2014-06-11 15:20:36

Irak: Kisha e angazhuar në gjendjen e rëndë pas sulmeve kaediste


Forcat kaediste të Shtetit Islamik të Irakut dhe të Lindjes janë hedhur në një sulm të fuqishëm. Kanë marrë Mosulin, i cili tashmë është nën breshërinë e bombardimeve qeveritare. Dhjetra mijëra qytetarë kanë marrë arratinë dhe Kisha është tërësisht e angazhuar në ndihmë të tyre. Xhihadistët kanë marrë edhe Kirkukun e Salahedinin, në veri të Bagdadit. Kryeministri Al Maliki i ka kërkuar qeverisë të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, duke thënë hapur: jemi të gatshëm të armatosim këdo që është i gatshëm të luftojë terrorizmin.
“Kolaps total i forcave të sigurisë”: kështu e përshkruan një oficer iraken gjendjen në qytetin e dytë të vendit, tashmë nën kontrollin e ushtarëve sunitë të Shtetit Islamik të Irakut dhe të Lindjes dhe nën bombardimet qeveritare. Ndër dhjetra mijëra qytetarë, që kanë marrë arratinë, në rrafshin e Ninivës gjenden edhe katolikët, të cilët, shpjegon ipeshkvi Emil Shamoun Nona, kanë punuar tërë natën, për të përgatitur strehimin e të shpërngulurve. E ndërsa xhihadistët kanë marrë edhe Kirkukun, 15 kilometra në juglindje, dhe diasa pjesë të provincës së Salahedinit, nesër parlamenti do të vendosë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, në mënyrë që kryeministri shiit Al Maliki të mund të ushtrojë një pushtet të veçantë.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, shprehet “i shqetësuar thellë” për ngjarjet në Mosul, qytet strategjik në rrugën drejt Sirisë. Ai i ka drejtuar Irakut thirrjen për “bashkim kombëtar”. Të njëjtën thirrje e kanë bërë edhe Shtetet e Bashkuara, të cilët i kanë cilësuar kaedistët si një “kërcënim për tërë rajonin”, dhe kanë premtuar një përgjigje “të fuqishme” ndaj kësaj emergjence, bashkë me ndihmën ushtarake për autoritetet vendore.








All the contents on this site are copyrighted ©.