2014-06-06 16:44:06

Konferencë shtypi e atë Lombardit për takimin e paqes në Vatikan



Konferencë shtypi, në Vatikan, për të paraqitur zhvillimin e nismës “Lutje për paqen”, në të cilën Papa Françesku ftoi presidentët Shimon Peresh e Mahmud Abas, me të cilët do të takohet në Vatikan, në muzg të së dielës, 8 qershor. Të pranishëm në konferencë, atë Pierbatista Picabala, Rojtar i Tokës Shenjte dhe atë Federiko Lombardi, drejtor i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë.RealAudioMP3

Atë Lombardi kujtoi, në fillim, ftesën drejtuar nga Papa dy presidentëve, gjatë shtegtimit në Tokën Shenjte, për t’i lartuar së bashku Zotit lutjen për dhuratën e paqes. E për këtë, Ati i Shenjtë hapi dyert e shtëpisë së tij, në Vatikan, për ta kremtuar këtë takim lutjeje. Të gjithë e dëshirojmë paqen, kujtoi atë Lombardi, e shumë nga ne e ndërtojnë ditë për ditë, me gjeste të vogla. Të tjerë, vuajnë e mbartin me durim barrën e përpjekjeve për ta arritur. E të gjithë, posaçërisht ata, që i shërbejnë popujve të tyre, e kanë për detyrë të bëhen mjete e ndërtimtarë të paqes, para së gjithash, në lutje. Të ndërtosh paqen është e vështirë, por të jetosh pa paqe është torturë. Gjithë burrat e gratë e kësaj toke e të mbarë botës, kanë dëshirë t’i çojnë para fronit të Zotit dëshirat e tyre të zjarrta për paqen.
Ngjarja, vijoi të sqaronte atë Lombardi, do të fillojë pasditën e së dielës, me arritjen e dy presidentëve në Vatikan: sipas parashikimit, Presidenti Peresh do të arrijë rreth orës 18.15, Abas, në orën 18.30. Duke hyrë nga Porta e Peruxhinos, do të arrijnë në Shtëpinë e Shën Martës. Papa do t’i presë njërin pas tjetrit, tek porta e Shtëpisë së Shën Martës e pastaj do të bisedojë me mysafirët e shquar, njëri pas tjetrit. Rreth orës 18.45, të tre do të takohen në hollin e Shën Martës, në praninë e Bartolomeut I, që do të vijë në Romë një natë më parë, për të kremtuar, në mëngjes, në Kishën e Shën Teodorit, kishë e bashkësisë greko-ortodokse. Patriarku do të banojë në Vatikan, i ftuar nga Papa për të marrë pjesë në këtë ngjarje.
Pastaj, së bashku, mbi një auto të përshtatshme, do të shkojnë në vendin e takimit. Atë Picabala do të jetë i pranishëm, për të ndihmuar zhvillimin e ngjarjes.
Vendtakimi do të jetë një lëndinë tejet e bukur trekëndëshe, ndërmjet Shtëpizës së Piut IV, Akademisë së Shkencave dhe Muzeve të Vatikanit. Trekëndëshi drejtohet nga Kupola e Shën Pjetrit. Vend jashtëzakonisht mahnitës, në Kopshtet, ndërmjet dy gjerdheve të larta. Vend i veçuar, shumë i përshtatshëm për një çast të tillë.
Do të jenë të pranishme dhe delegacionet, këngëtarët, e edhe gazetarët, në një vend nga ku mund ta ndjekin gjithë ngjarjen. Do të nisë kështu, lutja për paqen.
Pasi të arrijnë në vendin e caktuar Papa do të ulet ndërmjet dy presidentëve, Presidentit Peresh, që do të jetë në të djathtën, e Presidentit Abas, në të majtën, ndërsa Patriarku do të jetë në një vend të posaçëm. Si të kenë zënë vend, do të ketë një hapje muzikore, një shpjegim të shkurtër të ngjarjes në gjuhën angleze e pastaj, tre çaste sipas rendit kronologjik të tri feve: çasti i parë, i hebraizmit, pastaj i kristianizmit e, së fundi, i islamit. Çasti hebraik, natyrisht, do të ketë tekste hebraike, ai mysliman, arabisht. Do të ndiqet ky rend: së pari do të ketë një falënderim për Krijimin; pastaj lutja për falje e pastaj, lutja për paqen. Në tre çastet e tri feve, nuk do të mungojnë ndërhyrjet e shkurtëra muzikore, nën drejtimin e imzot Palombelës, në bashkëpunim me muzikantët.
Pas këtyre tre çasteve kryesore të lutjes për paqen, do të ketë një shpjegim tjetër të shkurtër në anglisht, që do t’i paraprijë tre fjalimeve: të Atit të Shenjtë, Presidentit Peresh e Presidentit Abas të cilët, natyrisht, do të flasin fjalë të frymëzuara nga dëshira për paqe.
Pastaj, ka mundësi të ndjekë një shtrëngim duarsh, në shenjë paqeje e po nën këtë shenjë, mbjellja e një filizi ulliri, simbol i paqes. Pastaj secili do të rikthehet në vendin e vet, për të pritur delegacionet, që dëshirojnë t’i përshndesin. Në vijim, protagonistët e takimit do të shkojnë në Akademinë e Shkencave, pak më tutje, për një takim shumë të rezervuar, që nuk do të ndiqet nga shtypi, as nga telekamerat.
Pas një bisede të lirshme, do të dalin e presidentët do të largohen nga Vatikani me makinat e tyre, ndërsa Papa e Bartolomeu do të rikthehen në Shtëpinë e Shën Martës.
Takimi, sqaroi atë Lombardi, duhet të nisë në orën 19.00 e mendohet të zgjasë ndonjë orë, për t’u pasuar nga faza përfundimtare, përshëndetjet e largimi, ndonjë gjysëm ore. Kështu mendohet se rreth orës 20.30-20.40 gjithçka duhet të ketë përfunduar. Tekstet do të jenë në dispozicion të plotë, në gjuhën angleze. Do të ketë edhe një libret, në të cilin do të gjinden, të përkthyera në anglisht, të gjitha tekstet e lutjeve.
Pas atë Lombardit e mori fjalën atë Picabala, i cili e quajti këtë, çast ndalese.
Ati i Shenjtë nuk dëshiron të hyjë në çështjet politike të konfliktit izraelito–palestinez, që njihen me të gjitha hollësitë, sqaroi. Papa dëshiron të lartojë sytë e të shikojë përtej politikës, duke i ftuar edhe politikanët në një çast ndalese, për të shikuar lart një herë e pastaj, edhe poshtë, në realitetin e Tokës Shenjte e për t’i dhënë politikës frymëmarrjen e lutjes!








All the contents on this site are copyrighted ©.