2014-06-15 12:54:36

Françesku në intervistën dhënë gazetës “La Vanguardia”: jam Papë me zemër famullitari


Paqja në Lindjen e Mesme, Kisha në shërbim të të varfërve, reformimi i Vatikanit e akoma, dorëheqja e Benediktit XVI, Piu XII e Holokausti dhe mangësitë e sistemit ekonomik botëror, janë disa nga temat kryesore, prekur nga Papa Françesku në një intervistë, dhënë gazetës spanjolle “La Vanguardia”, botuar më 13 qershor. Papa rrëfen se “dëshiron të kujtohet si njeri i mirë, që bëri gjithë ç’ishte e mundur”. E, lidhur me Kampionatin Botëror të Futbollit, që sapo filloi, thotë me shaka: “Brazilianët më kërkuan të jem asnjanës e më duhet ta mbaj fjalën”. Po kujtojmë, më poshtë, vetëm disa fragmente të kësaj interviste të gjatë, që prek palcën e problemeve të sotme botërore.

“Dhuna në emër të Zotit është kundërshti, që nuk përkon me kohën tonë”. Këtë pohon Papa Françesku në krye të intervistës së tij të gjatë dhënë “La Vanguardia-s”. Papa denoncon fundamentalizmin, rrezik i pranishëm në të gjitha fetë dhe ndalet posaçërisht tek “Lutja për paqen” me presidentin izraelit e atë palestinez. Françesku kujton se në fillim, 99% e vatikanistëve mendonin se nuk do të bëhej, pastaj 1,1%-shi u rrit. Nuk ishte aspak akt politik, thekson, por thjesht fetar, për të hapur një dritare në botë. Papa tërheq vëmendjen edhe kundër antisemitizmit: “Është marrëzi ta mohosh holokaustin, pohon, duke theksuar se nuk mund të jesh i krishterë i vërtetë, nëse nuk i njeh rrënjët tuaja hebraike”. Dialogu ndërmjet të krishterëve dhe hebrenjve, vëren, është një sfidë e mirëfilltë, patate e përvëluar, por mund të bëhet me frymë vëllazërore. Lidhur me Papën Paçeli, Françesku është i sigurt se me hapjen e arkivave, do të hidhet dritë mbi shumë gjëra, deri tani të diskutuara të diskutueshme. Për të varfërin Piun XII, pohon, s’u la gjë pa thënë. Duke harruar, veç, se më përpara shihej si mbrojtës i madh i hebrenjve. E, duke mos kujtuar fare se fshehu shumë prej tyre në kuvendet e Romës dhe të qyteteve të tjera italiane, e deri në selinë verore të papëve, në Kastel Gandolfo. “Nuk dua të them se Piu XII nuk bëri asnjë gabim; e edhe unë vetë bëj shumë, pranoi Papa, por roli i tij duhet lexuar lidhur ngushtë me rrethanat e epokës”.
Françesku i përgjigjet edhe një pyetjeje mbi Kishën. Varfëria dhe përvuajtëria, kujton, janë në qendër të Ungjillit, në kuptimin teologjik, jo në atë sociologjik. Ungjilli nuk mund të kuptohet pa varfërinë, që duhet dalluar nga pauperizmi. Ipeshkvijtë, shton, duhet të jenë shërbëtorë e jo princa. Pastaj Papa vë gishtin mbi disa plagë të sistemit ekonomik botëror, në qendër të të cilit, vëren, kemi vënë paranë, duke rënë, kështu, në mëkatin e idhujtarisë. Rikujtoi, pastaj, se pleq e të rinj trajtohen si hedhurina dhe shpreh shqetësimin e tij të thellë për papunësinë e të rinjve. Në Evropë, nënvizon, 75 milionë të rinj janë pa punë e kjo mund të quhet “barbari”. Papa denoncon se për të mbajtur një sistem ekonomik, që nuk mund të mbahet më në këmbë, duhet bërë luftë, e, me që nuk mund të shpërthejë një Luftë III Botërore, atëherë rrofshin luftërat lokale. Prej këndej, fabrikohen e shiten armë, për të shëruar bilancet e sëmura për vdekje të ekonomive idhujtare!
Ndalet, pastaj, tek reforma e Kuries, Papa. Nuk kam kurrfarë shndritjeje, as projekti personal, rrëfen, ajo që po bëj, s’është tjetër, veçse realizim i mendimeve të kardinajve, që u poqën gjatë diskutimeve të tyre në Kongregacionet e përgjithshme para Konklavit.
Një nga vendimet më të rëndësishme, kujton, është se Papa duhej të ndihmohej nga një këshill i jashtën, një grup këshilltarësh, që jeton jashtë Vatikanit. Ky, që tani njihet si “Këshilli i të tetëve”. Papa i përgjigjet edhe pyetjes nëse ndjehet revolucionar. Për mua, pohon, revolucion i madh është ai, që shkon deri në rrënjë. Besoj se mënyra për të bërë ndryshime të vërteta, është ajo, që niset nga identiteti.Përsa i përket faktit që ai vetë tashmë shikohet si famullitar i popujve, pohoi se pikërisht përmasa e famullitarit i përgjigjet më mirë se asnjë tjetër thirrjes së tij. Dëshira për t’u shërbyer njerëzve, nënvizoi, më buron nga thellësia e shpirtit. Por, vijoi të vërejë, e ndjej veten edhe papë. Më ndihmon t’i bëj seriozisht gjërat. Nuk duhet luajtur roli i papës-famullitar, shton, do të ishte mungesë pjekurie. Kur arrin një kryetar shteti, duhet pritur me dinjitetin e protokollit, që meriton. Është e vërtetë se me protokollet kam problemet e mia. Por s’kam ç’të bëj, duhen respektuar. Papa Françesku pranon se nuk i duron pengesat, kur është fjala për t’u takuar me njerëzit. E di se mund të më ndodhë ndonjë gjë, pranon, pa harruar kurrë se gjithçka është në dorë të Zotit. Kujton, pastaj, se në Brazil i kishin përgatitur papamobilin e mbyllur. Po unë, pohon, nuk mund ta përshëndes popullin e t’i them se e dua fort, nga kutia e sardeleve, ku jam mbyllur. Për mua ky është mur ndërmjet meje e njerëzve. E muret nuk mund t’i duroj.







All the contents on this site are copyrighted ©.