2014-06-15 11:54:03

Shenjtorët e javës 16 – 22 qershor


Më 16 qershor përkujtohet Shën Kuiriku. Gjatë përndjekjeve të Dioklecianit, në Ikon, qytet i Likaonit (sot në Turqi), jetonte një grua e pasur e fisnike, e cila kishte mbetur e vejë, me një djalë në moshë të njomë, me emrin Kuirik. Ajo braktisi shtëpi e katandi, për t’i shpëtuar përndjekjes, dhe shkoi drejt Seleucisë. Në Cilici e ndaluan, bashkë me foshnjen, me padinë se ishte e krishterë. Pasi e pyetën gjatë, me shpresë se do të hiqte dorë nga feja, nuk arritën ta mposhtnin dhe ajo nuk pranoi t’u kushtonte fli idhujve. Legjenda tregon se, gjatë hetimeve, fëminë e mbante në prehër qeveritari romak. Kur fëmia e dëgjoi nënën duke dëshmuar fenë përballë përndjekësve, edhe ai tha se ishte i krishterë. Atëherë qeveritari e përplasi përtokë dhe e vrau.
Më 17 qershor përkujtohen katër shenjtorët mercedarë: Egjidi, Luigji, Gjoni e Pali. Ndërsa shpallinin fenë në Krishtin, si misionarë në Marok, u ndaluan nga myslimanët, të cilët i torturuan, u shkulën gjuhën, u prenë duar e këmbë dhe në fund u prenë kokat.
Më 18 qershor përkujtohet shën Kallogjeri. Kallogjeri nderohet në Sicili, ku jetonte një shenjtor heremit, me fuqi mrekullibërëse. Në Fragala’, qytet në ishullin jugor të Italisë, është zbuluar dëshmia më e lashtë lidhur me kultin ndaj këtij shenjtori, ku thuhet se ishte me prejardhje nga Kartagjena dhe vdiq në afërsi të qytetit Lilibeo. Emri Kallogjer, në greqisht, do thotë “plak i hijshëm”, fjalë që përdorej për të treguar heremitët.
Më 19 qershor përkujtohet shën Romualdi. U lind në një familje fisnike italiane dh u bë heremit pas një udhëtimi në Spanjë. Fama dhe dhuntitë, që e stolisnin, ia hapën dyert e princërve dhe të prelatëve të kohës. Ktheu në fe Oktonin III, i cili e emëroi abat, gjë që Romualdi e kundërshtoi me forcë dhe shkoi e u strehua në Montecassino. Pas shtegtimeve të shumta heremitike, u vendos në Camaldoli, ku sot gjendet një manastir me emrin e tij.
Më 20 qershor përkujtohen martirët Francesk Paçeko, Giovanni Battista Zolam, Pal Xinsuki, Pjetër Rinshei, Vinçenc Kaun, Huan Kinsako. U dënuan me djegie në turrën e druve në Nagasaki (Japoni), më 1600, për shkak të fesë në Krishtin.
Më 21 qrshor përkujtohet Shën Luigj Gonzaga. Biri i markezit Ferrante Gonzaga u lind më 19 mars 1568. I ati e ushtroi Luigjin në përdorimin e armëve që në mituri, por në moshën 10 vjeçare shenjtori i ardhshëm e kishte marrë vendimin: t’i kushtohej përvujtërisht Hyjit, duke bërë kushtin e pastërtisë. Kur mbushi dymbëdhjetë vjeç mori kungimin e parë nga Shën Karl Borromeo e, më vonë, vendosi të hyntë në Shoqërinë e Jezusit, por për këtë iu desh të luftonte dy vjet me të atin. Hoqi dorë nga titulli e nga trashëgimia dhe hyri në kolegjin romak të jezuitëve. U shërbeu pa u kursyer të prekurve nga murtaja, që kishte goditur Romën më 1590 dhe që preku edhe atë vetë, duke i shkaktuar vdekjen më 1591, kur ishte vetëm 23 vjeç.
Më 22 qershor është e diel, festa e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.