2014-06-10 15:32:07

OKB: Italia nuk mund ta zgjidhë e vetme çështjen e emigrantëve


Nuk kanë të reshtur mbërritjet e emigrantëve në brigjet italiane. Vetëm mbrëmë 980 vetë prekën tokën siciliane, ndërsa 1300 të tjerë u dërguan drejt Tarantos. “Çështja e emigrantëve në mesdhe nuk është një problem, të cilin Italia mund ta zgjidhë e vetme”, thotë ndërkohë OKB. Sot, ministri i brendshëm i Italisë, Angelo Alfano, dhe presidenti i Shoqatës Kombëtare të Komunave të Italisë, Piero fassino, u mblodhën për të diskutuar pikërisht rreth kësaj teme.

“Çështja e emigrantëve në Mesdhe nuk është një problem, të cilin Italia mund ta zgjidhë e vetme”. Kështu u shpreh dje një zëdhënës i OKB-së, i cili shpjegon: “Italia mban një peshë shumë të rëndë, por është vetëm njëra ndër pikat hyrëse” nga Afrika Veriore dhe Lindja e Mesme. Për këtë arsye, përgjigja nuk mund të jetë vetëm kombëtare, por “nevojitet një përgjigje ndërkombëtare”.
Italia i priste prej kohësh këto pohime nga Kombet e Bashkuara dhe nga Evropa, për të përballuar më mirë vërshimet rrëmbyese të emigrantëve. Rreth 52 mijë janë të ardhurit për këtë vit, deri më sot. Sot, ministri i brendshëm i Italisë takohet me kryetarin e Shoqatës së Komunave italiane, për t’i kërkuar qeverisë fonde të jashtëzakonshme, për mikpritjen. Fassino flet për emergjenca, që s’ishin parë ndonjëherë, të cilave Komunat nuk ia dalin t’u bëjnë ballë, prandaj nevojitet një përgjigje e menjëhershme nga ana e shtetit dhe e Rajoneve.
Kuesturat dhe prefekturat e Sicilisë janë nën presion, sepse, sipas zëdhënësit të Komisariatit të lartë të OKB-së në Itali, “nuk ndodhemi në gjendje emergjence”, por “në një situatë të vështirë, strukturore”. Dje, në ishullin jugor të Italisë zbritën rreth 980 emigrantë, ndërsa 1300 të tjerë janë dërguar në Tarando. Në Palermo, “buletini i fundit i mbërritjeve” flet për 529 refugjatë, për pritjen e të cilëve po kujdeset dioqeza, duke vënë në përdorim mjediset e famullive dhe të Karitasit. Nuk mungojnë viktimat e detit: tre emigrantë kanë vdekur e dy të tjerë nuk gjenden, pas veprimeve për shpëtimin e një gomoneje, që ndërmori një anije malteze, e cila mbërriti dje pasdite në Pozzallo.
Ndërkohë që forcat politike nuk e gjejnë një rrugë të përbashkët për përballjen me këtë fenomen, Kisha është plotësisht e angazhuar për të garantuar një trajtim sa më njerëzor të të ardhurve. Për gjendjen e vështirë, që po stërzgjatet në kohë, folëm me jezuitin Giovanni Lamanna, kryetar i Qendrës Astalli për ndihmën ndaj refugjatëve:

Nuk është emergjencë: mjaft me përdorimin e këtij termi! Kemi parë anije edhe me më shumë njerëz. Le të jenë edhe 50-60 mijë vetë: unë ju kujtoj se ne italianët, si popullsi, jemi 60 milionë, prandaj nuk mund të trembemi. Nuk bëhet fjalë për emergjencë, nuk është punë numrash. Puna është se, ose Bashkimi Evropian përballet me situatën kritike, që është paraqitur, dhe përpiqet, me dinjitet e drejtësi, të japë ndonjë përgjigje, por mbi të gjitha të ndërhyjë tek konfliktet, që i shtyjnë shumë njerëz të braktisin vendin e vet, ose do të gjendemi gjithmonë në këtë situatë.
Njerëzit që ikin, kanë nevojë të kërkojnë mbrojtje nga ne. Më duhet të kujtoj se “Mare Nostrum” është një instrument, që i shpëton njerëzit, edhe pse fatkeqësisht nuk i shpëton të gjithë, siç e kanë treguar tragjeditë e fundit. Prandaj, edhe një herë i bëjmë thirrje Bashkimit Evropian, që të caktohen kanale humanitare të sigurta: t’i lejojmë këta njerëz të lëvizin të sigurt dhe, mbi të gjitha, me këto kanale humanitare, t’i shkëpusim nga shfrytëzimi i trafikantëve. Le të kujtojmë edhe se Jordania e Libani po mbartin peshën më të rëndë të kësaj tragjedie, që është lufta në Siri, të cilën, si bashkësi ndërkombëtare, vijojmë ta shikojmë, të pafuqishëm, indiferentë, të paaftë për të vënë paqen në atë tokë.

Ju, me të drejtë, nënvizonit peshën, që bartin vendet kufitare me Sirinë. Të njëjtën peshë, sigurisht, me përpjesëtime krejtësisht të ndryshme, në këto çaste po e bartin edhe disa komuna të Sicilisë...

Po. Kësaj ne mund t’i përgjigjemi në mënyrë dinjitoze: nëse lihen në truallin italian të gjithë njërëzit që zbresin aty, kuptohet se krijohet një situatë kritike. E dimë se mund të arrihet tejngopja, prandaj le të merremi me shpërndarjen në truallin tonë, në të gjithë – e nënvizoj të gjithë – truallin tonë, atëherë do të tejkalohet situata kritike në Sicili. Nuk është rastësi, që nga të ardhurit e fundit, disa i kemi dërguar në Taranto. Kështu do të reagonim me dinjitet dhe në respekt të të drejtave të këtyre njerëzve. Duhet rishikuar e gjithë politika evropiane. Kush ka premtuar një Evropë të ndryshme gjatë fushatës zgjedhore, duhet të mbajë premtimet dhe t’i shndërrojë politikat e mbyllura e kundërshtuese të Bashkimit Evropian, në politika të afta për të zgjidhur konfliktet dhe për t’i pranuar të tjerët, si “Bashkësi” evropiane. Kjo nuk është situatë kritike italiane, apo greke, apo spanjolle: është në lojë dinjiteti, aftësia e mbarë Bashkimit Evropian për të qenë i drejtë.

Kujtojmë se gjatë viteve ’90 brigjet e shtetit fqinj i mësynin anijet dhe gomonet e shqiptarëve, të cilëve, iu desh të paguanin trafikantë, të përballeshin me egërsinë e detit dhe, kur ia dilnin të vinin këmbë në tokën italiane, të nisnin kalvarin e gjatë të pajisjes me leje qëndrimi.
Sot, në Itali gjenden rreth një gjysmë milioni shqiptarë, krejtësisht të integruar, të cilët renditen ndër grupet migratore më të suksesshme, si në punë, ashtu edhe në arsim.








All the contents on this site are copyrighted ©.