Solemniteti i Trinisë Shenjte, shtegtimi në Tiranë dhe thirrja për Irakun, në Engjëllin
e Tënzot
Dashuria është distinktiv i të krishterit, theksoi Papa në lutjen e sotme të Engjëllit
të Tënzot, duke kujtuar Solemnitetin e Trinisë Shenjte. Pastaj, thirrja për Irakun
dhe njoftimi se do të shkojë në Tiranë, më 21 shtator.
“Në Trininë
Shenjte shikojmë edhe modelin e Kishës, në të cilën jemi të ftuar ta duam njëri-tjetrin,
ashtu si na deshi vetë Jezusi”. Me këto fjalë Papa Françesku shpjegoi se dashuria
është shenja konkrete, që shpreh besimin në Hyjin Atë, në Birin e në Shpirtin Shenjt.
Distinktiv i të krishterit, kjo dashuri, ashtu si vijon të na e kujtojë Jezusi: “Prej
këndej të gjithë do ta dinë se jeni dishepujt e mi: nëse do ta doni njëri-tjetrin!”. Duke
folur lirisht, pastaj, porosia për të mos rënë në kundërshti: “Është kundërshti,
të mendosh se të krishterët urrehen. Kundërshti! E këtë e kërkon gjithnjë djalli:
të na bëjë të urrehemi, sepse ai mbjell përherë egjrën e urrejtjes; ai nuk di ç’është
dashuria, dashuria është Zoti!”. Të gjithë jemi të thirrur ta dëshmojmë e ta
kumtojmë mesazhin e ‘Hyjit dashuri’, të dëshmojmë se Zoti nuk është larg ngjarjeve
tona njerëzore: “E kjo është dashuria e Hyjit në Jezusin. Kjo dashuri, që është
tejet e vështirë për t’u kuptuar, por që ne e ndjejmë kur i afrohemi Jezusit. E ai
na fal gjithnjë; Ai na pret gjithnjë; Ai na do shumë! E dashuria e Jezusit, që ne
e ndjemë, është dashuria e Hyjit”. Energjia e Trinisë Shenjte, shpjegoi,
është energji dashurie, bashkimi, shërbimi reciprok, ndarjeje të përbashkët: “Njeriu,
që i do të tjerët thjesht për gëzimin e dashurisë, është pasqyrim i Trinisë Shenjte.
Familja, në të cilën pjesëtarët e duan dhe e ndihmojnë njëri-tjetrin, është pasqyrim
i Trinisë Shenjte. Famullia, ku njerëzit duhen e ndajnë bashkë pasuritë shpirtërore
dhe materiale, është pasqyrë e Trinisë Shenjte”. Trinia dhe Eukaristia: Eukaristia
është si kaçuba e ndezur, në të cilën përvujtërisht banon e komunikon Trinia Shenjte. Prandaj
Kisha e ka vënë festën e Korpit të Krishtit pas asaj të Trinisë Shenjte, tha Papa,
duke kujtuar, më pas: “Të enjten e ardhshme, sipas traditës romake, do të kremtoj
Meshën në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, për të vijuar, pastaj, procesionin me
të Shenjtnueshmin Sakrament. I ftoj romakët e shtegtarët të marrin pjesë, për të
shprehur dëshirën të jemi ‘popull i mbledhur në unitetin e Atit, Birit e Shpirtit
Shenjt”. Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa shprehu shqetësimin e tij
të thellë për ngjarjet e këtyre ditëve në Irak: “Ju ftoj të gjithëve të bashkoheni
me lutjen time për kombin e dashur irakian, posaçërisht për viktimat e për ata që
vuajnë më shumë për shkak të pasojave të thellimit të dhunës, sidomos, për njerëzit,
ndërmjet të cilëve shumë të krishterë, që u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre”. Përveç
lutjes, edhe thirrja: “Uroj për mbarë popullsitë siguri, paqe dhe ardhmëri me
pajtim e drejtësi, që të gjithë irakianët, pavarësisht nga përkatësia fetare, të mund
të ndërtojnë së bashku atdheun e tyre, duke e bërë model bashkëjetese”. Papa
i ftoi të gjithë besimtarët të luten për popullin irakian, duke i prirë ai vetë “FalemiMërisë”.
Pastaj, njoftimi se do të jetë në Tiranë, më 21 shtator. Nuk mund të mos e përfundojmë
këtë lutje të jashtëzakonshme të Engjëllit të Tënzot me urimin shqip: “Mirëseardhshi,
At i Shenjtë, në trojet tona, që kanë aq shumë nevojë për përforcim në fe e inkurajim,
sepse vuajtën tepër gjatë!”.