2014-06-08 13:09:15

Në Mbretëreshën Qiellore, Papa lutet për takimin e paqes në Vatikan


Gjatë Mbretëreshës Qiellore, në mesditë, Papa Françesku kërkoi lutje për takimin e mbrëmjes në Vatikan, me presidentin e Izraelit, Shimon Peresh dhe me atë të Palestinës, Mahmud Abas, së bashku me Patriarkun ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeu I. Takim historik, nënvizoi Papa, për t’iu lutur Zotit për dhuratën e paqes në Tokën Shenjte, në Lindjen e Mesme e në botën mbarë:RealAudioMP3
“Dëshiroj t’i falenderoj të gjithë ata, që personalisht e në bashkësi, janë lutur e po luten për këtë takim dhe bashkohen shpirtërisht me lutjen tonë. Faleminderit!”
Para se të thoshte lutjen e Mbretëreshës Qiellore, Papa theksoi sërish, ashtu siç pati bërë edhe në homelinë e meshës, se festa e sotme e Rrëshajëve përkujton dikimin e Shpirtit Shenjt mbi Apostujt e shënon lindjen e Kishës:
“Ngjarja e Rrëshajëve shënon lindjen e Kishës dhe manifestimin e saj publik; na bëjnë përshtypje dy tipare: është Kishë, që befason e pështjellon”.
Vërtet, pas vdekjes së Jezusit, askush nuk priste më asgjë prej apostujve. Ishin thjesht një grup pa rëndësi, që Mësuesi i kishte lënë jetimë. Por, ja ngjarja e papritur:
“Dishepujt u veshën me pushtet nga lart dhe folën me guxim e çiltërsi, me lirinë e Shpirtit Shenjt”.
Ndokush në Jeruzalem, vazhdoi Papa Françesku, do të kishte preferuar që dishepujt e Jezusit, të bllokuar nga frika, të qëndronin të mbyllur në shtëpi, për të mos krijuar probleme. Por Zoti i shtyn drejt botës:
“Kisha e Rrëshajëve është Kishë, që nuk pranon të jetë e parrezikshme, element dekorativ. Është Kishë, që nuk heziton të dalë jashtë, të takohet me njerëzit, për t’u kumtuar mesazhin, që i është besuar, pavarësisht se ai mesazh i shqetëson apo i alarmon ndërgjegjet”.
Kisha, përfundoi Papa Françesku, lind si një e vetme dhe universale:
“…me identitet të përcaktuar, por e hapur, Kishë që rrok botën por nuk e mban peng, si shtyllat e këtij sheshi: dy krahë, që hapen për të mirëpritur, por nuk mbyllen për t’i mbajtur njerëzit brenda”.








All the contents on this site are copyrighted ©.