2014-06-16 15:04:36

Françesku: dëmet e të korruptuarve i paguajnë të varfërit


Korrupsioni i njerëzve të pushtetshëm, paguhet nga të varfërit që, për shkak të babëzisë së disave, mbeten pa gjërat, për të cilat kanë nevojë dhe të drejtë. E pohoi Papa Françesku në homelinë e Meshës së mëngjesit, kremtuar, si zakonisht, në Shtëpinë e Shën Martës. E vetmja rrugë për të fituar mbi mëkatin e korrupsionit, përfundoi, është shërbimi ndaj të tjerëve, që pastron zemrën.RealAudioMP3

Histori e trishtë që, ndonëse tejet e lashtë, vijon të jetë edhe sot një nga mëkatet më të përsëritura: korrupsioni! Papa Françesku reflektoi mbi faqen e Biblës, propozuar nga liturgjia e sotme, që tregon historinë e Nabotit, pronar i një vreshti, trashëguar brez pas brezi. Kur mbreti Akab, duke dashur të zgjerojë kopshtin e vet, kërkon t’ia blejë, Naboti nuk pranon. E me të drejtë. Nuk dëshiron ta shesë tokën e trashëguar nga të parët. Mbreti zemërohet keqas nga një mospranim i tillë. Po e shoqja, Jezabela dinake, mendon se vreshti mund të shtihej në dorë edhe me rrugë të tjera. I ngre, prandaj, një kurth Nabotit; përdor, pastaj, edhe dëshmitarë të rremë, pasi e zvarrit pronarin e ligjshëm të vreshtit në gjykatë, ku dënohet me vdekje. E kështu gruaja dredharake ia dorëzon vreshtin, aq të dëshiruar, të shoqit të babëzitur, i cili e merr qetë-qetë, si të mos kishte ndodhur asgjë e keqe. Nuk është histori e lashtë, që përfundon në kohët e Akabit. Përsëritet vazhdimisht. Edhe në kohët tona, nga ata, që kanë në dorë pushtetin material, politik, ose shpirtëror:
“Në faqet e gazetave lexojmë shpesh herë: ah, e nxorën para gjyqit filan politikan, që u pasurua magjikisht. Doli para gjyqit filan drejtor sipërmarrjeje, që u pasurua si me magji, domethënë, duke i shfrytëzuar punëtorët e tij. Flitet shumë për një prelat, që u pasurua sa mundi dhe e la mënjanë detyrën baritore, që të kujdesej për të fuqizuar pushtetin e tij. Kështu janë të korruptuarit politikë, të korruptuarit afaristë, e edhe të korruptuarit kishtarë. I gjen kudo. E duhet të themi të vërtetën: korrupsioni është mëkati, në të cilin bie më lehtë njeriu me autoritet mbi të tjerët, si ekonomik, ashtu edhe politik e kishtar. Korrupsioni është tundim për të gjithë! Mëkat, në të cilin rrezikohemi të biem lehtë. Sepse kur ndokush ka një farë autoriteti, nis ta ndjejë veten të fuqishëm, i duket vetja gati-gati si të ishte Zot”.
Njeriu, vijoi Papa, zë e korruptohet nësa fiton siguri në vetvete. E këtë siguri e fiton me mirëqenie, me para, pastaj me pushtet, me kotësi, me kreni… Me gjithçka të keqe, që mund të bëjë njeriu, kur dashurohet me vetveten. Kështu njeriu mund të bëjë gjithë të zezat. Mund edhe të vrasë. Por, pyeti Papa, mbi kë bien pasojat e korrupsionit? Kush paguan? Kush t’i sjell bakshishet, si i merr ryshfetet? Paratë nën dorë? A, jo, këtë punë e nuk e bën vetë, e bën ‘ndërmjetësi’. Korrupsionin, në të vërtetë, e paguan i varfëri:
“Nëse flasim për politikanët e korruptuar ose për drejtuesit e korruptuar të ekonomisë, kush paguan për korrupsionin e tyre? Paguajnë spitalet pa ilaçe, të sëmurët pa mjekime, fëmijët pa shkollë. Janë Nabotët modernë, që e paguajnë korrupsionin e të mëdhenjve. E korrupsionin e ndonjë prelati, kush e paguan? E paguajnë fëmijët, që nuk dinë të bëjnë shenjën e kryqit, që nuk dinë katekizmin, që lihen shpirtërisht në mëshirën e fatit. E paguajnë të sëmurët, që nuk vizitohen, e paguajë të burgosurit, pa asnjë ndihmë. Paguajnë gjithnjë të varfërit. Korrupsionin e paguajnë të varfërit: të varfër materialë, të varfër shpirtërorë”.
E vetmja rrugë për të dalë nga korrupsioni, theksoi Papa, e vetmja për ta mundur këtë tundim, mëkatin e korrupsionit, është shërbimi. E kjo, sepse korrupsioni vjen nga krenia, nga mendjemadhësia, ndërsa shërbimi të përul, është dashuri që përulet, për të ndihmuar të tjerët:
“Sot, ta ofrojmë Meshën për këta, shumë, shumë, njerëz, që paguajnë për korrupsionin, që paguajnë shpenzimet e jetës së të korruptuarve. Këta martirë të korrupsionit politik, të korrupsionit ekonomik, të korrupsionit kishtar. Të lutemi për ta. Zoti qoftë pranë tyre! Sigurisht ishte shumë pranë Nabotit, në çastin kur mbytej me gurë, ashtu siç ishte pranë Shtjefnit. Zoti qoftë gjithnjë pranë tyre e u dhëntë forcë për ta vijuar dëshminë”.









All the contents on this site are copyrighted ©.