2014-06-05 14:08:28

Papa Françesku në salikimin e kardinalit Lourdusamy në Shën Pjetër


Nga India në Romë, si shërbëtor besnik i Kishës: kështu e kujtoi kardinali Anxhelo Sodano, prelatin indian Simon Lourdusamy, i cili ndërroi jetë të hënën, në moshën 90-vjeçare. Mesha me ritet e salikimit u kremtua sot në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Homelinë e mbajti kardinali Sodano, ndërsa Papa Françesku kryesoi ritin e Porosive të Fundit (Ultima Commendatio) dhe atë të Ndarjes (Valedictio). Kardinali indian ka qenë prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore.
Dekani i Kolegjit kardinalor, Anxhelo Sodano, gjatë homelisë kujtoi biografinë e të ndjerit. Shërbeu për mëse dhjetë vjet në kryedioqezën e Pondicherry-t e për gati dhjetë vjet të tjera qe bariu i kryedioqezës së Bangalores. Më pas, Papa Pali VI e thirri në Romë për të punuar në Kongregatën misionare Propaganda Fide. Për njëzet vjet me radhë ia kushtoi gjithë energjitë kauzës së ungjillëzimit të popujve. Qe shën Gjon Pali II që e krijoi kardinal më 25 maj 1985. Po atë vit, i dha detyrën e prefektit të Kongregatës për Kishat Lindore dhe të Kancelarit të Madh të Institutit Papnor Lindor. Pas vitit 1993 ka qenë protodiakon i Kishës Katolike Romake, derisa, i sprovuar nga sëmundja, vazhdoi t’i shërbejë asaj me lutje, duke ia dhuruar vuajtjet e tij Zotit. Pushoftë në paqe!








All the contents on this site are copyrighted ©.