2014-06-09 14:14:24

Papa: Lumturitë, program pratik i shenjtërisë


Lumturitë janë program i jetës së të krishterit. Këtë pohoi sot Papa gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë e përqendroi gjithë homelinë tek Lumturitë, duke nënvizuar, një ditë pas takimit të lutjes për paqe në Vatikan, se duhet marrë guximi i butësisë, për ta mundur urrejtjen.RealAudioMP3

Lumturitë janë programi, karta e identitetit e të krishterit, tha Papa Françesku gjatë homelisë, një meditim i thellë, kushtuar Lumturive, për të cilat flet Ungjilli i sotëm. Nëse ndonjëri nga ne, pohoi, bën pyetjen: “Ç’duhet bërë për të qenë i krishterë i mirë?’, këtu e gjejmë përgjigjen e Jezusit, që na tregon sjellje, të gjitha kundër rrymës, në krahasim me gjithçka që do e bën bota. Pasuritë, vijoi Papa, nuk të sigurojnë asgjë. Për më tepër, kur zemra mbushet plot me pasuri, kënaqet me vetveten e në të nuk ka më vend për Fjalën e Zotit. Prandaj, lum ata, që vajtojnë, se do të ngushëllohen:
Po bota na thotë: gëzimi, lumturia, dëfrimi, këto po, janë të bukura. Sepse kjo është jetë! E nuk do t’ia dijë fare, kthen kokën mënjanë, kur ka probleme sëmundjesh, dhimbjesh në familje. Bota nuk do të qajë, bota nuk i do dhimbjet. Dëshiron t’i mbulojë, t’i harrojë. Por vetëm njeriu, që i shikon gjërat ashtu siç janë e qan në zemër të vet, është i lum e do të gjejë ngushëllim. Ngushëllimin e Jezusit, jo atë të botës. Lum të butët në këtë botë, botë luftërash, që kur zu fill, botë sherresh, botë urrejtjesh, mërish. E Jezusi na thotë: larg luftërash, larg urrejtjesh. Paqe e butësi”.
Por, po të jem i butë në jetë, vijoi, njerëzia mendon se jam njeri pa mend, se nuk jam në gjendje ta kuptoj këtë jetë! Të mendojnë si të duan, tha Papa, po ti e di se nuk je budalla, se je i butë e se me këtë butësi do të trashëgosh Tokën: “Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi, lum, shtoi, ata që luftojnë për një botë të drejtë. Nuk është vështirë, nënvizoi, të hysh në klikat e korrupsionit, në politikën e përditshme të do ut des (më jep, të jap). Gjithçka bëhet për interes. E ngarkohet me padrejtësi. Sa e sa njerëz vuajnë nga këto padrejtësi. Lum të mëshirshmit, se do të gjejnë mëshirë. Të mëshirshmit, pohoi Papa, janë ata që falin, që i kuptojnë gabimet e të tjerëve. Jezusi, sqaroi, nuk thotë “Lum ata që ahmerren, që e marrin hakun”. Por thotë:
“Lum ata që falin, që janë plot me mëshirë. Sepse ne të gjithë jemi ushtri të falurish. Të gjithë u falëm. Prej këndej, i lum është ai, që ecën në rrugën e faljes. Lum të pastrit në zemër, njerëz me zemër të thjeshtë, të pastër, pa ndyrësi, zemër që di të dojë pastërtisht. Lum veprimtarët e paqes. Po për ne është më e lehtë të jemi veprimtarë luftërash ose ngatërresash! Kur dëgjoj një gjë e vrapoj t’ia them tjetrit e t’ia tregoj ashtu si më pëlqen, paksi më gjerë e paksi më gjatë…. krijohet bota e përgojimeve. Thashethemnaja! E njerëzit që merren me thashetheme, nuk dinë ç’është paqja, janë armiq të paqes. Nuk janë të lum!”.
Lum të persektuarit për drejtësi. Këta njerëz, vijoi Papa, persekutohen vetëm e vetëm pse luftojnë për drejtësi. E ky është programi i Lumturive, që na e propozon Jezusi: sa i thjeshtë, aq i vështirë. E nëse dëshirojmë edhe më shumë, Jezusi na jep protokollin, sipas të cilit do të gjykohemi. Gjindet në Kapitullin e 25-të të Ungjillit sipas Mateut: “Isha i uritur, e më dhatë të ha; i etur, e më dhatë të pi; i sëmurë, e më vizituat; në burg, e erdhët e më patë”. Me këto dy gjëra: Lumturitë e Mateu 25, mund ta jetosh jetën e krishterë në nivelin e shenjtërisë:
“Pak fjalë, fjalë të thjeshta, por praktike për të gjithë, sepse kristianizmi është fe praktike: nuk është gjë për t’u menduar, është për t’u praktikuar, për t’u bërë. Sot, nëse keni pakëz kohë në shtëpi, merreni në dorë Ungjillin, Ungjillin e Mateut. Në fillim janë Lumturitë: kapitulli V. E do t’ju bëjë mirë t’i lexoni një herë, dy, tri herë. Të lexoni këtë program shenjëtërie. Zoti ju dhëntë hirin ta merrni vesh këtë mesazh!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.