2014-06-06 14:14:50

Papa karabinierëve italianë: më 13 shtator, lutja në Redipulja për viktimat e luftës


Papa Françesku do të shkojë më 13 shtator në Mauzoleumin ushtarak të Redipuljas në Itali. Vetë Ati i Shenjtë e dha këtë lajm sot në sheshin e Shën Pjetrit, në audiencë me rreth 50 mijë karabinierë italianë, që kremtonin 200-vjetorin e themelimit të Armës. Papa nënvizoi se thirrja e karabinierëve, të cilët veprojnë jo vetëm në Itali por edhe jashtë saj – si në Shqipëri, për shembull – është shërbimi.RealAudioMP3
Bir emigratësh piemontezë, Papa Françesku ka dëgjuar për herë të parë për karabinierët, nga tregimet e prindërve. Ndoshta, prandaj vërejti se historia e karabinerëve është historia e Italisë. Vuri në dukje se ata përpiqen të jenë “ndërtues të paqes” në atdhe e jashtë tij, aty ku duhen mbrojtur të drejtat e njeriut, në vende, që përshkohen nga konflikte e tensione të çdo lloji. E Papa, në këtë kuadër, njoftoi:
“Dëshiroj të shpall se më 13 shtatorin e ardhshëm dua të shkoj shtegtar në Mauzoleumin ushtarak të Redipuljes, në provincën e Goricies, për t’u lutur për të rënët e të gjitha luftrave. Rasti është njëqindvjetori i fillimit të asaj tragjedie të madhe, që ka qenë Lufta I Botërore, për të cilën kam dëgjuar shumë histori të dhimbshme nga goja e gjyshit, i cili ka marrë pjesë në të në Piave…”.
Para se të jepte këtë lajm, Papa i ftoi karabinerët të jenë gjithnjë në mes të njerëzve. Kujtoi se stacionet e tyre janë pikë referimi për italianët, të cilëve ata u shërbejnë me impenjim e përkushtim:
“Të dashur karabinierë, misioni juaj shprehet në shërbimin për të afërmin e ju impenjon çdo ditë për t’iu përgjigjur besimit dhe vlerësimit të njerëzve për ju. Kjo kërkon gatishmëri të vazhdueshme, durim, shpirtin e sakrificës e ndjenjën e detyrës”.
Papa Françesku kujtoi edhe të gjithë ata, që e kanë nderuar Armën, duke ofruar jetën për të shpëtuar jetë të tjera. Përmendi veçanërisht Salvo d’Acquisto-n, për të cilin vijon çështja e lumnimit:
“Të mendojmë për shërbëtorin e Zotit, Salvo d’Acquisto, i cili, 23 vjeç, këtu pranë Romës, në Palidoro, ofroi spontanisht jetën e tij të re për të shpëtuar jetën e njerëzve të pafajshëm nga brutaliteti nazist. Në gjurmët e kësaj tradite të gjatë, vazhdoni me qetësi e bujari shërbimin tuaj, duke dëshmuar idealet, që ju frymëzojnë ju dhe familjet tuaja, të cilat ju qëndrojnë gjithnjë afër”.
Para takimit me Papën, karabinerët morën pjesë në meshën e kremtuar nga Ordinari ushtarak, imzot Santo Marcianò, i cili edhe e përshëndeti Atin e Shenjtë gjatë audiencës, së bashku me Komandantin e Përgjithshëm të Armës dhe me Ministren italiane të Mbrojtjes.








All the contents on this site are copyrighted ©.