2014-06-06 14:14:13

Papa meshtarëve: Jezusi, “dashuria e parë”, nuk harrohet kurrë


Barinj, para se studiues, që nuk e harrojnë kurrë Krishtin, “dashurinë e parë”, të cilën e ndjekin pas gjithë jetën: ky ishte portreti që i bëri Papa Françesku, gjatë mshës së sotme, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, burrave, të cilët ia kushtojnë gjithë jetën Zotit në meshtari.RealAudioMP3

“Si shkon dashuria e parë? Domethënë, vijoj të jem i dashuruar me ty, si ditën e parë? Jam i lum me ty, apo të harrova? Pyetje universale, që duhet bërë shpesh, kujtoi Papa Françesku. E duhet ta bëjnë jo vetëm burrat e gratë, që zgjedhin të njëjtin short e ndajnë bashkë të mira e të vështira, ditë për ditë. Por edhe edhe priftërinjtë e ipeshkvinjtë, përballë Jezusit. Sepse është Ai, vijoi Papa, që na pyet, ashtu si pati bërë një ditë me Pjetrin: “Simon, biri i Jonës, a më do?”. Homelia e Papës e mori shtytjen pikërisht nga ky dialog i Ungjillit, gjatë të cilit Krishti e pyet tri herë rresht të parin e Apostujve në se e donte më shumë nga gjithë të tjerët, në mënyrë që, vërejti Ati i Shenjtë, ta mbante gjithnjë të ndezur dashurinë e tij të parë:
“Kjo është pyetja, që i bëj vetes e vëllezërve të mi ipeshkvij e meshtarë: si është dashuria, dashuria për Jezusin, sot? Si dashuria e parë? A jam i dashuruar me Zotin, si ditën e parë? Apo puna, shqetësimet ma shuajnë zjarrin e më bëjnë të humbas në shtjellën e njëmijë mendimeve të tjera e ta harroj paksa dashurinë? Bashkëshortët grinden! Grinden! E kjo është normale. Po kur dashuria shuhet, nuk grinden më. Ndahen!”.
Të mos e harrojmë kurrë dashurinë e parë. Kurrë, theksoi me forcë Papa Françesku, duke vënë, në vijim, theksin mbi tre aspekte, që duhen pasur parasysh në dialogun e meshtarit me Jezusin. Para së gjithash, para studimit, para dëshirës për t’u bërë intelektual i filozofisë, i teologjisë a i patrologjisë, meshtari duhet të jetë bari. Na e kujton gjithnjë porosia, që i dha Jezusi Pjetrit: “Kulloti delet e mia!”… “Të tjerat vijnë vetë, pastaj”, kujtoi Ati i Shenjtë:
“Kullot! Me teologji, me filozofi, me patrologji, me gjithçka studion. Kullot! Ji bari. Sepse për këtë na thirri Zoti! Për këtë na i vë ipeshkvi duart mbi kokë. Na i vë, që të jemi barinj. Vjen, pastaj, edhe pyetja e dytë, apo jo? E para ishte: ‘Si shkon dashuria e parë?’. E dyta: ‘Jam bari, apo nëpunës i kësaj Ong, që quhet Kishë?’ Ka ndonjë ndryshim? Jam bari? Është pyetje që duhet t’ia bëj vetes, që duhet t’ia bëjnë ipeshkvinjtë vetes, që duhet t’ia bëjnë priftërinjtë. Kulloti! E kullot. Shko përpara”.
E nuk ka lumni, as madhështi, vërejti në vijim Papa, për bariun, që i kushtohet Jezusit. Jo, o vëlla, nuk ka! Do t’i mbarosh ditët në mënyrën më të rëndomtë, edhe në më të përvuajturën, shpesh herë: në krevat, ku të japin të hash, të veshin… Po kot, ti je aty, i shtrirë, i sëmurë… fati është fundi. Do të marrësh fund, si Ai: dashuri, që vdes, si fara e grurit; e kështu, pastaj do të vijë fryti. Po unë nuk do ta shoh!
Së fundi, vijoi Papa Françesku, aspekti i katërt, fjala më e fortë e Jezusit, në dialog me Pjetrin: “Eja pas meje!”:
“Nëse ne e kemi humbur drejtimin ose nuk dimë t’i japim përgjigje pyetjes për dashurinë, nuk dimë të përgjigjemi as për punën e bariut, e nuk jemi të sigurtë nëse Zoti do të jetë pranë nesh, në çastet më të liga të jetës, në sëmundje, Ai na thotë: “Eja pas meje!”. E kjo është siguria jonë! Mbi gjurmët e Jezusit. Në udhën, ku shkel Ai: “Eja pas meje!”.
Të gjithë ne, meshtarëve e ipeshkvinjve, uroi në përfundim Papa, Zoti na dhëntë hirin ta gjejmë ose ta kujtojmë gjithnjë dashurinë e parë, të jemi barinj, të mos kemi turp nga fundi i përvujtë në një krevat, ndoshta edhe me mendje të humbur. E na e dhëntë gjithnjë hirin të ecim pas Jezusit, mbi gjurmët e Jezusit: hirin për ta ndjekur pas, gjithmonë!










All the contents on this site are copyrighted ©.