2014-06-11 13:53:11

Dënohen pesë të pandehurit për vrasjen e Politkovskaia-s


U dënuan pesë të pandehurit në procesin për vrasjen e gazetares Anna Politkovskaja, që humbi jetën më 2006. Gjykata e Moskës vendosi t’i dënojë me burgim të përjetshëm dy prej tyre, të tjerët, me burgime të ndryshme. Mbyllet, kështu, gjyqi, por dënimet nuk i davarisin aspak hijet e këtij krimi, sepse dënojnë dorërasit e jo shkaktarët e vërtetë të vdekjes së gazetares ruse.

Zakonisht për shkaktarët e krimeve të shëmtuara në të gjithë botën lindore pas-komuniste, shkruhet se vrasësit u larguan në drejtim të panjohur, ndërsa shpesh, emrat e tyre humbasin në drejtime të mirënjohura.

Anna Politkovskaja u vra më 2006 para shtëpisë së saj, në Moskë, nga një grup vrasësish. Ishte vetëm 48 vjeçe. E famshme për kërkimet mbi shkeljen e të drejtave të njeriut në Rusi e në Çeçeni, punonte për Novaja Gazeta. Hetimet çuan pothuajse menjëherë në pistën çeçene. Në procesin e tretë për vrasjen, u dënuan me burgim të përjetshëm i pandehuri për vrasje, çeçeni Rustam Mahmudov dhe i pandehuri për organizmin e vrasjes, xhaxhai i tij, Gaitukaiev. Të pandehurit e tjerë u dënuan me 12 deri në 20 vjet burgim dhe me një dëmshpërblim prej pesë milionë rublash, pak më shumë se 100.000 euro.
Djali i së vrarës, Ilia, doli krejt i pakënaqur nga gjykata, me bindjen se u dënuan dorërasit, por jo gërgasit, nësa rëndësi kishte të dënoheshin pikërisht këta të fundit. Zëdhënësi i Komitetit hetimor rus, Vladimir Markin, pohon se do të merren të gjitha masat e nevojshme për të gjetur dorën, që armatosi çeçenët.Ndërsa për veteranen e të drejtave të njeriut në Rusi, Ludmila Aleksejevna, çështja nuk mund të konsiderohet e mbyllur. Fajtorët, pohon veterania, morën dënimin e merituar. Por tani duhet dënuar ai, që dha urdhërin për t’i marrë jetën gazetares guximtare, e cila u flijua për fjalën e lirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.