Atë Federico Lombardi flet për lutjen e djeshme në Vatikan
Për ngjarjen historike, që e bëri tërë botën t’i kthente sytë plot shpresë kah Toka
e Shenjtë, le të dëgjojmë komentin e drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit,
Atë Federico Lombardi:
Papa Françesku,
në një mendje me pjesëmarrësit e tjerë në këtë takim, deshi të jepte sinjalin e fuqishëm
të thirrjes drejtuar Hyjit, të hapjes dhe të një angazhimi më të madh dhe të tjetërllojshëm,
në shërbim të paqes. Dhe, siç tha edhe Ati Rojtar i Tokës së Shenjtë para dy ditësh,
ndoshta nuk do të shpërthejë paqja, në kuptimin që në Lindjen e Mesme nuk do të dryshojë
gjendja nga njëra ditë në tjetrën; megjithatë, sigurisht njerëzit me vullnet të mirë
dhe njerëzit që besojnë në Hyjin, dhanë një kontribut të ri, një kontribut të fortë,
me të gjitha forcat, duke thirrur në ndihmë hirin e Zotit, dhuratën e paqes – paqja,
besojmë, është dhuratë – dhe aftësisë së zemrave për t’u kthyer e për të vepruar ndryshe.
Papa flet gjithmonë për kulturën e takimit: takimi i djeshëm qe me të vërtetë takim
mes njerëzve, nën shenjën e fesë.
Përveç fjalëve, në takimin e djeshëm,
ranë në sy gjestet...
Sigurisht. Pati shtrëngime duarsh, por pati edhe përqafime,
përqafime të sinqerta, përveç mbjelljes së ullirit, që është shenja klasike e gjesteve,
e çasteve në të cilët bëhen përpjekje për të ndërtuar paqen. Do të thosha se përqafimet
u dukën shumë të sinqerta. Ajo që bëri më shumë përshtypje dhe që ishte gjë e dëshirueshme
dhe e pritur, qe përqafimi i dy presidentëve. Ai qe edhe çasti i “çlirimit” të protagonistëve,
të popujve, që e dëshirojnë sinqerisht paqen, por e kanë të vështirë të gjejnë udhën
e saj. Ja, pra: kjo nostalgji për paqen, por edhe vullneti për paqen, u shprehën si
duhet me përqafimet e djeshme.
Sot gazetat nënvizojnë thënien e Papës,
se duhet të kemi guximin për paqen...
Vetë ky takim qe një vepër e guximshme,
sepse realizmi i ndrojtur çon në shkurajimin përballë dështimeve të shumta me të cilët
ndeshemi në udhën e paqes. Por, besimtari – dhe leximet e djeshme biblike e thonë
këtë në shumë mënyra – është ai që vijon të shikojë kah Hyji dhe aty gjen guximin
që i nevojitet. Papa flet shpesh për befasitë e historisë, që mund të vijnë nga Shpirti
i Zotit, që vërshon. Për ne, besimtarët e krishterë, dje ishin Rrëshajët, çasti i
zbritjes së Shpirtit të Shenjtë, që e përtërin gjithësinë e krijuar. Ne besojmë se
diçka e re është gjithmonë e mundur dhe këtë ia kërkojmë Hyjit e përpiqemi të vihemi
edhe ne në udhë, me të gjitha forcat tona.
Çfarë rëndësie pati prania e
Bartolomeut I në këtë takim?
Bartolomeu dha sinjalin e ekumenizmit të krishterë.
Tek e fundit, nuk duhet të harrojmë se takimi i mbrëmshëm ishte, në një farë mënyre,
përmbyllja e vërtetë e udhëtimit në Tokën e Shenjtë, sepse ngjarja u shpall dhe u
përgatit gjatë udhëtimit në Tokën e Shenjtë, ku Bartolomeu ishte protagonist, bashkë
me Papën, meqë takimi në Tokën e Shenjtë u organizua si përkujtim i përqafimit të
Palit VI me Atenagorën. Prandaj, Bartolomeu tregoi këtë fakt: se për të gjithë të
krishterët, për të gjitha bashkësitë e krishtera, edhe Jeruzalemi dhe Toka e Shenjtë
janë themelore, prandaj të gjithë të krishterët e botës bashkohen me këtë dëshirë
dhe me këtë lutje për paqen. Jo vetëm Papa Françesku, me karizmën e tij; jo vetëm
katolikët, por të gjithë të krishterët bashkohen me të gjithë besimtarët, hebrenj
e myslimanë, për të kërkuar paqen në këtë rajon, që është shumë i rëndësishëm për
të gjithë. Për këtë arsye ishte e rëndësishme që dje të ishte i pranishëm Patriarku
greko-ortodoks i Jeruzalemit, Teofili, “i pari” o bashkësisë së krishterë të Jeruzalemit,
si edhe Patriarku latin Twal.