kur viziton një kishë, gjatë një udhëtimi apostolik, Papa u drejtohet edhe të gjitha atyre realiteteve njerëzore me te cilat ndërvepron Kisha në një vend.
Si Ipeshkëv i Romës, Papa është edhe kreu i Selisë së Shenjtë, e cila, përveç funksionit të saj si kryeqendër e katolicizmit, është edhe subjekt sovran i të drejtës ndërkombëtare. Kjo bën që vizitat e tij apostolike të jenë edhe vizita shtetërore.
I jemi thellësisht mirënjohës Papës Françesku, që zgjodhi të vizitojë Shqipërinë, duke iu përgjigjur dëshirës së Kishës këtu, si edhe ftesës së qeverisë. Kjo është një shenjë e fortë e dashurisë së tij për popullin tonë, me të cilin ai do të ndalet për një ditë, më 21 shtator. Jemi të sigurt se do të jetë një festë për të gjithë.








All the contents on this site are copyrighted ©.