2014-06-11 16:36:21

Papa: tregtarët e armëve dhe të skllevërve do të përgjigjen para Zotit!


Frika e Tënzot është e fundmja nga të shtatë dhantitë e Shpirtit Shenjt, së cilës Papa ia kushtoi sot katekizmin e audiencës së përgjithshme. Në Sheshin e Shën Pjetrit, nën rrezet e zjarrta të diellit veror, përballë dhjetra mijëra besimtarëve, Françesku shpjegoi se të pushtohesh nga frika e Zotit, nuk do të thotë të trembesh nga Ai. Përkundrazi, frika e Tënzot e bën njeriun ta ndjejë veten si foshnja në krahët e atit, që të pushton me dashurinë e tij, të mbron, të prin. Kishte shumë ngrohtësi në fjalët e Papës për frikën e Tënzot, por edhe nota alarmi, përballë ngulmit të mëkatit.

Temperaturat e larta të këtyre ditëve vijojnë ta përvëlojnë Romën, e mendimi i Papës shkoi që në fillim tek ata, që vuajnë nga vapa e verës. Prandaj Françesku, para se ta përshkonte gjërë e gjatë Sheshin e Shën Pjetrit, të djersitur, por megjithatë, në festë, u takua me të sëmurët, që e prisnin në Sallën e Palit VI për të thënë së bashku një FalemiMri. Atyre u kujtoi, me kujdes atëror: “Që këtu mund ta ndiqni gjithë audiencën, pa u përvëluar nga dielli”.
Pastaj edhe Ati i Shenjtë doli në Sheshin e valë, mes mijëra besimtarësh, të cilëve u foli për dhantinë e shtatë të Shpirtit Shenjt. Hyji Atë, që na do, dëshiron shpëtimin tonë e na fal gjithnjë. Prej këndej, nuk kemi asnjë arsye të trembemi nga Ati. Të kesh frikën e Tënzot, vijoi të shpjegonte Papa, do të thotë ta ndjesh veten të vogël, si fëmijët në krahët e babait; të brishtë e të sigurt se gjithçka buron nga hiri:
“Ta hapim zemrën, që mirësia e mëshira e Hyjit të vijnë ndër ne! Këtë bën Shpirti Shenjt me dhantinë e frikës së Tënzot: i hap zemrat. I hap, që falja, mëshira, mirësia, ledhatimi i Atit, të vijnë tek ne, që jemi bij jashtëzakonisht të dashur”.
Prej këndej, frika e Tënzot na bën të krishterë të bindur, entuziastë, të pushtuar nga kjo dashuri, por jo të nënshtruar nga frika para syve të Zotit. Veç duhet të jemi shumë të vëmendshëm, vijoi Papa, duke e ndryshuar tonin e zërit. Kjo dhuratë e Shpirtit Shenjt është edhe alarm përballë ngulmit të mëkatit:
“Kur njeriu jeton në të keqe, kur blasfemon kundër Zotit, kur i shfrytëzon të tjerët, kur bëhet tiran, kur jeton vetëm për para, për kotësi, për pushtet, për kreni, atëherë frika e shenjtë e Tënzot lëshon kushtrimin: vëmendje, na thotë! Me gjithë këtë pushtet, me gjithë këto para, me gjithë këtë kreni, me gjithë këtë kotësi, nuk do të jesh aspak i lumtur. Askush nuk mund t’i marrë me vete në botën tjetër paratë, as pushtetin, as kotësitë, as krenitë. Asnjë nga këto!”.
Vetëm një gjë mund ta marrim me vete, shtoi, dashurinë, që na dhuron Hyji Atë:
“Ledhatimet e Hyjit, të pranuara e të marra nga ne me dashuri. E mund të marrim edhe atë, që bëmë për të tjerët”.
E në këtë pikë të katekizmit, duke kujtuar kurthet e panumërta e ngulmuese të mëkatit, Papa nisi dialogun me sheshin:
Ju mendoni se njeriu i korruptuar mund të jetë i lumtur në botën tjetër? Jo! I gjithë fryti i korrupsionit të tij ia kalb zemrën dhe e ka tejet të vështirë të shkojë tek Zoti. Mendoj për ata, që jetojnë duke trafikuar njerëzit dhe punën e tyre prej skllavi. Ju mendoni se këta njerëz, që e tregtojnë njeriun, që e shfrytëzojnë njeriun, duke e detyruar të punojë si skllav, kanë në zemër dashurinë e Zotit? Jo, nuk kanë dashurinë e as frikën e Tënzot, e nuk janë të lum. Nuk janë!”.
Njerëzit pa frikën e Tënzot, përfundoi Papa, mund edhe të fabrikojnë armë për të ndezur luftëra. Për ta e për të gjithë, lutja përfundimtare:“… mendoni ç’ mjeshtri është kjo! Por unë jam i sigurt se po të bëj pyetjen: sa nga ju jeni fabrikantë armësh, do të dëgjoj përgjigjen: ‘Asnjë’. ‘Askush!’. Fabrikantët e armëve nuk vijnë këtu, të dëgjojnë Fjalën e Zotit. Janë të zënë me fabrikimin e vdekjes. Me tregtimin e vdekjes. Shesin e blejnë vdekje! Lutem që frika e Tënzot t’i nxisë ta kuptojnë se një ditë gjithçka merr fund e atëherë arrin ora kur duhet të japin llogari para Tënzot”.







All the contents on this site are copyrighted ©.