2014-06-10 15:51:44

Kuvëndim kushtuar Piut X, Papë reformator përballë sfidave të shekullit


“Shën Piu X- Papë reformator, përballë sfidave të shekullit të ri” titullohet takimi, që do të mbahet të enjten, më 12 qershor, në Romë, me rastin e njëqindvjetorit të vdekjes së Papës Sarto. Kuvëndimi u paraqit dje në Sallën e Shtypit të Vatikanit nga atë Bernard Ardura, kryetar i Komitetit të Shkencave Historike, organizator i ngjarjes dhe nga profesor Alejandro Mario Dieguez, i Arkivit Sekret të Vatikanit.

“Mbi të gjitha, ishte bari shpirtrash”, kështu e paraqiti atë Bernard Ardura, Gjuzepe Sarton, lindur në një familje fshatare, më 2 qershor 1835, meshtar, kapelan, famullitar, kanonik e kancelar i Kuries trieshtine, më pas ipeshkëv i Mantovës, së fundi kardinal e Patriark i Venedikut, zgjedhur në fronin papnor me emrin Piu X, më 1903. Sot Papa Piu nuk njihet as sa duhet e as si duhet. Për shumëkënd, ishte papë konservator, sepse e dënoi modernizmin, gjykim që e zbehu kujtimin e tij si reformator i madh, siç ishte, në fushën kishtare e shoqërore:
“I deshi të varfërit, të cilëve u dhuroi gjithçka kishte. Armik i betuar i socializmit dhe i liberalizmit, punoi me të gjitha forcat për të përmirësuar kushtet e jetesës së punëtorëve, inkurajoi Shtëpitë Famullitare të Punëtorëve, Shoqëritë e Ndihmës reciproke, zyrat popullore të punës e, për t’i dhënë shtytje punës së klerit në këtë drejtim, themeloi, më 1895, një katedër shkencash ekonomike e shoqërore në Seminar”.
U përpoq për krijimin e një atmosfere mirëkuptimi e pajtimi me Mbretërinë e Italisë…
“…tashmë i bindur se nuk kishte kthim mbrapa. Mendonte se ishte e nevojshme të përgatitej afrimi progresiv ndërmjet Italisë së re e Selisë së Shenjtë, duke e braktisur gjithçka ishte kalimtare në qëndrimet e mbajtura nga Papa Piu IX e Leoni XIII pas pushtimit të Shtetit Papnor”.
Motoja e tij, Instaurare omnia in Cristo (Të ripërtërihet gjithçka në Krishtin), revolucionoi veprimtarinë baritore të dioqezave italiane, duke përfshirë Romën e edhe Kurien Romake. Përgatiti Codex Iuris Canonici, nxiti kungimin e parë të fëmijëve e kungimin e përditshëm të të rriturve, inkurajoi Veprimin Katolik, reformoi liturgjinë, i dha hov muzikës e këngës kishtare si dhe katekizmit për fëmijë e të rritur, Ndërroi jetë vetëm pak ditë pas shpërthimit të Luftës I Botërore, pasi kishte bërë çmos për t’i prerë udhën, me nxitjen apostolike Dum Europa:
“Është testament paqeje ndër më të lartit, që iu dorëzua ndonjëherë breznive të ardhshme”.
Kuvëndimi kushtuar Shën Piut X ka shumë rëndësi, sepse synon të hapë perspektiva të reja analize, falë botimit të katër vëllimeve, nën kujdesin e Arkivit të Vatikanit, shtoi profesor Dieguez:“U krijuan kështu, mundësitë për të pasqyruar Piun X të historisë, e jo të mitit, Piun X të qeverisjes e të reformave kishtare, e jo vetëm atë të përshpirtërisë popullore, duke rikompozuar personalietin e ndërlikuar e jashtëzakonisht tërheqës të këtij Pape”.







All the contents on this site are copyrighted ©.