2014-06-10 15:52:17

Vizita e Papës në Bashkësinë e Shën Egjidit


Papa Françesku vizitoi sot pasdite Bashkësinë e Shën Egjidit, në një takim kushtuar kryesisht të varfërve, në qendër të Ungjillit të Jezusit, e edhe të veprimtarisë së Bashkësisë, jetuar si miqësi e shërbim.
Papa arriti në Trastevere në orën 17.00, i shoqëruar nga profesor Andrea Riccardi. Do të përshkojë në këmbë sheshin e Shën Marisë në Trastevere, ku do të takohet me besimtarët e do të shkëmbejë me ta përshëndetjet e rastit. Në Bazilikë do të gjunjëzohet para ikonës të Zojës së Butësisë, figurja më e lashtë prej druri e Marisë, që ekziston në Romë; pastaj do të dëgjojë disa dëshmi e do t’u drejtojë fjalën besimtarëve, për të vijuar me një çast lutjeje.
Pas largimit nga Bazilika e Shën Marisë në Trastevere, gjithnjë në këmbë, Papa Françesku do të vizitojë selinë e Bashkësisë, ku do të takohet me drejtuesit e Shën Egjidit, me disa ipeshkvij, meshtarë, seminaristë, të sëmurë e grupe të tjera.
Kujtojmë se në Bashkësinë e Shën Egjidit shërbimi ndaj të varfërve është i pranishëm që kur u vu guri i themelit. Ky shërbim vijoi të thellohet në rrjedhë kohe, duke marrë forma nga më të ndryshmet, në ndihmë të të pastrehëve, të huajve, emigrantëve, “evropianëve të rinj”, refugjatëve, romëve e sintëve, njerëzve të gjymtë, pleqve, të vetmuarve. Kudo është e pranishme Bashkësia e Shën Egjidit, në Romë e në Botë, të varfërit janë në qendër të vëmendjes, si familjarë të shënegjidasve. Me këtë realitet kishtar do të takohet Françesku, Papa që shprehu qysh ditën e parë të papnimit, dëshirën për “një Kishë të varfër, të të varfërve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.