2014-06-11 13:49:51

Kardinali Marx: Bashkimi Evropian duhet t’u përgjigjet kërkesave të qytetarëve


“Çështja e të ardhmes së Evropës dhe e përmasës së saj shoqërore, në dritën e rezultatit të zgjedhjeve evropiane, të euroskepticizmit në rritje, të krizës ekonomike dhe të sulmit kundër Muzeut hebraik të Brukselit, të disa ditëve më parë”: këto janë disa nga temat e trajtuara në takimin ndërmjet institucioneve evropiane dhe udhëheqësve të bashkësive fetare, sipas njoftimit të sekretarisë së Komisionit Ipeshkvnor të vendeve të Bashkimit Evropian, kryetari i të cilit, Kardinali Reinhard Marx, ishte anëtar i delegacionit të Kishës Katolike, bashkë me kryeipeshkvin e Strasburgut Jean Pierre Grallet dhe me kryetaren e Akademisë Papnore dhe të Shkencave Shoqërore Margaret S. Archer.
Delegacionin e pritën kryetari i Komisionit Evropian dhe kryetari i Këshillit Evropian, Jose Manuel Barroso dhe Herman Van Rompuy, si dhe zëvëndëskryetari i parlamentit evropian Laslo Shurjan. Sipas Kardinalit Marx, njofton agjencia Sir, “Bashkimi Evropian do ta fitojë edhe një herë mirëbesimin e qytetarëve, nëse do të dijë të gjejë zgjidhje konkrete për problemet dhe sfidat aktuale, që janë papunësia, ndryshimet klimatike, emigrimi, negociatat për marrëveshjen stransatlantike në lidhje me shkëmbimin e lirë”. Gjatë fjalës së tij, kryetari i ipeshkvinjve të Bashkimit Evropian e vuri theksin pikërisht tek marrëveshja e shkëmbimit të lirë, duke saktësuar se “shkëmbimi i lirë sjell gjithmonë mundësinë për më shumë prosperitet, prandaj është gjë e mirë, por tregu ka nevojë edhe për rregulla të qarta”.
Për këtë arsye, sipas kardinalit Marx, “dy partnerët transatlantikë, që përfaqësojnë Perëndimin e gatuar nga krishtërimi, mund të miratojnë, me një marrëveshje të ngjashme, norma të qarta me themel etik për ekonominë globale”, kështu që marrëveshja të mund të jetë “jo vetëm një mundësi, por përgjegjësi e veçantë”. Ndër çështjet etike, që përfshin marrëveshja tregtare, vëren Marx, është edhe pyetja se kush përfiton nga kjo marrëveshje: “a i shërben të mirës së përbashkët?”. A përfitojnë “vetëm kombet e pasura, me përfitime edhe më të mëdha, në dëm të vendeve në zhvillim? Apo me shkëmbimin e lirë mund të krijohen përfitime dhe për më të mekurit e botës?”. Duke cituar Jean Monnet, kardinali gjerman kujtoi se “Evropa e bashkuar duhet të jetë kontribut për një botë më të mirë”, çështje që duhet lidhur me “të gjitha veprimtarit e Bashkimit Evropian”.








All the contents on this site are copyrighted ©.