2014-06-05 13:51:05

Papa: T’i bindemi Shpirtit të Shenjtë. Jo përfitimeve në Kishë


Kisha “nuk është e ngurtë”, Kisha është “e lirë”. Këtu e vuri theksin Papa Françesku në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Gjatë homelisë, Papa bëri thirrje të ruhemi nga tre grupe njerëzish, që mëtojnë të quhen të krishterë: “uniformistët”, “alternativistët” dhe “përfituesit”. “Kisha nuk është shtëpia e tyre” – tha – ata thjesht e marrin “me qira”.RealAudioMP3

Jezusi lutet për Kishën dhe i kërkon Atit që ndër nxënëxit e tij “të mos ketë ndarje dhe ngatërresa”. Papa Françesku u nis nga Ungjilli i ditës për të folur pikërisht për bashkimin në Kishë. “Shumë vetë – vërejti – thonë se janë në Kishë”, por “janë me një këmbë brenda”, ndërsa “tjetra nuk ka hyrë ende”. Në këtë mënyrë mbajnë hapur mundësinë “për të qenë në të dy vendet”, “brenda dhe jashtë”. “Për këta njerëz – tha Ati i Shenjtë – Kisha nuk është shtëpia e tyre, nuk e ndjejnë si të vetën. Sipas tyre, e kanë me qira”. “Ka disa grupe – tha më tej – që e marrin Kishën me qira, por nuk e ndjejnë si shtëpinë e tyre”. Papa numëroi tre grupe të krishterësh: në të parin hyjnë ata të cilët “duan që të gjithë të jenë të barabartë në Kishë”. “Duke e martirizuar pakëz gjuhën italiane” – tha me humor – mund t’i quajmë “uniformistë”:

“Uniformiteti. Ngurtësia. Janë të ngurtë! Nuk e kanë atë liri, që jep Shpirti i Shenjtë. E ngatërrojnë predikimin e Jezusit, në Ungjill, me doktrinën e tyre, me doktrinën e barazisë. E Jezusi nuk ka dashur kurrë, që Kisha e tij të ishte e ngurtë. Kurrë. E këta, për shkak të këtij qëndrimi, nuk hyjnë në Kishë. E quajnë veten të krishterë, e quajnë veten katolikë, por qëndrimi i tyre i ngurtë i largon nga Kisha”.

Një tjetër grup – vijoi – përbëhet nga ata që e kanë gjithmonë një ide të veten, “e cila nuk duan të jetë si ajo e Kishës dhe e kanë si ‘alternativë’”. Këta janë alternativistët:

“Unë hyj në Kishë, por me këtë ide, me këtë ideologji. E kështu, përkatësia e tyre në Kishë është e pjesëshme. Edhe këta e kanë një këmbë jashtë Kishës. As për këta, Kisha nuk është shtëpia e tyre, nuk e kanë të veten. E marrin Kishën me qira deri në një farë pike. Ekzistonin edhe në fillim të predikimit të Ungjillit. Le të mendojmë gnostikët, të cilët apostulli Gjon i frushkullon shumë fort. ‘Jemi... po, po... jemi katolikë, por me këto ide’. Një alternativë. Nuk ndajnë me të tjerët ndjenjën e mirëfilltë të Kishës”.

E grupi i tretë, tha në vijim, është grupi i atyre që “e quajnë veten të krishterë, por nuk hyjnë përmes zemrës së Kishës”: janë “përfituesit”, ata që kërkojnë përfitime, dhe shkojnë në Kishë, por për përfitime vetjake, dhe, si përfundim, bëjnë pazare në Kishë”:

“Afaristët. I njohim mirë! Por kanë ekzistuar që në fillim. Të kujtojmë Simon Magjistarin, të mendojmë Ananinë e Safirën. Këta përfitojnë nga Kisha për leverditë e veta. Dhe i kemi parë nëpër bashkësitë famullitare apo dioqezane, nëpër kongregatat rregulltare, disa bamirës të Kishës, shumë, eh! Fryheshin, duke u paraqitur si bamirës dhe, në fund, mbas tavolinës, bënin pazare. As këta nuk e ndjejnë Kishën si nënë, si të veten. E Jezusi thotë: ‘Jo! Kisha nuk është e ngurtë, një, e vetme: Kisha është e lirë!’”.

Në Kishë, tha më tej Ati i Shenjtë, “ka shumë dhunti, ka një larmi të madhe njerëzish dhe dhuratash të Shpirtit të Shenjtë!” Zoti, vijoi Papa Françesku, na thotë: “Nëse dëshiron të hysh në Kishë, hyr për dashuri”, për të dhuruar “tërë zemrën dhe jo për të bërë pazaret e leverditë e tua”. Kisha, theksoi, “nuk është një shtëpi, që e merr me qira”, Kisha “është një shtëpi për të jetuar”, “është si nëna”.
Papa e pranon se kjo nuk është e lehtë, sepse “tundimet janë të shumta”. Por, vuri në dukje, ai që e bashkon Kishën, ai që krijon “bashkimin në larmi, në liri, në bujari, është vetëm Shpirti i Shenjtë”, “kjo është detyra e tij”. Shpirti i Shenjtë, shtoi, “krijon harmoninë në Kishë. Bashkimi, në Kishë, është harmoni”. Të gjithë, vërejti, jemi të ndryshëm, nuk jemi të barabartë, falë Hyjit”, përndryshe “do të ishte ferr!”. E “të gjithë jemi të thirrur t’i bindemi Shpirtit të Shenjtë”.
Pikërisht kjo bindje, tha Papa, është “virtyti që do të na shpëtojë nga ngurtësia, nga rreziku për të qenë ‘alternativistë’ dhe ‘përfitues’ ose afaristë në Kishë: bindja ndaj Shpirtit të Shenjtë”. Dhe është pikërisht kjo bindje, ajo që “e shndërron Kishën nga një shtëpi me qera, në shtëpi të veten”.
“Zoti na dërgoftë Shpirtin e Shenjtë, tha në përfundim Papa, dhe krijoftë këtë harmoni në bashkësitë tona – në bashkësitë famullitare, dioqezane, në bashkësitë e lëvizjeve – Shpirti e krijoftë këtë harmoni, sepse, siç thoshte një Atë i Kishës: Shpirti, Ai vetë është harmonia”.








All the contents on this site are copyrighted ©.