2014-06-06 17:03:16

Kryeministri japonez i dhuron Papës një pasqyrë “antipersekutim”


Sot paradite, Papa Françesku priti në audiencë kryeministrin e Japonisë, z. Shinzo Abe, me të cilin, siç nënvizon komunikata e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, bisedoi për disa tema me aktualitet rajonal e ndërkombëtar, sidomos në nismat për paqen e për stabilitetin në kontinentin aziatik, në impenjimin e Japonisë për zhvillimin e Afrikës, në çështjet e ambientit e të çarmatimit bërthamor.
E veçantë, dhurata që i dha Atit të Shenjtë kryeministri japonez: një paqyrë e veçantë, fabrikuar nga një zejtar i sotëm, por e njëjtë me paqyrat e përdorura nga të krishterët klandestinë të shekullit XVII. Ata fshihnin në pasqyrë fugure e simbole kishtare me një teknikë, që normalisht nuk i zbulon para syve të botës, por mjafton drita e diellit për t’i parë. Kjo, që kryeministri i dhuroi Papës, pasqyron një kryq e një fugure të Jezusit.
Shinzo Abe shpjegoi se vetë Papa Françesku e kishte frymëzuar për këtë dhuratë, pasi pati kujtuar historinë e Japonisë, ku krishterimi nuk u rrënjos nga meshtarët e misionarët, por nga laikët, të cilët e mbajtën gjallë për dy shekuj e gjysëm, pavarësisht nga persekutimi. “E ruajtën fenë përmes hirit të Pagëzimit”, pati thënë Ati i Shenjtë. Kur misionarët u rikthyen në Japoni, gjetën një bashkësi të krishterë, që kishte trashëguar frytet e kumtimit të parë të Ungjillit, farë e mbjellur nga misionarët e mëse 250 vjetëve më parë, detyruar të largoheshin për shkak të persekutimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.