2014-06-11 13:52:18

Jeruzalem: hebrenj konservatorë, pushtojnë Çenakullin


Një grup hebrenjsh ultra-ortodoksë, pushtoi Sallën e Çenakullit, ku nisi këngë e valle fetare, pasi i nxori përjashta shtegtarët e krishterë, mbledhur aty për solemnitetin e Rrëshajëve. Sipas burimeve të policisë izraelite, njofton agjencia AziaNjuz, grupi përbëhej nga 30 hebrenj, që e zbatojnë pikë për pikë e pa asnjë lëshim, Ligjin e Moisiut. Ndërmjet tyre, edhe Moshe Feiglion, parlamentar i Likudit, parti e kryeministrit Benjamin Netanijahu.
Çenakulli, ku Krishti hëngri Darkën e Mbrame me Apostujt, e ku mbi ta ditën e Rrëshajëve, zbriti Shpirti Shenjt, është sallë, në katin e dytë të një ndërtese pranë zonës të Malit Sion. Që nga shekulli XII nisi të mendohej se pikërisht këtu, në katin përdhes, është varrosur Mbreti David, ndonëse një hamendje e tillë shikohet me shumë dyshim nga arkeologët.
Në ditën e fundit të vizitës së tij në Tokën Shenjte, Papa Françesku pati leje të kremtonte në Çenakull një meshë, së bashku me ipeshkvijtë e patriarkët vendas. Zona i përket shtetit të Izraelit e asnjë kishë e krishterë nuk lejohet të kremtojë funksione fetare në këtë vend. Vetëm Gjon Pali II e Papa Françesku e patën këtë mundësi.
Në të kaluarën u fol shpesh për ta kaluar Çenakullin nën kujdesin e Rojtarisë së Tokës Shenjte e cila, që në zanafillë e deri në pushtimin otoman, ishte pronare e vendit shenjt.
Rreth e rreth Çenakullit duken shpesh shkrime fyese e dhunuese kundër të krishterëve. Pak ditë para vizitës së Papës Françesku, grupe hebrenjsh konservatorë, manifestuan në Jeruzalem e mbi Malin Sion, duke iu kundërvënë çdo mundësie kalimi të Çenakullit nën drejtimin e Rojtarisë të Tokës Shenjte. Shpesh herë shtegtarët e krishterë e vizitojnë të hamendësuarin “Varr të Davidit” në katin përdhes, duke u ndaluar gjatë në lutje. Hebrenjtë e grupit manifestues e konsideruan këtë gjest “blasfemi” e “provokim”. Prandaj iu sulën vendit të shenjtë e, duke pushtuar katin sipër, pasi i dëbuan të krishterët, nisën të këndojnë e të vallëzojnë sipas riteve të fesë së tyre.








All the contents on this site are copyrighted ©.