Videomesazhi i Papës për kampionatin botëror të futbollit
“Kjo Kupë e Botës të zhvillohet me çiltërsi e qetësi të plotë, gjithmonë në respekt
të ndërsjellë, në solidaritet dhe në vëllazëri mes burrave dhe grave, që e dinë se
janë anëtarë të një familjeje të vetme”. Ky është urimi i Papës Françesku, me rastin
e Kupës së Botës në futboll, që fillon sot në Brazil. Mesazhi u dha për televizionin
brazilian “Rete Globo”.
Papa uron që “përveçse festë e sportit, kjo Kupë e
Botës në futboll të mund të shndërrohet në festë solidariteti mes të varfërve”. “Sporti
është një instrument – thotë Papa – për të përçuar vlerat, që mbështesin të mirën
e njeriut dhe ndihmojnë ndërtimin e një shoqërie më paqësore dhe vëllazërore. Le të
mendojmë sinqeritetin, qëndrueshmërinë, miqësinë, pjesëmarrjen e përbashkët dhe solidaritetin”.
Pastaj Papa Françesku vë në dukje tre mësime që dalin nga ushtrimi i sportit, tre
qëndrime thelbësore në dobi të paqes: “nevoja për t’u stërvitur”, “loja e pastër”
dhe respekti për kundërshtarin. Nëse, për të fituar, nevojitet stërvitje, “në këtë
përvojë sportive mund të shohim metaforën e jetës sonë”.
“Në jetë është e nevojshme
të luftojmë, ‘të stërvitemi’, të angazhohemi, për të arritur rezultate të mira. Shpirti
sportiv na jep, kështu, një shembull të flijimeve që duhen bërë për t’i zhvilluar
virtytet, që përbëjnë karakterin e njeriut. Nëse, për të përmirësuar një njeri, nevojitet
stërvitje e fortë dhe e vazhdueshme – pohon Papa – edhe më i madh duhet të jetë angazhimi
për të realizuar takimin dhe paqen ndërmjet njerëzve dhe popujve ‘të përmirësuar’!”. Edhe
‘loja e pastër’ është e rëndësishme, sepse “futbolli mund dhe duhet të jetë shkollë
për formimin e kulturës së takimit, që sjell harmoni dhe paqe mes popujve”. “për të
fituar – pohon Françesku – duhen kapërcyer individualizmi, egoizmi, të gjitha format
e racizmit, të intolerancës dhe të instrumentalizimit të njeriut. Prandaj, nëse jemi
individualist në futboll, kjo përbën një pengesë për suksesin e skuadrës; por, nëse
jemi individualistë në jetë, duke i injoruar njerëzit që na rrethojnë, pasojat i mbart
tërë shoqëria”. Në fund Papa nënvizon se “sekreti i fitores në fushë, por edhe
në jetë, arrihet nëse dimë të respektojmë shokun e skuadrës, si edhe kundërshtarin.
Askush nuk fiton i vetëm, as në fushë, as në jetë! Askush të mos izolohet e të mos
ndjehet i përjashtuar! Dhe, nëse është e vërtetë se, në fund të këtij Botërori, vetëm
njëra kombëtare do të mund ta ngrejë kupën, si fitimtare, po të marrim mësimet që
na jep sporti, të gjithë do të jemi fitimtarë dhe do t’i forcojmë lidhjet që na bashkojnë”.