2014-06-11 15:19:27

Thirrje e Papës: ta zhdukim plagën e punës së të miturve: 168 milionë të shfrytëzuar


Mbrojtje shoqërore për dhjetra milionë fëmijë, që detyrohen të punojnë: e kërkoi Papa, duke bërë thirrje gjatë audiencës së përgjithshme, në prag të Ditës së tyre botërore, që do të kremtohet nesër. Janë 168 milionë fëmijët, për të cilët Ati i Shenjtë kërkoi fëmijëri të shëndetshme. Duke ngritur lart fletpalosjen e Ditës e duke ia treguar turmës për pak sekonda, Françesku pohoi:
“Dhjetra mijëra fëmijë, dëgjojeni mirë këtë, dhjetra mijëra fëmijë, detyrohen të punojnë në kushte poshtëruese, t’i nënshtrohen formave të ndryshme të skllavërisë e të shfrytëzimit, e jo më pak, edhe shpërdorimeve, keqtrajtimeve, diskriminimeve.
Uroj nga zemra që bashkësia ndërkombëtare t’i mbrojë e të përpiqet për ta zhdukur plagën e shfrytëzimit të fëmijëve. Ta thellojmë impenjimin tonë, të gjithë, e posaçërisht familja, për t’u siguruar të miturve e të miturave mbrojtjen e dinjitetit të tyre dhe mundësitë për një fëmijëri të shëndetshme.
Fëmijëria e qetë u krijon të miturve kushtet ta shikojnë me besim jetën dhe ardhmërinë”.
Përgjegjësinë kolektive kujton edhe Organizata ndërkombëtare e punës: “Ta shtrijmë mbrojtjen shoqërore: të luftojmë kundër punës së të miturve” është objektivi i fushatës 2014. E kjo, sepse, sipas denoncimit të Organizatës, numri i fëmijëve që shfrytëzohen sot në botë ka arritur në 168 milionë, nga të cilët, 85 milionë detyrohen të bëjnë punë jashtëzakonisht të rrezikshme.

Për këto fëmijë të shfrytëzuar e të shpërdoruar Papa Françesku e ftoi turmën t’i lutet Zojës së Bekuar, që mbajti në krahë Foshnjën hyjnore. E pas ftesës, i priu korit të besimtarëve, që e ndoqi Françeskun në lutjen korale drejtuar Nënës së Krishtit, për të miturit e miturinë e tyre.









All the contents on this site are copyrighted ©.